E Shtunë, 31 Tetor 2026

KËMBËSOR NË TË PANJOHURËN

MOIKOM ZEQO

Shënime për librin “Këmba e të Panjohurës”, të autorit Krenar Zejno, botimi i “Zenit 2011”.

Në vitin 1837, Balzaku boton “Kryeveprën e Panjohur” (“Le Chef-d’œuvre Inconnu”). Në eposin kolosal balzakian ky libër është vërtet një kryevepër dhe së bashku me “Lëkurën e Shangrenit” përvijojnë një stil tipologjik të reales dhe meditimit metafizik të jashtëzakonshëm. Me këtë dyshe Balzaku përngjan me Swift-in. Kjo duket e çuditshme, krijohet ideja që ka disa Balzakë brenda Balzakut të vetëm. Një studim subjektor do të ishte detyrimisht krahasimtar. Realizmi i Balzakut e kapërcen tipologjinë e Molierit, që ka formën e stigmatizimit shoqëror, arratiset dhe vërtitet në dimensionin e fantazisë po aq përvëluese, shumëfish më demaskuese.

Habitërisht, të dyja veprat e përmendura më sipër kanë një mjedis faustian, por përqasen dhe me botën hibride dhe përrallore të Hoffman-it. Kush ka lexuar “Leksionin e violinës” të Hoffman-it” mund të parakuptojë një komunikim, madje një ndikim tek “Kryevepra e Panjohur”. Kjo është shprehje e një ekumenizmi letrar dhe artistik.

Në vitin 2011, shkrimtari dhe miku im, Krenar Zejno përkthen nga frëngjishtja dhe boton si libër më vete “Kryeveprën e Panjohur”. E shoqëron me një parafjalë të shkurtër, një “Honoris Honores”. Shkurt dhe saktë. Por e ndjen në vetvete se ka një mungesë akoma më të thekshme të të shprehurit dhe të meditimit. Kështu bën një gjë që ndodh rrallë. Shkruan një libër eseistik, të cilin e quan “Këmba e të Panjohurës”, që e boton në njëkohësi me librin e Balzakut të shqipëruar. Shqipërimi është një proces identifikimi, një kapërcim linguistik nga një gjuhë në tjetrën. Nuk është një mekanikë e ftohtë, është identifikim i krijuar. Tepër i ndërlikuar. Zejno ka bërë një punë të lavdërueshme. Ai di që teksti balzakian mund të pllenojë një shumësi librash. Kështu ai e shkruan vetvetiu, por dhe si një predikat të shqipërimit librin “Këmba e të Panjohurës”. Në këtë rast dua të shpreh disa mendime pikërisht për këtë libër.

Krenar Zejno është një autor i librave me poezi, me prozë të gjatë (romane) dhe ese. Ai është drejtuesi i Galerisë së Artit “Zenit”, kurator ekspozitash figurative, njohës i shumanshëm i historisë së artit. Meqë subjekti i Balzakut merret me historinë e një tabloje enigmatike të piktorit Frenhofer, në mjedisin e një studioje që shndërrohet në një skenë teatrore midis këtij piktori enigmatik dhe dy piktorëve të tjerë, Nicolas Poussin dhe shoqëruesit të tij Probus. Subjekti është dialogik. Diçka platoniane por me një zhvendosje në kohë. Nicolas Poussin qe ylli i artit të renesancës franceze , antiklasicist, madje i frymëzuar nga një shpirt gnostik dhe alkimik, plot simbole që vazhdojnë të interpretohen skajshëm ende dhe sot. Diskursi lojcak stimulon kuptimshmërinë e artit. Frenhoffer-i është një plak demoniak. Tamam një personazh i Hoffman-it, ose një fantazmë e Durrerit, mund të përfytyrohet edhe si një shtetas i muzeut imagjinar të Andre Malrax. Frenhoffer, me vështirësi dhe dyshim bindet që ta tregojë kryeveprën e tij, të cilën e mbante të mbuluar. Çfarë ishte ajo? Kinse figura e një gruaje, e një Afërdite nudo. Një imazh që kishte pësuar një sforcim të përsosjes dhe ripërsosjes së gjatë. Një tablo që i fashiste të tëra efektet, një katrahurë të pakuptueshme. Dhe në fund, me një qartësi verbuese, sfida e një këmbe femre, mes rrëmujës së ngjyrave, toneve dhe mjegullnajës paformë. Një këmbë e hijshme, një këmbë e gjallë, fragmenti magjik i shpëtuar nga një shkatërrim i pafre, i pareshtur. Kjo këmbë qëndronte si një statujë prej mermeri të bardhë të Parosit, ngritur mes gërmadhave të një qyteti të shkrumbuar, të një Atlantide të humbur dhe të paribëshme më. Subjekti i Balzakut duket se përfundon me një shajni, ose kulmohet si një marrëzi. Krenar Zejno veçon gjithçka dhe e kap si çelës konceptual pikërisht këtë këmbë të spikatur, këtë figurë me ndjesi të shumëfishtë, duke e mbiquajtur si “Këmba e të Panjohurës”. Cila e Panjohur? Këmba e një trupi që nuk është? Trilli krijues i piktorit shtrigan? Një fragment i prerë nga një kirurgji makabre apo vetë Këmba e të Panjohurës së Madhe? Ky është çelësi konceptual i librit të Zejnos.

