E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një libër për të kuptuar Shqipërinë

Historiani Bernd Fischer, një ndër ekspertët më të njohur për çështjet shqiptare, promovoi në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës librin e tij më të fundit mbi Shqipërinë, “Shqipëria 1943-1945”, një vështrim përmes dokumenteve perëndimore.

“Ky është një libër i bazuar në dokumente, por dy dokumente mendoj se janë kryesore për të kuptuar Shqipërinë në atë periudhë. Janë të mbushura me statistika, por edhe i japin një pikëpamje të veçantë; atë amerikane dhe gjermane për Shqipërinë. Ajo që më bëri përshtypje është se këndvështrimet janë të ndryshme dhe parashikimet për të ardhmen janë të ndryshme.

Mendoj se dokumentet na bëjnë të kuptojmë rëndësinë e përdorimit të tyre”, kështu u shpreh historiani Bernd Fischer, një ndër ekspertët më të njohur për çështjet shqiptare, i cili promovoi në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës librin e tij më të fundit mbi Shqipërinë, “Shqipëria 1943-1945”, një vështrim përmes dokumenteve perëndimore. Autori i ka vlerësuar si të dobishme dokumentet e huaja dhe ndër më kryesoret për periudhën në fjalë janë materialet britanike, gjermane dhe në një shkallë më të vogël disa materiale amerikane, pjesërisht sepse ai është shumë i gjerë.

Po përse ka ngjallur interes kjo periudhë për studiuesin Fischer? Ja si e shpjegon ai: “Periudha e shkurtër nga viti 1943 deri në vitin 1945 ishte një periudhë kritike për Europën, që dëshmoi për betejat e mëdha përfundimtare të Luftës së Dytë Botërore, humbjen e Italisë dhe Gjermanisë, fazat e para të rimëkëmbjes pas luftës dhe fillimin e një epoke të re.

Edhe për Shqipërinë kjo periudhë e shkurtër kohe pati një rëndësi monumentale dhe në të vërtetë këto vite vendimtare ishin akoma më të rëndësishme për Shqipërinë. Ato ishin dëshmitare të ikjes së italianëve, të ardhjes së gjermanëve dhe të pushtimit gjerman, fundit të mbeturinave të regjimit të vjetër, pjekurisë së lëvizjes së rezistencës, ndërhyrjes së aleatëve, fitores së komunistëve dhe ngritjes së regjimit të Hoxhës, që do ta qeveriste Shqipërinë me grusht të hekurt në 45 vjetët e ardhshëm. Ndërkohë që pjesa më e madhe e Europës i ka hedhur pas krahëve luftërat e kësaj periudhe, Shqipëria nuk i ka lënë ende. Ne sot jemi ende dëshmitarë të debateve mbi këtë periudhë. Ajo është e pranishme jo vetëm në debatet lidhur me krijimin e imazhit të shqiptarëve për vete si popull dhe si shtet, por mbetet e rëndësishme edhe në debatet e sotme politike. Në një farë mënyre, në Shqipëri, periudha nga viti 1943 deri në vitin 1945 është ende një pjesë vitale e peizazhit kulturor dhe politik të shekullit të njëzet e një”.

Dokumentet britanike në këtë libër mungojnë deri diku për periudhën 1939-1942, për shkak të pranisë së kufizuar britanike, por me futjen e një baze të agjentëve të drejtorisë së operacioneve speciale, duke filluar nga viti 1942, dokumentet britanike bëhen shumë të dobishme, si për statistikat e kufizuara, ashtu edhe për analizën në terren. Materialet dokumentare gjermane dhe britanike janë provuar shumë të dobishme për thellësinë e tyre dhe të paktën, në rastin e Gjermanisë, për vëllimin e madh të materialit në përdorim.

“Libri ka dy komponentë të rëndësishëm; raporti i shefit të misionit amerikan në Shqipëri në vitin 1945, diplomati amerikan kryesoi misionin amerikan për të investiguar nëse qeveria amerikane do të njihte qeverinë komuniste pas Luftës së Dytë Botërore dhe i dyti një dokument gjerman i Vermahit. Botohen për herë të parë dhe janë të dobishme për historianët, studentët e historisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare. Mendoj se është një kontribut i duhur që vjen në kohën e duhur, në kontekstin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, që është moment për të celebruar, por edhe për të reflektuar”, u shpreh Albert Rakipi, drejtori i AIIS (Instituti shqiptar për studime ndërkombëtare), gjatë promovimit të librit.

“Prof. Fischer gjatë këtyre ditëve, por edhe më parë, ka guxuar të parashtrojë hapur shumë qartë dhe drejtpërdrejt pikëpamjet e tij mbi zhvillimet politike në Shqipëri, për tranzicionin shqiptar”, tha në fjalën e tij rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj.

Periudha e shkurtër nga viti 1943 deri në vitin 1945 ishte një periudhë kritike për Europën, që dëshmoi për betejat e mëdha përfundimtare të Luftës së Dytë Botërore, humbjen e Italisë dhe Gjermanisë, fazat e para të rimëkëmbjes pas luftës dhe fillimin e një epoke të re. Edhe për Shqipërinë kjo periudhë e shkurtër kohe pati një rëndësi monumentale dhe në të vërtetë, këto vite vendimtare ishin akoma më të rëndësishme për Shqipërinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›