Një kosovare që këndon për Shqipërinë

Rona Nishliu padyshim se e ka zërin për ta përfaqësuar shtetin e saj. Por, për shkak se Kosova nuk është pranuar nga disa shtete të Evropës, Nishliu, 25 vjeçare, në këngën e Eurovizionit e përfaqëson Shqipërinë.
Në janar, ajo madje mori me dekretin e presidentit të Shqipërisë nënshtetësinë shqiptare, për të pasur mundësi të udhëtonte në Baku.
”I përfaqësoj shqiptarët në gjithë botën”, thotë Nishliu me një korrektësi politike.
“Dhe jo vetëm shqiptarët”. Por, ajo shpreson se Kosova së shpejti do të përfaqësohet në Evrovizion.
Fillimisht mbetet vetëm shpresë. Për kosovarët, të cilët nuk janë të përfaqësuar në organizatat ndërkombëtare, mbetet vetëm mundësia për t’u paraqitur nën një flamur tjetër.
Për shumë prej tyre kjo është një gjë e pakënaqshme, pasi që pikërisht kultura dhe sporti janë tejet domethënëse për ”ndërtimin e shtetit”. Kështu për shembull, mjeshtrja kosovare e xhudos, Majlinda Kelmendi po lufton me gjithë fuqinë që të përfaqësojë shtetin më të ri të Evropës në Lojërat Olimpike të Londrës.
Por, pikërisht për faktin se ky vend po lufton për njohje, mundësitë e të ashtuquajturës ”sferë shqiptare” janë bërë të rëndësishme për kosovarët. Të shtunën, shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri e natyrisht edhe ata në Kosovë do të dridhen në finale së bashku me Ronën, të angazhuar edhe për çështje humanitare.
Nishliu ishte e detyruar që në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, të arratisej nga veriu i Mitrovicës, i banuar me popullatë shumicë serbe. Fillimisht përfundoi në Mal të Zi, sot jeton në Prishtinë. Kënga e saj e ankesës ”Suus” nuk ka të bëjë me përvojat gjatë luftës. ”Të qarit ishte dëshmi për mua se ende jam në jetë”, thotë ajo.
Duke pasur parasysh fuqinë e zërit të kësaj femre të re, është i jashtëzakonshëm fakti se ajo kurrë nuk ka ndjekur orë të këndimit. Ajo u zbulua gjatë një konkursi të talentëve në Shqipëri në vitin 2004. Nishliu shkruan poezi e tregime të shkurtra dhe luan piano.
A do ta përfaqësojë më vonë edhe atdheun e saj, Kosovën, në garën evropiane të këngës? “Nuk jam aq egoiste, sa që duhet ta bëj sërish këtë. Por, kurrë mos thuaj kurrë!”.