E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensionimi i situatës, orvatje e dëshpëruar për të mbuluar diellin me shoshë

29-01-2012 / Nga Eden Babani

Kuptimplotë thënia për mbulimin e diellit me shoshë. Madje, e barasvlershme me të – ndoshta më e bukur - ekziston edhe një tjetër me të njëjtën folje, “mbuloj”. Shumëkush ndër lexuesit mund ta marrë me mend ku e kam fjalën. Për etiketë, do t’i lutesha të mos e shqiptonte, siç po bëj edhe vetë... Kujt t’i djegë – nëse i djeg –, le të kruhet.
Pas fletë-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme dhe pas kërkesës së saj për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë ndër më fatkëqijtë mes atyre që, kush më shumë pak e kush më, kanë ngjyer në çorbën e 21 janarit, e vetmja kartë e mbetur në dorë Edi Ramës është tensionimi i situatës politike. Dhe ai, ndonëse me dëshpërim, po përpiqet ta luajë kartën e fundit me pasionin e kumarxhiut të regjur politik, duke synuar hallakatjen e vëmendjes së opinionit publik, sa aty, këtu; sa andej, këtej. Përçartjet me vetvete dhe me rrethin e tij të ngushtë ose me një grusht njerëzish të ngeshëm që e ndjekin në internet përmes rrjetit social twitter, tregojnë qartë se në cilat kulme dëshpërimi po e sheh veten Edi Rama, ndërsa e vërteta e 21 janarit po hyn gjithnjë e më shumë në hulli të ligjit. Ai i trembet së vërtetës me tepër se cilido tjetër komplotist për grusht shteti, për shkak të rolit qendror që mori përsipër atë 21 janar të zi.
Një e përditshme e Tiranës shkruante dje: “I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut socialist Edi Rama pas fjalës së kryeministrit Sali Berisha në Forumin Rinor Demokratik të Ballkanit në Tiranë.” Në vijim, botonte reagimin “e menjëhershëm” të kreut socialist në twitter: “Universitetet sot te mbingarkuara në dëm të cilësisë”. “Papunësia rinore çdo vit më e larte”. “Programi ynë rilind universitetet dhe ul papunësinë”.
E përditshmja në fjalë ka bërë mirë që e ka vënë në dijeni lexuesin për “reagimin e menjëhershëm” të Ramës. Dashur a padashur, ajo ka zbuluar se të vetmet alternativa politike që i kanë mbetur kreut të opozitës, janë mohimi dhe shpifja.
Të marrësh mundimin e të lexosh “reagimin e menjëhershëm” të Ramës për fjalën e Kryeministrit Berisha në një takim ndërkombëtar të rinisë, do të vëresh ngutjen e verbër dhe dëshpërimin e tejskajshëm të kreut të opozitës sonë fatkeqe, e cila ka vite e vite që s’prodhon alternativa qeverisëse. Do të vëresh, gjithashtu, edhe çoroditjen ku e kanë hedhur atë zhvillimet politike e sociale qysh se humbi Bashkinë e Tiranës. Çfarë mund të gjykojë lexuesi për “universitetet  e mbingarkuara në dëm të cilësisë”, kur nuk ka përpara të paktën një tabelë krahasuese? E njëjta mund të thuhet edhe për “papunësinë rinore çdo vit më të lartë”. Sa për mendimin e Ramës (nëse ka mendim në atë telegram me katër a pesë fjalë) se programi i tij “rilind universitetet dhe ul papunësinë”, është e tepërt të zgjatem, përpos se të nënvizoj që deri sot nuk dimë ndonjë program të tij as për universitetet, as për papunësinë, as për kurrfarë problemi tjetër që shqetëson elektoratin shqiptar.
Gjithsesi, edhe përçartjet, qofshin tip telegrami ose jo, vjen çasti e marrin vlera të padiskutueshme kumtuese. Është e vërtetë se ato ushqejnë me demagogji një pjesë të militantëve partiakë të cilët, ndonëse nuk kanë aftësi vetjake gjykimi, kanë kohë të mjaftueshme dhe mjete ekonomike të kalojnë kohën në internet. Por, përpos kësaj, është po aq e vërtetë se ato kumtojnë edhe shterpësi politike. A ka komoditet më të madh për njërën palë, kur pala kundërshtare vetëdemaskohet, duke vënë në pah shterpësinë?
Dashuria e Ramës për mikromesazhet në tëetter, duhet të ketë lindur vonë, ndoshta në zbrazëtirën e krijuar prej ndonjë dashurie tashmë të humbur, fjala vjen, qysh se e tradhtoi e dashura karrige e kryebashkiakut. Nga ana tjetër, dihet se natyra nuk e pranon zbrazëtirën. Ky është ligj universal, të cilit nuk mund t’i shpëtojnë as zbrazëtirat lëndore, as ato ideore. Atëherë? Rroftë tëitter-i! Një rrugë e ca punë. Edhe zbrazëtira mbushet, edhe lideri hiqet se bën politikë. Kush ta hajë, le ta hajë.
Më në fund, sa  për dijeni të lexuesit të painformuar, po shënoj se tëitter është një rrjet social miniblogesh (derivat i shkurtër i blogut të zakonshëm), që lejon publikimin e një mesazhi të shkurtër. Këto mesazhesh nuk pranojnë më tepër se 140 karaktere: shkronja, hapësira mes fjalëve dhe shenja pikësimi. Ato transmetohen aty për aty. Tamam këtë ka  synuar Edi Rama me mesazhet e tij (artikuj, vallë?!) telegrafike ku as idetë nuk gjejnë vend, as alternativat. Përkundrazi, tensionet politike mbahen ngritur. Është e vetmja alternativë e Edi Ramës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›