Një leksion se si funksionojnë institucionet kushtetuese të një shteti
Një e treta e deputetëve të ekstremit të majtë survejohen në Gjermani, për shkak se veprojnë kundër rendit kushtetues
Një leksion nga Gjermania. Sipas revistës prestigjioze gjermane “Der Spiegel”, 1/3 e deputetëve të majtë të partisë “Die Linke” është survejuar nga Bfv (Zyra për Mbrojtjen Kushtetuese) për aktivitet anti-demokratik. Partia “Die Linke” është themeluar në ish-Gjermaninë komuniste Lindore. Monitorimi i shumë anëtarëve të kësaj partie po kryhet në mënyrë të ligjshme dhe mes të “përndjekurve” nga shërbimet sekrete janë edhe rreth 25 nga 75 deputetë të kësaj partie në Parlamentin gjerman. Zyra e Mbrojtjes Kushtetuese ka për detyrë të ruajë institucionet demokratike, si sistemi gjyqësor dhe zgjedhjet e lira. Por, sipas “Die Linke”, funksioni i kësaj zyre ka shkuar tepër larg dhe tashmë kjo temë ka ndezur një debat të fortë politik në Gjermani mbi legjitimitetin e Zyrës. Autoritetet pas daljes së lajmit kanë qenë të detyruara të pranojnë faktin dhe e kanë justifikuar vendimin për të ndjekur deri në origjinë lëvizjen e drejtuar nga bolsheviku Gregor Gysi (më parë i akuzuar në media për lidhje me sigurimin e Gjermanisë lindore, Stasi).
Sakaq reagimet ngaa politika gjermane kanë qenë të ndryshme. “Die Linke është një kërcënim për demokracinë gjermane”, ka thënë Hermann Gröhe, sekretar i përgjithshëm i CDU-së. “Problemi i kësaj partie është se nuk është shprehur qartësisht kundër grupeve që ushtrojnë dhunë – thotë lideri i parlamentarëve CDU/CSU Hans-Peter-Uhl – dhe janë kundër Kushtetutës, sepse kanë doktrinën komuniste”. Edhe më i qartë ka qenë Volker Kauder, kryetari i grupit parlamentar i kristian-demokratëve në Bundestag: “Die Linke është një strehë për kuadrot e vjetër të socialistëve të lindjes”. Pastaj shton: “Edhe parlamentarët e Npd (partia nacional-demokratike, e ekstremistëve të djathtë) janë të survejuar”, duke shtuar se të gjitha partitë që kanë prirje anti-kushtetuese survejohen nga shërbimi sekret i Shtetit.
***
Aneksi i 55/ Sjellja e këtij lajmi vlen për të krahasuar institucionet shtetërore Shqiptare me një institucionet e një vendi tejet serioz siç është Gjermania. Zyra për Mbrojtjen Kushtetuese në Gjermani e ka për detyrë ligjore të ndjekë të gjithë njerëzit të ardhur nga e kaluara komuniste dhe që kanë pikëpamje për rendin aktual kushtetues. Sigurisht survejimi i këtyre individëve vjen pasi janë anëtarë të një partie të dalë nga partia komuniste e Gjermanisë lindore dhe kanë aktivitet anti-demokratik.
Mirëpo kur lexon kësisoj lajmesh, natyrshëm të shkon mendja tek institucionet shqiptare që merren me mbrojtjen demokracisë dhe rendin kushtetues. Nëse shikojmë sjelljen e disa institucione kushtetuese shqiptare me 21 janar 2011 do të shikojmë puna e tyre është e kundërta e asaj çfarë ndodh në një vend serioz. Me 21 janar rendi kushtetues u sulmua prej një grupi të dhunshëm të ardhur në demonstratë me qëllime të përcaktuara më parë nga organizatorë politikë të një partie me trashëgimi të theksuar komuniste. Partia Socialiste koordinoi një protestë me agjendë të dhunshme kundër një institucioni kushtetues, prandaj është e hetuar sot nga Prokuroria e Përgjithshme pas sugjerimeve të ambasadës amerikane që hetimi të ishte gjithëpërfshirës me ndjekjen e organizatorëve të dhunës. Sipas kryeministrit Berisha shërbimi informativ me 20/21 janar, që duhet të ruajë rendin kushtetues, nuk kishte lajmëruar organet e policisë së shtetit për përmbysje të qeverisë me dhunë. Prokuroria e Përgjithshme ka pasur një tendencë për të përndjekur mbrojtësit e institucionit kushtetues dhe jo organizatorët sulmeve ndaj saj. Presidenti i Republikës jo vetëm që nuk ka dalë në krah të mbrojtjes së rendit kushtetues, por e cilësoi me papërgjegjshmëri sulmin si “ngjarje bulevardi”. Gjermania është një vend europian, po Shqipëria lind pyetja do të ketë standarde europiane?
Lavdrim Lita