E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një letër për zotin Lulzim Basha

TIRANE - I nderuar zoti Basha! Po iu drejtohem me këtë letër të hapur si një medium demokratik që është përdorur kudo dhe kurdoherë, kur nevoja e komunikimit publik sillet si një instrument që mund të ndihmojë në zgjidhjen e atyre problemeve që, nuk janë më vetëm të një personi cilido qoftë ai. Kështu po iu kujtoj, se në rokopujën e vitit 1997 kur ju u larguat nga atdheu duke lënë punën që bënit në aeroportin e "Rinasit" si ndihmës kamarierë, në Televizionin Shqiptar u paraqit pa asnjë thirrje zyrtare, por nga ekzigjenca e vetëdijes qytetare dhe asaj kombëtare një mjek kardiolog, njeriu fisnik Anesti Kondili! Ai iu drejtua popullit për vetëpërmbajtje dhe politikanëve për të ndaluar marrëzinë e "pushtetmbajtjes me çdo kusht". Për t'i bindur njerëzit, ai tregoi se sapo vinte nga një operacion ku fal një ndërhyrje të vështirë në zemër, bashkë me kolegët e nderuar kishin shpëtuar nga "kthetrat" e vdekjes një të ri nga Lezha, nëse nuk gabojë. Ai ngriti lart kultin e jetës si pasuria më e madhe, sepse si edhe thoshte Talmudi "Kur edhe një njeri vdes bota pakësohet dhe kur edhe një njeri lind bota shtohet". Pas tij u derdhën qindra njerëz që sillnin si refren të njëjtin mesazh! Doktor Kondili nuk kërkoi as shpërblim, as tituj apo grada, e aq më pak pushtet! Ai vijoi të punonte duke iu përmbajtur betimit që kishte bërë kur kishte humbur të atin nga një atak në zemër, "të shpëtonte njerëzit nga sëmundjet e këtij organi sa fisnik aq edhe delikat si edhe është zemra". Prof.dr Ismail Lleshi, fitoi si deputet në Mat para disa viteve, kur ti Zoti Basha nuk ishte fare në Shqipëri, por u përfol se ishin vjedhur disa vota. Profesori la mandatin dhe tha "nuk dua të jem i përfolur" dhe u tërhoq fare nga jeta politike me gjithësi kishte kontribute si rrallë kush! Ai ruajti nderin dhe vlerat civile e akademike! Prof. dr. Zabit Brokaj ishte deputet në disa legjislatura, por në një moment u largua nga parlamenti, dorëzoi mandatin sepse si edhe u shpreh ai në atë moment "Ne në këto vite nuk kemi bërë asgjë për popullin, nuk i kemi mbajtur premtimet dhe kemi gënjyer". E ndiente profesori peshën e të pavërtetës dhe donte të ishte në paq me ndërgjegjen e tij, me idealet dhe me personalitetin që e karakterizon. Ai ishte nga të parët që qysh në vitin e largët 1990, bashkë me studentët e tij, u ngritën kundër diktaturës dhe atij sistemi, ndërsa në vitin 1997 provoi makthin e rrëmbimit për disa kohë edhe të të birit nga "falangat e krimit"! Para disa vjetësh zoti Fatos Nano, kishte mundësinë të zgjidhej President i Republikës, por se ai gjykoi, si edhe u shpreh, se "Stabiliteti i vendit dhe çështja e pavarësisë së Kosovës janë më të rëndësishme se zgjedhja ime president" që, ndoshta do të shoqërohej me trazira sepse PD-ja, ku ju sot militoni, nuk e donte Zotin Nano të ishte President! E quante "kriminel, drogaxhi pijanec, padrino" e lloj epitetesh, që sigurisht ishin jo të vërteta. Në takimin e janarit 2007 me Zotin Sali Berisha në pallatin e Brigadave, në prag zgjedhjeve lokale të 2007-ës, kryeministri Berisha iu përgjigj kështu pyetjes së gazetarit Sokol Balla, "se ju keni thënë këto fjalë për zotin Nano"; "pse me të vërtetë i keni marrë ju ato fjalë, ato kanë qenë për fushatë". Në momentin që nxënësit i shkuan Sokratit në burg dhe i afruan ndihmën që ai të mos dënohej me vdekje, "i mençuri universal" iu tha "jo unë do t'i nënshtrohem ligjeve të shtetit tim". Por para se të vdiste i tha gjykatësit që e dënoi "Unë e di si ku po shkoi pas vdekjes time, ndërsa ti nuk e di se ku do të shkosh"! Dhe kështu është, Sokrati kujtohet edhe nderohet edhe sot, ndërsa ai gjyqtar humbi përgjithnjë. Kështu do të mendojë edhe vajza juaj zoti Basha, kur të ritet dhe të studioi antikitetin dhe Sokratin në shkollë.

