E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sështë vonë për të mësuar

Arben Poroçani 

Tashmë kemi përpara dy zgjedhje shumë të rëndësishme për Shqipërinë: zgjedhjet presidenciale dhe  ato të përgjithshme. Kemi një Kushtetutë që duhet respektuar si dhe një Kod Elektoral që duhet ndryshuar. Kemi edhe një përvojë të hidhur të zgjedhjeve shqiptare që kontestohen vazhdimisht. Por, jemi edhe në një moment kritik për Shqipërinë që lidhet me integrimin evropian. Ndaj, përvojat e përparuara evropiane dhe perëndimore duhen ndjekur me krenari dhe duhen bërë analiza me përgjegjësi.
Edhe SHBA ka zgjedhjet presidenciale, por, nuk po i referohemi këtyre të fundit, por atyre që u zhvilluan para 4 vitesh, kur u zgjodh Barak Obama, kohë jo shumë e gjatë për mos ta kujtuar secili prej nesh. A duhet të mësojmë diçka ne shqiptarët nga zgjedhjet e 4 nëntorit në Amerikë? Ka shumë për të mësuar dhe për tu korrigjuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një aspekt pozitiv të këtyre zgjedhjeve të kaluara, por janë disa, në antitezë të plotë me ato çfarë kanë ndodhur gjatë këtyre 20 viteve në Shqipëri:

1 – Mënyra sesi u përzgjodhën kandidatët nga forcat e tyre politike, me një votim tepër demokratik, me një mbështetje të madhe nga elektorati që ata përfaqësojnë.

2 – Pasi u përzgjodhën dy kandidatët amerikanë për president, filloi një proces i hapur dhe transparent për sponsorizimet e fushatës.

3 – Secili kandidat prezantoi para zgjedhësve të tyre zëvendësit dhe stafin e ardhshëm, të cilët u angazhuan dhe bënë një fushatë të vrullshme. Të gjithë i njihnin ata dhe ishin të lirë të bënin zgjedhjen. Elektorati njeh njerëzit që do të drejtojnë pas fitores.

4 – Fjalimet e kandidatëve kanë qenë të qeta, me kulturë të lartë, pa sharje dhe ofendime në drejtim të kundërshtarit, por kuptohet duke vënë në dukje anët e dobëta të tjetrit. Ne jemi mësuar të shprehim vetëm mllef. Kjo nuk reflekton besim, as respekt.

5 – Pjesëmarrja në votime ishte e lartë, pra qytetarët e dinin përgjegjësinë e tyre. Tek ne, njerëzit ngurojnë të votojnë, pjesëmarrja nuk kalon 60% as në zgjedhjet lokale e as në ato të përgjithshme.

6 – Rezultati i zgjedhjeve shpallet shumë shpejt brenda pak orëve, pa ndonjë stërmundim, në antitezë të plotë me ne, ku duhen ditë e javë të tëra, ku procesi kalon edhe në Gjykata, ku kontestimet vazhdojnë, etj. Është pozitiv numërimi elektronik, për të cilin është rënë dakord nga forcat tona politike, shpresojmë të zbatohet me korrektësi.

7 – Kandidati humbës u përshëndet me fituesin, gjë që asnjëherë nuk ndodh në Shqipëri. Mesazhet ishin dashamirëse, të sinqerta dhe thirrje për bashkëpunim. Humbësi shqiptar asnjëherë nuk dorëzohet, nuk i ndal përpjekjet të fitojë me çdo kusht, edhe pse duhet respektuar vullneti i lirë i qytetarëve.

8 – Së fundi, edhe pse ka aspekte të tjera pozitive nga zgjedhjet e kaluara presidenciale në SHBA, apo duke iu referuar edhe zgjedhjeve në vende të tjera evropiane, fqinje apo pak më larg nesh, të bën përshtypje fjalimi pas fitores. Një përgjegjësi e lartë para mbështetësve e qytetarëve të vet, një respekt dhe një angazhim serioz për ti ndihmuar ata.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›