Yjet që mund të lënë La Ligën

Afati kalimtar i janarit do të fillojë shumë shpejt. 2012-shi është vetëm disa ditë përpara nesh, kështu që yjet e futbollit spanjoll po mendojnë që ta ndërrojnë mjedisin. Edhe pse gjithmonë është më i varfër se afati kalimtar veror, afati i janarit di të jetë i papërshkrueshëm.
Dhe, si zakonisht, uebfaqja Goal.com e ka publikuar listën e futbollistëve që mund të largohen nga kampionati spanjoll gjatë dimrit, për arsye të ndryshme. I pari nga ta është Leite Kaka. Mesfushori 29 vjeç nuk ka bindur kurrë në Real Madrid. Ai e riktheu formën në fillim të këtij sezoni, por më pas sërish iu kthye ‘folesë’ së vjetër, bankinës.
Arsenali, Tottenhami, Chelsea, Milani dhe Interi, janë të interesuar për shërbimet e përfaqësuesit brazilian, i cili do të vendos së bashku me babanë e tij nëse do t’i bëjë valixhet gati qysh në janar. Një gjë është e sigurt, Kaka nuk konsiderohet i pashitshëm nga klubi mbretëror spanjoll.
Një tjetër futbollist i njohur që mund të lëvizë nga La Liga është edhe Eric Abidal. Kontrata e mbrojtësit francez me Barcelonën skadon gjatë verës që vjen, kështu që klubi katalunas mund të vendos që ta shesë në janar, për të mos e humbur pa para gjatë verës.
32-vjeçari e ka përsëritur shpesh dëshirën për të mbetur në Camp Nou, por sa vijnë e shkojnë ditët, mundësitë e largimit të tij shtohen. Interesim për shërbimet e mbrojtësit të majtë kanë shfaqur PSG, Milan dhe Manchester City.
Edhe Roberto Soldado mund të mendojë të largohet nga Valencia gjatë dimrit. 26-vjeçari e mbylli këtë vit në një formë të shkëlqyeshme, ndërsa u bë objektiv i dy skuadrave angleze, Liverpool e Tottenham, si dhe i asaj franceze PSG. Soldado më parë kishte luajtur në Real Madrid, por ai e gjeti formën më të mirë në Valencia, ku ka realizuar 11 gola vetëm këtë sezon.
Edhe Villarreali mund të mbetet keq në janar. Pas Giuseppe Rossit, i cili ishte lënduar kohë më parë, ‘Nëndetësja e verdhë’ mund të mbetet edhe pa sulmuesin tjetër të rëndësishëm, Nilmar. Për 27-vjeçarin, interesim kanë shfaqur Roma, Fiorentina dhe Sao Paolo. Gjasat janë goxha të mëdha që ai të largohet nga Villarreali gjatë janarit.
Ndër futbollistët e njohur që luajnë në Spanjë e që mund të largohen gjatë dimrit përmendet edhe Diego Buonanotte, i cili mund ta lërë Malagan, për të shkuar në ndonjë klub tjetër evropian.
Po ashtu, edhe mbrojtësi Ricardo Costa i Valencias mund ta ndërrojë mjedisin, për të shkuar në Benficë, por nuk përjashtohet mundësia që të mbetet edhe në Spanjë, me Real Madridin dhe Betisin që po e kërkojnë.
Goal.com shkruan se ekipin mund ta ndërrojë edhe portieri i Espanyolit, Carlos Cameni. 27-vjeçari kërkohet nga klubet angleze Fulham dhe Tottenham, por edhe nga Malaga në Spanjë.