I nderuar zoti Basha, pas kësaj tirade argumentesh po të them si qytetar dhe intelektual që, ka pasur mundësi të jetonte dhe lektronte edhe në SHBA edhe në Europë. Gjykoi këta shembuj dhe ndale këtë që po ndodh sepse do të jesh i fituar jo vetëm për sot, por me një hipotekim të gjatë! Tek vijonte numërimi i votave dhe nxirreshin rezultatet, në një moment kur situata në Shqipëri dukej keq dhe në Tiranë po ashtu, në një dalje të tij për mediat, zoti Berisha tha kur u pyet për ty "Pyesni stafin e zotit Basha". Por humbja në qytetet e mëdha dhe në ato zona tradicionale që PD-ja fitonte në vijimësi, e sollën "skakierën politike" në një shqetësim të madh për zotin Berisha, ndaj duhej marrë Tirana me çdo kusht! Po le të arsyetojmë me gjakftohtësi se çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodhi, nëse ju do të dilnit fitues më "makiavelizmin" e "kosës vrastare" antiligj që "frymëzon teorikisht" zotin Arben Ristani.
Thuhet se e drejta e votës është e "drejtë Kushtetuese", ndaj duhet numëruar çdo votë e hedhur gabim në kutinë që nuk duhej të hidhej. Dakord! Por kjo e drejtë kushtetuese është për "Republikën e Tiranës" apo për "Republikën e Shqipërisë"? Pra, a kthehet kjo në normë Kushtetuese kur zbatohet në çdo qendër votimi dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, apo kur zbatohet vetëm në Tiranë? Për të dalë nga kjo situatë, nxitohet të thuhet se kjo zbatohet në Tiranë se rezultati është i ngushtë me 10 vota, po të ishte diferenca me mijëra vota nuk do të bëhej kjo që po ndodhë në KQZ! Kështu thellohet gabimi në arsyetim, sepse vërtetohet që shqetësimi nuk lidhet me të "drejtën Kushtetuese" të ushtrimit të votimit dhe vlerësimit të saj, por se thjeshtë na nevojiten këto vota të ndryshojmë rezultatin. Nëse duam ta respektojmë kushtetutshmërinë kjo duhet zbatuar në çdo rast dhe rrethanë! Madje nëse rezultati është i thellë mes garuesve, konsiderimi për çdo votë, bëhet edhe më i qetë sepse nuk ndryshon rezultatin dhe palët nuk acarohen, por se ama skrupuloziteti kushtetonjës dhe respektimi ndaj ligjit është korrekt dhe në çdo qendër votimi dhe për çdo votë të hedhur qoftë edhe gabimisht në kutinë që nuk duhej hedhur. Është Kushtetutshmëria që na udhëheq dhe jo interesi pushtetor! Mos vlerësimi i votës në të gjitha rrethanat dëmton sistemin dhe duhet respektuar maksimalisht sepse ka rëndësi për demokracinë funksionale dhe jo pushteti i njërit apo tjetrit. Thuhet se Kodi Zgjedhor ka boshllëqe, dhe ndaj po operohet bazuar në Kushtetutë apo me "ndryshime hap pas hapi, se ne jemi demokraci e re" si edhe u shpreh