Duke pritur Nikolicin

Edhe pse zgjedhja e Tomislav Nikolic për President të Serbisë nxiti shumë pikëpyetje rreth marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë edhe ashtu të tensionuara, duket se ultranacionalisti serb e kupton se në rolin e ri duhet të jetë edhe realist.
Se a do të përkeqësohen edhe më shumë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, kjo varet shumë nga ajo çfarë Nikolic dhe Qeveria e re atje do të bëjnë qysh në ditët e para të punës zyrtare.
Kështu së paku vlerëson analisti nga Qendra për Marrëdhënie Transatlantike, Daniel Serëer, i cili ka thënë për Express se do të ishte e mençur që Nikolic t’i zgjidhte disa çështje qysh në fillim të mandatit dhe të vazhdojë dialogun me Kosovën.
“Kjo shumë varet nga ajo çfarë Nikolic dhe Qeveria e re bëjnë, e jo çfarë është thënë gjatë kampanjës. Nëse lëvizin shpejt për të zbatuar marrëveshjet Beograd/Prishtinë, kjo do të përmirësonte atmosferën dhe do t’i përparonte ambiciet europiane të Serbisë”, ka vlerësuar Serwer.
Për më shumë, Serwer thotë se, edhe pse Tadic vinte nga demokratët, Kosova nuk kishte ndonjë të mirë nga kjo. Sipas tij, tani pritet të shihet se çfarë do të bëjë Nikolic, i cili në fjalimin e tij të parë si President i Serbisë u zotua se nuk do ta largojë Serbinë nga rruga e saj europiane.
Edhe pse Nikolic njihet si ultranacionalist, i cili ka shfaqur qëndrime radikale kundrejt Kosovës, Serwer vlerëson se në të njëjtën kohë ai është realist dhe e di se Kosova është humbur qysh moti.
“Ai është nacionalist që nuk dëshiron të heqë dorë nga Kosova. Por, ai është gjithashtu edhe realist dhe e di se ajo është e humbur”, ka thënë ai.
Me gjithë faktin se Nikolic ka paralajmëruar se vizitën e tij të parë në cilësi të Presidentit do t’a bëjë në Bruksel, për të afirmuar ambicien europiane të Serbisë, dialogu tashmë i filluar mes Prishtinës dhe Beogradit ende mbetet i paqartë.
Zyrtarë europianë i kanë bërë thirrje atij qysh në ditën kur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Serbi që të respektojë marrëveshjet e arritura deri tani mes palëve dhe të vazhdojë dialogun aty ku ka mbetur.
Edhe pse Nikolic ende nuk është shprehur zyrtarisht sa i përket marrëveshjeve të arritura deri tani, por as sa i përket vetë të ardhmes së dialogut, Qeveria e Kosovës ka thënë ditë më parë se nuk mund të ketë dialog të ri pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri tani.
Sipas Qeverisë së Kosovës, në veçanti duhet të zbatohet Marrëveshja për Menaxhim të Integruar të Kufijve, në mënyrë që të mund të bisedohet për një raund të ri të dialogut.
Megjithatë, analisti amerikan Serwer shpreson se ky dialog do të vazhdojë, pasi që, sipas tij, kjo është në të mirën e të dy palëve.
“Shpresoj që po dhe kjo për të mirën si të Serbisë, ashtu edhe të Kosovës”, ka thënë ai.