Një koloni frytdhënëse

Artistët, më konkretisht ata të artit figurativ, asnjëherë nuk duhet të jenë individualist dhe egoist shkurtpamës, por përjetimet e tyre duhet t’i shpërfaqin gjithnjë nën ombrellën kolektive, të garojnë shpirtërisht me kolegët e kësaj fushe.
Një tubim të tillë kolektiv e mundësoi artisti Naim Spahiu, drejtor i Qendrës për Kulturë “Open Art”, i cili tuboi artistë nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia dhe Bosnja. Kjo koloni artistike u organizua për herë të parë, dhe si qëllim kishte tubimin e artistëve, të cilët do diskutonin për tema të lira të artit, preokupime, dhe për atë se në çfarë gjendje është arti në Ballkan dhe në botë.
Artistët e kësaj fushe nuk mund ta shprehin këtë me fjalë, por nëpërmjet penelit e ngjyrave. Ata, në të njëjtën kohë, bashkë me kolegët, “gjuanin” nuanca shpirtërore në pëlhurë, duke hulumtuar atë më të thellën, më prekësen, më ngacmuesen.
Secili, duke mos u ndikuar nga kolegu, tregonte atë përjetimin e brendshëm - në disa raste edhe të jashtëm - në pëlhurë. Idetë ishin të shumta, jo të mbështjella por të hapura, dhe të përkthyera bindshëm në pëlhurë. Temat ishin të lira, dhe secili artist garonte me goxha xhelozi të fshehur ndaj rivalëve të tjerë.
Potezat e menduara të brushës, i shfaqnin me shumë mend, duke kërkuar hapësirën më tërheqëse e më ritmike, të shoqëruar me kompozicion. Ngjyrat vërtet bëheshin mbret i lojës së imazhit. Një imazh sugjestiv, fantazmagorik, aspak i frikshëm, as dramatik apo tragjik, por estetik. Vetëm piktura mund të krijojë këso realitetesh. Si duket, këta artistë i kanë përvetësuar me mjaft mjeshtri ligjet e perspektivës, janë njohur mirë me masat, dhe i vejnë në përpjesëtim pjesët dhe objektet e krijuara.
Ata pikturojnë edhe natyrën, pasi qëndrojnë me të dyja këmbët në profesion. Pikturat e mira bëhen me ngadalë, ku përcaktohet ngjyra, shkalla e ndriçimit dhe e hijeve - cilat pjesë janë më të shndritshme e cilat më të errëta, dhe në ç’mënyrë zëvendësojnë njëra-tjetrën. Ata i njohin përmasat, dinë t’i krahasojnë objektet e vizatuara, dhe të përcaktojnë se në ç’drejtim i hedhin vijat për t’i vizatuar konturat. Mirëpo, sipas Leonardo da Vincit, që t’i përfytyrojë mirë konturat e trupave piktorit i bënë mirë të rrijë i shtrirë, me sy të mbyllur në errësirë, dhe të bëjë përfytyrimin e tyre. Por, si duket, këtë gjë ata e përjetonin syhapur, duke u thelluar në kërkim të brendshëm të figurave.
Edhe pse i kishin vetëm tre ditë kohë për të shfaqur shpirtin e tyre, arritën të depërtojnë furishëm në shijen e secilit shikues. Pyetjet kishin mjaft përgjigje në telajo. E rëndësishme është estetika dhe ideja e zbërthyer deri në pafundësi, brenda kohës së caktuar dhe të limituar. Por kjo, si duket, nuk ndikonte aspak në stagnimin e tyre, sepse këtë punë e bënin me dashuri dhe entuziazëm të madh.
Pëlhurat e plotësuara nuk ishin të heshtura, edhe pse u mungonin kornizat, për të cilën gjë u kujdes artisti tashmë i njohur për artin konceptual, Bekim Korça. Në hapjen e ekspozitës ai zhvilloi një performansë, duke kornizuar me “sprej” të gjitha punimet, me vija të reliefit. Performansa e tij zgjoi mjaft kureshtje, e në të njëjtën kohë edhe kënaqësi për autorët e veprave, të cilët me habi dhe hezitim vështronin performansën e zhvilluar. Buzëqeshja e lehtë e tyre ishte paksa enigmatike, ndërkaq habia kishte kapluar çdo gjë. E gjithë kjo shoqërohej me ndihmën e muzikës.
Ana pozitive e tubimit të artistëve pjesëmarrës ishte se secili në formë të fshehur garonte dhe shprehte atë maksimalen e brendësisë, megjithëse edhe njohja me përvoja të ndryshme e të reja ngjallte një përjetim të veçantë. Artistët që prezantuan janë Klejdi Sejdini, Ardiana Puleshi, Vera Nuredini Helridon Haliti, Nehat Beqiri, Osman Demiri, Verim Zendeli, Safet Spahiu, Burhan Ahmeti, Reshat Ahmeti, Ariana Bekteshi, Brunilda Mumajesi etj.