Këmba në simbologji është tepër e rëndësishme. Mos të harrojmë këmbën e famshme të Akilit. Tërë trupi i Akilit qe i pavdekshëm, por këmba qe e vdekshme. Mos të harrojmë gjithashtu figurën e Këmbës së Budës në misticizmin indian, apo në medicinën e sofistikuar të kinezëve të vjetër. Këmba si një koncentrim i tërë trupit njerëzor. Këmba që është shprehja e kthimit të majmunëve antropomorfë në homo sapiens. Këmba, e cila na mban vertikalisht në ecje. Këmba e Kristofor Kolombit që preku kontinentin amerikan që nuk njihej më parë. Këmba e kozmonautit Armstrong në sipërfaqen e Hënës. Asnjëherë nuk mund të arrijmë diku pa e shkelur të Panjohurën me këmbën tonë. Përpara gjithmonë e kemi të Panjohurën. Tërë jeta është një odiseadë për të arritur të paarritshmen. Ky është një shtegtim që nuk mbaron. Është një amshim lëvizës. Nëse ekziston e bukura e pikturuar, atëherë për simetri, ose për asimetri, ekziston edhe shkrimi i pikturës, si pikturë e shkruar, ose si ngjyrë e artikuluar në gërma. A është Bukuria një kategori onirike? A kemi të bëjmë me një gjuhëzim, një linguistizim të artit pikturik? E, nëse ne e shikojmë qartë natyroren, përse përmes saj kuptojmë edhe diçka mbinatyrore?

