E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kurth kundër një Avokati të Popullit

Share

Nga Brizida Gjikondi

U bë kohë pa shkruar, por ka raste që kompromiset me vetveten zhbëhen kur veprimet e nxituara të një lideri politik cenojnë dhe demoralizojnë çdo idealist që jeton mbi këtë dhe.

Përpara rreth 3 muajsh, në vazhdën e lojërave sfilitëse politike që palët prej kohësh ndjellin njëra- tjetrën, u hodh si mish për gjah dhe një ndër institucionet kushtetuese të shtetit të brishtë shqiptar, Avokati i Popullit. Kur Kryeministri shqiptoi ofertën ndaj opozitarit të vet Rama në raport me këtë institucion, pata bindjen e brendshme që zoti Rama ose këshilltarët ligjorë, por edhe politikë pranë tij, do e orientonin që mos binte në këtë kurth shumëdimensional për të dhe reputacionin e tij si shtetar i ardhshëm. Mbas kësaj oferte, titullarë partiakë të Ramës dolën dhe e konsideruan ofertën qesharake (gafa e parë), e konsideruan Avokatin e Popullit një karotë që ata, d.m.th PS nuk do e hante. Mbas një periudhë heshtje si jo rrallë herë në kampin e çuditshëm opozitar filloi ngritja me pompozitet e komisionit cilësisht partiak për përzgjedhjen e kandidaturës së Avokatit të Popullit. Sërish burrëria prej politikani, intuita shtetare dhe vizioni kushtetues i liderit opozitar cedoi, ai shkoi si cjapi tek kasapi në thertoren e më të fuqishmit, sërish tundi shaminë që i vari në dorë ai që përherë ja ka varur. Por nuk është kjo çka mua më shqetësoi dhe më uli të shkruaj këto radhë pasi kjo ka të bëjë kryekëput me performancën e çalët të zotit Rama në raport me ndjesinë e shqiptarëve dhe Kushtetutën, çka mua më shqetësoi ish referimi dhe në cbazë kushtetuese dhe ligjore bazohej zoti Rama kur filloi të kapte për flokësh këtë institucion kaq demokratik dhe dinjitoz. A ja ka thënë kush zotit Rama se si zgjidhet Avokati i Popullit në bazë të legjislacionit shqiptar. Ku, nç çrrjesht e ka të shkruar procedurën e fundme ad hoc që ka shpikur, pse eksperimenton, me kë, si kush vallë?!

Njoh nga afër këtë institucion, punën e stafit të tij, punë dhe staf i cili në dhjetë vjet krijoi emrin dhe besimin në këtë xhungël shtetare, staf i cili tejkaloi dhe i mbijetoi politikës me dhe pa Zeus, pavarësisht se supermena bukëshkalë për një rikthim në Iden pështyjnë me mashtrim aty ku kanë ngrënë.

Falë moshës, profesionit dhe tallazeve të jetës njoh pjesën më të madhe të këtij Komisioni Ad Hoc, çdo shqiptar do pyeste, po vetë ky Komision si u zgjodh?!! Pse cilësisht është me vartës partie të zotit Rama, nga 7 anëtarë veç dy janë të pavarur.  Duke njohur mirëbesimin e përjetshëm që udhëheq Profesor Omarin, por edhe heshtjen dinjitoze të zotit Kosta, do e kisha të vështirë të mendoja aftësinë e tyre bllokuese në një Komision tërësisht dhe cilësisht politik. Por nuk dua të zgjatem më në këtë këndvështrim pasi problem im është të shikoj Hënën dhe jo gishtin që tregon atë.

Për mendimin tim zgjedhja e Avokatit të Popullit i tejkalon 33 të parët, por edhe 12 të dytët, Avokati i Popullit ashtu siç përcakton Kushtetuta është një super personalitet që i bën nder vendit dhe detyrës që do i ngarkohet, personalisht jam e bindur se shumë personalitete nuk kanë çmuar të gjykohen nga një Komision Politik, nuk kanë çmuar pasi gjykimi i tyre nuk është oratoria momentale përpara Komisionit, por performance jetësore në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Gent Ibrahimi do i bënte nder këtij pozicioni, Aurela Anastasi po ashtu, Adrian Klosi, Kozara Kati, Fatos Lubonja, por ndoshta kurrsesi smendoj se personalitete të tilla do vinin të konkurronin tek Miss Avokati i Popullit. As në Danimarkën e vlerës dhe origjinës nuk zgjidhet kështu Ombudsmani=Av.Popullit. Skam dëgjuar kund që klishe dhe Komisione të tilla që pa i paragjykuar mund të jenë një shkallë më poshtë se ata që gjykojnë të zgjedhin si tek tregu i kaposhave një titullar të lartë të shtetit. Pa paragjykuar 12 Kandidatët, përkundrazi duke i përgëzuar për kurajon, mirëbesimin dhe performancën me keqardhje kuptoj se zoti Rama ende është larg koncepteve kushtetuese ku bazohet një shtet. Fatkeqësisht kujtova se 21 Prilli i 2008 do kish lënë shenjë në performancën e tij si shtetar por gabova, sërish indirekt zoti Rama politizoi dhe goditi një institucion kushtetues, sërish indirekt zoti Rama hëngri një karotë që nuk i takonte, karotë e cila për fat të keq ai pak e paska njohur dhe akoma më pak ja paska ditur vlerat. Duke e mbyllur, jo më kot votimi i Avokatit të Popullit kërkon votim të cilësuar parlamentar çka tregon performancën, peshën dhe mbështetjen mbarëpopullore që duhet të ketë ky Institucion por si jo rrallë herë politika shqiptare ka shndërruar në pazar të vogël luftën e saj me maska.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›