Rrethimi i butë i Topit nga PD-ja
Kryeministri Berisha po përpiqet të zbusë betejën politike me Bamir Topin në përfundim të mandatit të tij presidencial, duke u përpjekur të dobësojë rrethin e mbështetësve të tij dhe të kufizojë fjalorin agresiv politik ndaj tij. Pas refuzimit të kandidaturës së Sali Shehut, me arsyetimin se ishte anëtar i Partisë Demokratike, Berisha arriti ta fusë Topin në kurthin e vet, duke i ushqyer atij shpresën se me lojën e kandidaturave do të forconte rrethin e njerëzve të vet brenda PD-së. Bamir Topi pësoi goditjen e parë nga Berisha, pasi besoi që Sali Berisha me të njëjtin arsyetim siç hodhi poshtë Sali Shehun, duke e quajtur anëtar të PD-së, do të hidhte poshtë dhe Bujar Leskajn, i cili është jo vetëm anëtar i PD-së, por dhe i zgjedhur në Këshillin Kombëtar të PD-së dhe në listën pritëse të deputetëve të këtij legjislacioni për Vlorën. Berisha, jo vetëm nuk u shqetësua për kriteret me të cilat hodhi poshtë Sali Shehun, por mobilizoi grupin parlamentar të jetë kompakt në votim për të miratuar kandidaturën e Topit. Me këtë gjest Berisha jo vetëm bën ushtar të tij kryetarin e Kontrollit të Shtetit, por i mbyll gojën presidentit, duke i pakësuar mbështetësit dhe duke dëshmuar se fuqinë për të shpërndarë pushtet në këtë vend e ka ai dhe jo Bamir Topi. Kjo e vë Topin në pozitë të vështirë me mbështetësit e vet, të cilët e kanë marrë Berishën bardh e zi, si njeri që nuk pranon asnjë kompromis me Topin. Mesazhi i Berishës është i qartë. Ai është duke u përpjekur të rrethojë Bamir Topin, duke afruar njerëzit e pakënaqur që kanë prirje të shkojnë me të.
Në një shfaqje jo aq rastësore në një universitet katundi në Tiranë, beniamini i Berishës, Lulëzim Basha u shfaq me Besnik Mustafajn, ndërsa mbështetës të tjerë të zotit Topi janë në pritje të bëhen të rëndësishëm pikërisht nga kjo tendencë e re e Berishës.
Të njëjtën tendencë Berisha po e demonstron dhe ndaj partive të vogla të së djathtës, që i janë bashkuar frontit opozitar, duke i neutralizuar ato në aksionin politik, apo dhe më tej duke i armiqësuar ato me Bamir Topin. Kështu, ndërsa miraton të enjten Bujar Leskajn për kryetar të Kontrollit të Shtetit, Berisha nuk harron të përhapë fjalë lart e poshtë se më i mirë se Leskaj do kishte qenë Dashamir Shehi, po atë nuk e solli Bamiri se votoi për Bashën. Me këtë rast ai bën të mirin dhe me Shehin që të mos afrohet me Topin dhe me Leskajn, të cilin realisht e ka ushtarin e badigardëve të vet. Kështu, standardi që vendos Berisha me këtë politikë është tepër komod për të. Bujar Leskajn ai po e miraton pa e parë në sy dhe ka për ta lënë aty në pritje që dhuratën më të madhe ky i fundit të ketë ndonjë shtrëngim dore me të në ndonjë pritje, apo ndonjë buzëqeshje në distancë, nëse nuk e ka seriozisht që do kontrollojë koncesionet e Argitës. Bile me vetëdije të plotë unë bëra një portret kritik për të, i sigurt se kjo do ta çonte atë drejt karriges së kryetarit të Kontrollit të Shtetit. Kriteri që ka në mendje Berisha është pikërisht ti marrë kundërshtarit njerëzit dhe të mbështesë ata që ia sulmojnë armiqtë.
Nga ana tjetër mbështetësve potencial të Topit u dërgon mesazhe lart e poshtë se pushteti ka vend për të gjithë, duke i lënë ata pezull, përballë boshllëkut që krijon qenia e Topit president dhe ende jo aktiv si politikan opozitar me Berishën për shkak të detyrës. Me këtë ritëm Berisha mund të neutralizojë disa figura të rëndësishme të PD-së që kanë tendencën të afrohen me Topin jo si model shpëtimtar, por si model opozitar me Berishën.
Ky rrethim në të vërtetë është dhe arma më efikase kundër Bamir Topit. I gjendur deri në vitin 2012 në zyrat e presidentit, ai nuk ka asgjë në dorë për tu bërë aktiv në politikë kundër Berishës dhe i ka humbur të gjitha betejat me porta të vogla që bën me Berishën me kandidaturat për Gjykata apo me rastin e Kontrollit të Shtetit. Berisha ka kaluar ato që do Berisha, bile dhe kur ka kaluar ndonjë të Bamir Topit, e ka bërë pasi e ka rikthyer dhe ka bërë pazar me të. Rasti i Leskajt ishte banal dhe i parashikueshëm qysh në fillim. Me Berishën nuk mund të fitosh betejën me cic-mice dhe hile të vogla. Për ato ai është mjeshtër vetë dhe nuk mund tia hedhësh. Bamir Topi nuk mund tia hidhte atij në këtë pikë, duke çuar një demokrat më të madh se Sali Shehu që të prishte parimet e Berishës. Me Berishën bëhet betejë vetëm duke bërë diferencë morale dhe duke treguar se nuk të interesojnë emrat, por parimet. Nëse Topi ngelet peng i emrave apo shoqërisë së tij, ai e ka të humbur betejën me Berishën, pasi ky i fundit jo vetëm që ka më shumë mundësi për të kënaqur tavolinat e vogla të Topit, por dhe më shumë fuqi për të mos rënë peng i emrave të përveçëm. E vetmja mënyrë që Topi të mbajë të bashkuar mbështetësit e tij rreth vetes, është të veprojë ndryshe nga Berisha, dhe jo të presë të mbledhë ata që mërziten nga Berisha. Pasi jo të gjithë ata vlejnë, sidomos ata që flasin të nesërmen e ikjes nga karrigia.
