Një kritikë për monumentin e 100-vjetorit
Dr. Kesiana Lekbello
Sa shumë ide dhe novacion po kërkon përvjetori i Shpalljes së Panvarësis. Marr parasysh dëshirën e mirë dhe gati të detyruar për të përkujtuar 100-vjetorin e kësaj date, por nuk kuptoj aspak monumentin që duhet ti dedikohet, o më saktë, ideja e projektit fitues kundërshton idenë e Pavarësisë. Shpjegohem më mirë. Nëse monumenti, i lartë 4 metra, në formën e një kubi, i cili hapet dhe lejon kalimin do të personifikojë fortifikimin e Shqipërisë, pra Vend i izoluar që u hap më vonë, më lind pyetja: kush e hapi Shqipërin nga Vend i izoluar dhe i mbyllur, pavarësia apo Demokracia? Duke ditur përgjigjen, shtroj pyetjen tjetër: mos vallë nëpërmjet pavarësisë kërkohet të nënvizohet tek monumenti, në mënyrë tërthorazi, ideja e një vepre artistike edhe për demokracinë? Pavarësia nuk hapi Shqipërinë nga vend i mbyllur në vend të hapur, e dimë fortë mirë. Pavarësia u shpall dhe u njoh më vonë si shtet i formuar, por mbeti sërish një vend i mbyllur, i varfër, madje deri në vitin 1913 akoma i pushtuar nga turqit. Pavarësia nuk hapi asnjë formë kubi siç pretendon monumenti i projekt fituesit, për ndryshe si mund ta kuptoj ardhjen e princ Vidit më 1914? Pra nëse metafora e monumentit i dedikohet hapjes së vendit tonë nga izolimi, që të jem e saktë dhe objektive duhet patjetër të them që kështu nuk ndodhi, sepse mbas turkut u pushtuam sërish, ose më mirë, shtetin shqiptar e drejtonin Fuqitë ndërkombëtare sipas kushteve dhe momenteve përkatëse. Si studiuese e këtij profili mund të zgjatem akoma, nuk është vendi dhe arsyeja. Do më pëlqente që vëmendja e këtij përvjetori të ishte filologjikë dhe jo demagogjike. Menjëherë që nga pamja e jashtme interpretimi i kubit të izolon vetvetiu, lartësia dhe hapja e këtij kubi nëpërmjet një korridori kalimi bëhet kaustrofobik, gati ideja të mbytë sado të ketë dritë. Monumentit i mungon kërkimi artistik, është apo nuk është një vepër arti, nëse jo, përse; nëse po, ku qëndron vlera artistike? Çdo të thotë prezenca e fortë e masës (4 metra e lartë) që hapet përpara dhe lejon kalimin, kalimin për ku?! Monumenti i pavarësisë kubi që hapet, duhet të karakterizoj ngjarjen dhe shpalljen e pavarësisë, ky koncept nuk analizohet, mbetet i thatë. Sigurisht që format simbolike në artë mund të jenë të larmishme dhe me të drejtë bëhen prezantuese të një idee edhe kur nuk tregon Asgjë (Nada- Dada): ndryshe është problemi kur kërkon të shpjegosh Asgjënë. Asgjëja në artë nuk shpjegohet, mund të jetë provokuese koncepti, por sërish nuk shpjegohet, sepse qëllimi kryesor qëndron pikërisht tek subjektiviteti; gjithsekush të gjejë vetveten tek Asgjëja. Të jeni të bindur të nderuar lexues që koncepti i Asgjësë në artë është filozofi më vetë dhe shumë domethënëse, por Asgjëja e artit i përket individit, pra në radhë të parë artistit që ka prodhuar Asgjënë. Nëse forma artistike e kuptueshme e monumentit që përfaqëson Jo Individin por Kombin, dhe ambienti vendosë nuk përputhen, monumenti që kërkohet të ngrihet humbet domethënien e tij, përse dhe kujt i është dedikuar, pra në këtë rast fjala, Asgjë-Dada ka kuptim negativ. Personalisht kështu e kuptoj monumentin që kërkohet të ndërtohet për pavarësinë: një strukturë e lartë si fortifikim, një kalim përmes, një izolim që karakterizon në mënyrë subkonshe kalimtarin dhe që nga ideja kolektive nuk përfaqëson njëri. Por nëse monumenti kërkon të përfaqësoj idenë e një individi, pra jo 100-vjetorin, që unë nuk kam kuptuar kjo do të thotë pavarësi individuale fjala, Asgjë-Dada, merr kuptim pozitiv dhe interpretohet individualisht.