Sipas Nietzche-s, imazhi është një gënjeshtër e dukshme. Deti mund të duket, por peshqit që nuk duken janë gjithashtu ekzistencialë dhe të pranishëm. Le të shohim një portret, fjala vjen të Rembrandit ose të Van Gogut, por ne nuk dimë se ç’ka nën lëkurë. Po të shihen atlaset anatomike nën lëkurë ka botëra të tëra nervash dhe muskujsh, indesh prej gjaku dhe limfe që sytë tanë nuk i shohin dot. Pra imazhi është gjithmonë një sipërfaqe? Për Zejnon, imazhi ka thellësi me dukshmëri të ndryshme nga sipërfaqja. Ka një pluhuritet kuptimor mbi trinitetin Jetë-Dashuri-Art. Midis një estetike natyrore dhe një estetike metafizike mund të zbulojmë sovranitetin e metafizikës përtej shqisave, por jo përtej mendjes. Mund të zbulojmë gjithashtu sekretin e artit të ribërë mbi artin. Pra, e Panjohura e Madhe lidhet me një shumësi. Ajo nuk është e thjeshtë. Zejno në librin e tij bën një udhëtim mendor midis nocioneve dhe termave, për të treguar aventurën e kuptimeve, dramën e kualitetit të thekshëm artistik të krijuesit me krijimin. Fiziciteti i pikturës është edhe zanafillë e shpirtërores. Vetë Balzaku është një shëmbëlltyrë e patjetërsueshme: një gjuhëtar i ngjyrës dhe një ngjyrues i fjalës. Kriticizmi, vaniteti i luksit të jashtëm përleshen, kundërshtojnë dhe plotësojnë. Sipas filozofit të përkorë dhe sanguin, erudit dhe skeptik Baudrillard, arti është një simulim por që mund të përfundojë në një simulacrum. Për Zejnon, “Kryevepra e Panjohur” është një mitos letrar mitologjik me shpirt prometeik. Andre Bretoni është shprehur se çdo pikturë është dritare: shihet peizazhi, por jo bota e molekulave. Çdo pikturë është një intelektualitet sinkretik i pamohueshëm. E Panjohura na grish, bëjmë ta arrijmë, sfilitemi, dhe ndalemi përherë në prag pa e kapërcyer portën. Ka një sintaksë të pikturës, por ka edhe përshkrime pa sintaksë. Këmba e të Panjohurës del nga kaosi, kaosi është universal, por jo pa simbole përfaqësuese. Në këtë kuptim çdo meditim bëhet, sipas thënies së Arthur Rimbaud, në “le paysage interierur (“peizazhin e brendshëm”)”. A ka komunikim në këtë rast? Padyshim që ka. A nuk ka pasur komunikim njeriu me njeriun në “botën jopamore të telefonit”? Në kohën e sotme është shtuar Skype. Por telefoni ende nuk ka vdekur. Libri i Krenar Zejnos tipologjikisht është një ese ballafaqimi. Krahasimtaria si funksion në këtë libër lidhet me emra artistësh dhe kryeveprash të figuratives. Ky meditim është më tepër estetik. Gjithmonë ka ekzistuar një projekt i një “fiziologjie të artit, ose një anatomi të krahasuar artistike”. Çdo analizë bën një çmontim në rendin konceptual. E nëse estetika natyrore është një shkencë e shqisave, estetika moderne është dialektika e virtualitetit mendor. Libri përmbajtësohet në katër kapituj: 1) miti personazh-personazhi mit, 2) klasikë modernë-modernë klasikë, 3) subjekti objekt-objekti subjekt, 4) imazhi tekst-teksti imazh.

Në fund përmbyllet me një “Epilog mes asgjësë dhe asgjësimit”. Ky libër përmban dhe një koleksion imazhesh me ngjyra të disa kryeveprave pikturike të Botiçelit, Tizianit, Veronezes, Xhiorxhiones, Karavaxhos, Rafaelit, Holbeinit, Dyrrerit, Rembrandit, Mabusit, Porbusit, Pusenit, Dalakruait, Turnerit, Sezanit, Pikasos dhe Magrittit. Të shkruarit në eseistikë e parakupton praninë e imazheve të mjeshtërve të mëdhenj. Për mendimin tim, libri i Krenar Zejnos përbën një model të shkruari. Ky libër është arritja më e mirë, më e spikatur, më konceptuale e deritanishme e krijimtarisë së tij. E përshëndes këtë libër edhe për shkak se mungesa e librave të tillë të ngjashëm në kulturën shqiptare është shprehje e formimeve të cekëta kulturologjike. Diçka po ndryshon. Qytetërimi pikturim dhe ai letrar nuk janë gjë tjetër veçse e njëjta kozmogoni estetike. Zejno, midis një shqipërimi dhe një meditimi, ka bërë sfidën e tij intelektuale. Nuk ka vështirësi për t’u kuptuar. Përkundrazi. Në kohën e sotme të demonizuar nga politika, populizmi dhe mediokriteti, por dhe nga kiçkultura dhe nga bestselerizmi idiot i librave, libra të tillë si “Këmba e të Panjohurës” nuk mëtojnë të jenë traktate dogmatike, apo skena të gatshme mendore. Ato janë ngacmime, krijojnë vatra inkandeshente që e asgjësojnë plogështinë. Bëhen shkak për një liri më të madhe të të menduarit dhe ftesa elegante për një kuptimshmëri më universale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›