E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vdes bashkëshorti, vetëvaret nëna e 7 fëmijëve

Dy vetëvrasje kanë ndodhur brenda 24-orëve ku kanë ndërruar jetë një 58-vjeçare dhe një 60-vjeçar


GRAMSH - I jep fund jetës duke u vetëvarur nëna e 7 fëmijëve. Ngjarja është regjistruar në fshatin Kodovjat të rrethit të Gramshit. Behije Seda, 58 vjeç, është gjetur nga fëmijët e saj e vetëvarur në kasollen e bagëtive.


58-vjeçarja kishte humbur bashkëshortin dhe dyshohet se depresioni ka qenë shkaku që e ka çuar deri në aktin fatal. Rreth orës 10:00 është njoftuar salla operative se në fshatin Kodovjat kishte gjetur vdekjen një grua.


Menjëherë grupi hetimor ka mbërritur në shtëpinë e familjes Seda. Gruaja që kishte përdorur litarin e bagëtive, kishte humbur bashkëshortin për shkak të një sëmundjeje.


Nëna e shtatë fëmijëve po kalonte edhe një periudhë të vështirë ekonomike. Kjo situatë është përkeqësuar ndjeshëm pas vdekjes së bashkëshortit. Prej kohësh ajo qëndronte e mërzitur dhe po e përjetonte mjaft keq gjendjen.


Mëngjesin e së enjtes, kur të gjithë kanë qenë në punë, gruaja ka vendosur të kryejë aktin vetëvrasës. Ka qenë një prej fëmijëve që e ka gjetur pa jetë teksa po e kërkonte. Fati tragjik i gruas është komentuar nga banorët si një fatkeqësi pas fatkeqësie.


Po dje një 60-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Isuf Mehmetaj, lindur në Reç të Malësisë së Madhe dhe banues në lagjen "Ahmet Haxhia" në Shkodër, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në një pemë frutore në oborrin e banesës së tij në Shkodër. Kanë qenë familjarët ata që e kanë gjetur të vetëvarur 60-vjeçarin.


Sipas dëshmive që ka grumbulluar policia, Mehmetaj kishte disa kohë që vuante nga kriza të forta të dhimbjes së stomakut për të cilat shprehej se ishin të padurueshme për të dhe ia kishin mërzitur jetën. Ky mendohet të ketë qenë shkaku i vetëvarjes së tij, ndërsa familja nuk ka probleme ekonomike dhe viktima nuk ka pasur ndonjë problem.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›