Rama në Preshevë, ose vizita e një alieni
Politikani që s’ka folur kurrë për çështjen kombëtare, po përpiqet të bëjë politikë me të, por thjesht po konsumon gafa. Ai ka përuruar librin “kurbani” në Prishtinë, Tetovë e Preshevë, kur në fakt teksti s’ka asnjë fjalë, as për Kosovën e as për shqiptarët e trojeve të tjera. Ditën kur ai jep leksione për nudizmin në Preshevë, liderët politikë janë në Tiranë teksa flasin për pajisjen me tekste mësimore. Dje në Preshevë, ai konsumoi një sërë gafash diplomatike, teksa premtoi investime kombëtare për maternitete e shkolla, duke harruar se ato investime bëhen me marrëveshje-kuadër, por duke rrëfyer se sa injorantë i ka këshilltarët që ia sugjerojnë gjëra të tilla
E pakuptimtë ishte vizita e djeshme e Edi Ramës në Preshevë. Më të pakuptimtë e bënte këtë vizitë njoftimi për shtyp që ai vetë shpërndau.
E pra, Edi Rama politikani që s’ka folur kurrë për çështjen kombëtare, po përpiqet të bëjë politikë me të, por thjesht po konsumon gafa. Përveç konsumimit të gafave, “karta nacionaliste” ia shtonte dozat “e pakuptimta” vizitës së tij në Preshevë.
Preteksti i asaj vizite, sikurse u tha, ishte përurimi i librit të tij “Kurbani”. E ka bërë këtë edhe më parë në Prishtinë e Tetovë. Por, me gjithë sforcon dhe lodhjen fizike që është dashur të përballojë në këto udhëtime, përveçse në atë libër nuk ka asnjë fjalë, as për Kosovën e as për shqiptarët e trojeve të tjera, nuk dihet se çfarë mesazhi ka menduar Edi Rama se mund të përcjellë, qoftë në Prishtinë e Tetovë, qoftë së fundmi edhe në Preshevë. Që rezultatet e admirueshme të kryekomunarit të Xarës, nuk kanë qenë ndonjë shkak që të habiste ndokënd në Preshevë, kjo është e kuptueshme. Por, që në emër të “kartës së nacionalizimit”, të promovojë nudizmin e “Kurban”-it të tij në Preshevë, kjo e shton edhe më shumë dozën e vizitës së pakuptimtë.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ditën kur ai jep leksione për nudizmin në Preshevë, liderët politikë të Preshevës janë në Tiranë teksa flasin për pajisjen me tekste mësimore. E megjithatë, Edi Rama nuk tutet për të bërë sikur kërkon investime kombëtare si maternitete e shkolla... Por harron se ato investime bëhen me marrëveshje kuadër e fjalë të tilla janë pa qeder, përveç faktit se tregojnë se sa injorantë i ka këshilltarët që ia sugjerojnë.
Dhe kush flet për maternitetet e shkolla në Preshevë...?! Ai që ende beson se ato ngrihen me ca “fjalë të mira e buzë në gaz”.
Sikur të ngriheshin maternitetet e shkollat me ngërdheshjet e Edi Ramës, të paktën do të na kujtohej në këto ditë, që ai të paktën të ketë ngritur ndonjë shkollë në Tiranë..., megjithëse, jo vetëm në fushata elektorale, atij (Edi Ramës), “i kanë shkuar buzët vesh më vesh”, nga premtimet... Pa përmendur këtu, që ai ka prishur shkolla në Tiranë..., biles..., biles..., deri edhe shkollë me një emër të madh si “Kosova”.
Ndaj edhe vizita e djeshme e tij në Preshevë, me shumë gjasa i ngjan një vizite të mundshme alieni, e denjë për tu bërë objekt i një studimi shkencor...