E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kërkesë për "Anën Emocionale të Europës"

Thirrja e kineastëve për edukimin e filmit në shkolla. Në grupin e ekspertëve "Imazhi i Evropës", pjesëmarrës edhe regjisori shqiptar Kujtim Çashku, rektor i shkollës së Filmit&Multimedias "Marubi"


Grupi i ekspertëve (Think Tank) të EFA "Imazhi i Europës" me Presidentin e EU Barosso, rezultoi me një thirrje të kineastëve për edukimin e filmit në shkolla.


Njëzet krijues lider nga fushat e regjisë, skenarit, aktrimit, produksionit, distribucionit dhe edukimit, u takuan me José Mannuel Barosso, President i Komisionit Europian, për të shkëmbyer këndvështrimet e tyre mbi impaktin që imazhet dhe kinemaja kanë mbi identitetin e Europës dhe mënyrën se si europianët identifikohen me kontinentin e tyre mëmë.


Presidenti, i cili ndoqi ftesën e akademisë për ta marrë takimin nën patronazhin e tij, u shpreh se Unioni Europian shpesh shihet nga qytetarët e tij si "bashkim kryesisht ekonomik", dhe deklaroi se: "Ne duhet të përqendrohemi më shumë në anën emocionale të Europës".


Takimi u vendos në dritaren e grupit të ekspertëve (think tank) Imazhi i Europës, organizuar nga Akademia Europiane e Filmit, në Metropolisin Ruhr të Gjermanisë, Kryeqytet i Kulturës Europiane 2010, me mbështetjen e Fondacionit të Filmit North Rhine-Westphalia dhe RUHR.2010.


Me ftesën e Wim Wenders dhe Volker Schlöndorff, pjesëmarrësit diskutuan mbi shumë tema si dëmi i vazhdueshëm që vjen nga pirateria dhe problemet e distribucionit jashtë vendit të origjinës së një filmi.


Wim Wenders u shpreh: "Është një kinema e re nga një gjeneratë e re dhe optimiste, e cila lëviz lirshëm përmes kontinentit pa kufij. Vetëm se filmat e tyre brilantë nuk udhëtojnë po aq sa kineastët e tyre".


Në mënyrë unanime u ra dakord se filmi mund të luajë një rol të pamatë në mënyrën e marrëdhënieve të europianëve me kontinentin e tyre dhe se një sensibilitet për kultura e vende të tjera mban gjallë shpirtin e diversitetit, si dhe krijon një vlerësim mbi pasurinë e kulturës europiane. Volker Schlöndorf nënvizoi se është koha "të konsiderojmë një tjetër lingua franca, gjuhën e imazheve".


Diskutimet i drejtuan pjesëmarrësit t'u bëjnë thirrje vendeve anëtare të Unionit Europian që të përfshijnë filmin, ashtu si literaturën, në kurrikulat e shkollave e t'u mësohet studentëve që jetojnë në një botë të dominuar nga imazhe, duke nisur që nga shkolla fillore e më tej, mbi gramatikën e imazheve në lëvizje, po siç mësojnë gramatikën e fjalës së shkruar.


Pjesëmarrësit e Grupit të Ekspertëve EFA, ku përfshiheshin Costantin Costas Gavras (Francë) Agniezska Holland (Poloni), Marjane Satrapi (Iran/Francë), Istvàn Szàbo (Hungari) dhe Fernando Trueba (Spanjë) i ofruan Komisionit Europian ndihmën e tyre në formësimin e së ardhmes së Kinematografisë Europiane si pjesë e identitetit Europian. Pjesëmarrësit do të shërbejnë si ambasadorë në vendet e tyre, për të shpërndarë përmbajtjen dhe rezultatet e këtij takimi.


Wim Wenders dhe Volker Schlöndorff deklaruan se Akademia Europiane e Filmit është gati të marrë përsipër një rol më madhor, duke kontribuar në zhvillimin e një programi paneuropian për edukimin filmik dhe duke eksploruar rrugë dhe mjete të tjera që mund të ndihmojnë në formësimin e "Anës Emocionale të Europës".
Berlin & Esen 9 Qershor 2009


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›