në një intervistë zoti Arben Ristani, ky jurist që punonte si avokat i një kompanie që sillte vaj nga Ukraina në Shqipëri! Jo, demokracia jonë nuk është në hapat e para! Nëse dikush do që ta sjelli në atë gjendje, tashmë të tejkaluar; ky është problemi i tij por, nuk mund të bëhet i yni dhe gjithë shoqërisë shqiptare që, ka 20 vite që po "lëngon" në këtë tranzicion traumatik dhe të panevojshëm! Zoti Ristani dhe zoti Zguri apo edhe ndonjë tjetër atje nga ata që flasin dhe dinë të flasin (sepse ka edhe nja dy që nuk e di se si deputetët i kanë votuar për të qenë anëtarë të KQZ-së, pasi kam tri ditë që po i ndjek por, as nuk flasin e as nuk ngrenë kokën, vetëm marrin frymë dhe ngrenë dorën si me komandë. Duhet të përgjegjësohen se ata vetëm administrojnë procese të demokracisë në shtetin ligjor dhe nuk krijojnë rregulla se si ndërtohet dhe funksionon demokracia institucionale! Zoti Basha, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, u shpreh se fillimisht duhej nxjerrë rezultati paraprak dhe mandej palët mund të ankoheshin në Kolegjin Zgjedhor. Ky është mesazhi i "State Departament" dhe ju duhet ta dëgjoni atë, ndaj ndalu. Nesër do të jetë vonë edhe po e bëre! "Right person in right place"! Është po ky ambasador që të përqafoi sy të gjithëve atë mbrëmje kur dolët nga kafeneja dhe të tha se ke bërë një "fushatë elektorale të shkëlqyer". Ishte kështu, sepse ju zoti Basha, as nuk shatë as nuk vollët vrer, as nuk u përfshitë në denigrime personale apo familjare, por se u morët me qytetin dhe ndryshimin e tij në vitet e ardhshme të mandatit të ri. Ndaj iu sjell në vëmendje që duhet që të dëgjosh "jo vetëm nga një vesh por nga të dy veshët" të dëgjosh me arsye dhe jo vetëm me pasion, të shohësh jo për sot dhe për nesër, por edhe në të ardhmen që fillon tani dhe vjen shumë shpejt. Zoti Basha, zoti Barosso, e quajti të panevojshme të vinte në Shqipëri dhe kjo është humbje për të gjithë ne. Ai dëgjon OSBE/ODIR-in që përmes ambasadorëve dhe dokumentacionit e kishin bërë të qartë, fillimisht rezultati paraprak mandej apelimi në KQZ dhe Kolegj Zgjedhor! Është moment të tregosh ata që thotë Edurad Baladur "Njerëzit nuk pëlqejnë asgjë më shumë sesa aktet e pendimit publik, të cilat për të fuqishmit japin imazhin e brishtësisë, të humanizmit e të së vërtetës. Që pas këtij pohimi mund të bësh thuajse gjithçka, ose edhe të kesh bërë. Sa pohimi të publikohet e bashkë me të falja, ambiciozi, i cili frikësohej nga zbulimi i të fshehtave të tij, mund të qetësohet e të rimarrë ngritjen. Komedia e "pendimit" është gjithmonë me përfitim".
Zoti Basha, le të mendojmë për një moment se me këtë rrugë "të krijimit voluntarist" të ligjeve dhe rregullave ju do të "konsakroheni"(nuk do të zgjidheni) kryetari i Bashkisë së Tiranës. A e mendoni se çfarë do të ndodhi të nesërmen?! Po të sjell në vëmendje disa alternativa të mundshme. Njerëzit e opozitës do të jenë në rrugë. Deputetët e PS-së mund të lënë mandatet. Mund të braktisin edhe pushtetin lokal dhe, hajde merre vesh se si mund të shkojnë punët?! Pa do të fillojnë të të sulmojnë për ngjarjet e 21 janarit. Dhe çdo ditë përpara dritares së zyrës do të kesh parullat "Vrasës". Do të të sulmojnë për çështjen e akuzës ndaj teje për shpërdorim të fondeve publike mbyllur për procedurë në Gjykatën e Lartë. Do të të sulmojnë për çështjen e humbur në arbitrazhin ndërkombëtar dhe detyrimin 10 milion $ si penalitet sepse ju prishte kontratën me "General Electric". Do të të sulmojnë për "marrëveshjen e ujërave detare me Greqinë"! Do të të sulmojnë për prishjen e mbikalimit tek "Zogu i Zi" dhe humbjen e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Do të fillojnë të të zbulojnë fryrjen e listave të zgjedhësve me të ardhur të përkohshëm, vetëm për ditën e zgjedhjeve. Mediat investigative do të t'i ndjekin ata zgjedhës, banorë "efemerë" të kryeqytetit se ku ndodhen sot pas zgjedhjeve, se ku banojnë dhe sa janë gjithsej. E nëse rezultojnë me mijëra, atëherë do të rezultojë se "marrëveshja e besimit" që vendos vetëm ai që i fiton zgjedhjet, në rastin tënd nuk do të funksiononte sepse, ju nuk do të ishit përfaqësues i shumicës së zgjedhësve por i pakicës. Në këto rrethana "tirania e shumicës" si edhe e quajti John Milly (ju e keni studiuar në universitet në Holandë) shumicën fituese në zgjedhje, do të rezultonte "Tirania e pakicës. Ju e kuptoni se këto lloj "tiranish" nuk kanë lidhje me shoqërinë demokratike dhe sistemin e saj. Do ta kesh të vështirë të shkosh në ato vende që kanë fituar socialistët dhe kjo do të izolonte në një mënyrë të pakëndshme. Do të të ndodhi që "ndërkombëtarët" të zhgënjyer nga ky lloj mandati i yti, të të fikin celularin dhe të të "izolojnë me heshtje" dhe kjo është e trishtueshme. Si thuhet "jam i dënuar dyfish se jam i dënuar me braktisje". Zoti Basha edhe me të tutë nuk do t'i kesh ditët të paqta. Do të kujtojnë jashtë syve dhe veshëve publik, se ti nuk fitove vet, unë/ne të bëmë fitues, ndaj na kthe rastin! Kështu do të futesh në një vendimmarrje interesash për leje ndërtimi dhe favore të tjera e në këto rrethana asgjë nuk do të mbetet për ata që ti i quajte në fushatën elektorale "Ju jeni të parët", "Tirana është e para". E përse e gjitha kjo? Ju zoti Basha jeni në fillim të karrierës politike dhe është pozitive se nuk keni as "faturë politike" as e ndonjë lloji tjetër" inteligjent" nga e shkuara komuniste! Ky curriculum është një aset serioz. Por ju keni edhe një të dhënë më shumë nga disa të tjerë. Ju vini nga Perëndimi që edhe Shqipëria të kulturizohet si një vend perëndimor dhe t'i largohet "orientalizmit" ndaj tërhiquni sot me një deklaratë shumë të thjeshtë "Për interesat e vendit dhe të stabilitetit, të integrimit europian, bazuar edhe në faktin e një vakuumi ligjor, deklaroj se tërhiqem nga investigimi i mëtejshëm i votimeve të panumëruara. Ky proces le të vijojë për statistik dhe për të mbledhur një material elektoral që do të na shërbej për përmirësimet e mëtejshme në Kodin dhe gjithë procesin zgjedhor. Njoh zotin Edi Rama si fitues dhe i uroj suksese në punën e tij. Unë bazuar në matematikën e votave kam marrë më shumë se ai, ndaj as ju që më votuat, as unë që morra votat tuaja nuk jemi të humbur! Ky gjest unikal, do t'iu fuste në histori me një kosto maksimale të hipotekuar për të ardhmen tuaj politike, e cila fillimisht do të duhet të jetë personale, familjare si edhe Ju jeni shprehur dhe, mandej partiake apo më gjerë koalicioniste. Po e mbyll letrën me një shprehje latine "Fola dhe shpëtova shpirtin tim". Në rastin tuaj do të konvertohej "E bëra dhe shpëtova vendin tim". Të faleminderit për mirëkuptimin!
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›