Një “like” për “patriotin” Berisha në Facebook
Petrit Qejvani/Qytetar
-Nuk është hera e parë që Himara prodhon incidente me theks etnik. Dhe kjo aspak për faj të himarjotëve, por për shkak të mungesës së autoritetit të shtetit shqiptar në këtë zonë pastërtisht shqiptare, me identitet dhe histori të spikatur shqiptare. Por edhe të disa shqiptarëve gjakprishur, të paguar dhe manipuluar nga qarqe antishqiptare në Greqi. Dhe këtu të jemi të saktë: nuk është fjala se këta ushtarë të marrosur të shovinizmit dhe Megali Idesë do “marrin” Himarën. Ne këtu gjykojmë frymën që i frymëzon ata dhe pasivitetin e strukturave shtetërore. Ne nuk themi t’i shpallim luftë Greqisë, por të reagojmë kur duhet reaguar. Ata nuk duhen mbivlerësuar, por as nënvlerësuar. Si kushdo që shkel ligjet e vendit, edhe ata duhen ndëshkuar. Në këtë rast ajo që të habit më tepër është reagimi në Facebook i kryeministrit pseudopatriot Berisha, i cili, më në fund, kujtohet të deklarojë në FB se në Himarë nuk ka minoritet grek. Sikur këtë deklaratë ta bënte ndonjë qytetar i zakonshëm, do të quhej diçka normale, për shkak se qytetari aq ka në dorë.
Mirëpo këtë e bën kryeministri i vendit, i cili ende mburret që ka çelësat e qeverisë në dorë dhe merr vendime prej të “forti” dhe jokushtetuese me një kokëfortësi provinciale. Ndërsa mbahej ky mort-miting, Berisha disa pashë më tutje lahej në Dhërmi, në përpjekje për të larë gjynahet e tij dhe nuk i dëgjonte live thirrjet e tyre shovinisto-raciste. Dhe policia e tij ndiqte indiferente ceremoninë përkujtimore mortore të shndërruar në një miting antishqiptar. Tamam një vend pa zot! Ky shtet, së paku në raportet me Greqinë, e ka humbur sovranitetin mbi territorin ë tij, jo vetëm në Himarë, por në krejt jugun shqiptar. Dhe ky është në rastin më të mirë një turp për ata që qeverisin dhe i nxjerr kallajin “patriotizmit” të tyre dhe ‘kryepatriotit” Berisha. Ai që në 100- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë kombëtare foli për Shqipërinë nga “Presheva në Prevezë” nuk “mbron” dot Himarën, edhe kur është kaq pranë saj fizikisht!.. Dhe kjo, për faj të grekëve?! Ku është parë të vijë tjetri në shtëpinë tënde dhe të guxojë të të shajë? Por kjo ka ardhur gradualisht, pas lëshimesh të njëpasnjëshme nga shteti shqiptar. Kur vjen Kryeministri Karamanlis në Tiranë dhe në konferencën për shtyp me kryeministrin shqiptar Berisha nuk lejohen gazetarët të drejtojnë pyetje për Çamërinë, nuk besoj se kjo tregon patriotizmin e Berishës! Vjen miku, por ai nuk mund t’u mbyllë gojën të zotëve të shtëpisë.
Dhe patriotizmi kallp i Berishës e arrin kulmin dhe demaskohet keq me faljen apo shitjen (historia do ta thotë përse u bë kjo) e 350 km2 det Greqisë, marrëveshje të cilën e anuloi Gjykata Kushtetuese në një votim historik 9 me 0. Dikur Berisha shante Nanon si filogrek, kur ai nisi bisedimet për varrezat ushtarëve grekë në Shqipëri (ai ra dakord për 2 varreza), ndërsa patrioti Berisha e bitisi duke iu lejuar grekëve ndërtimin e 4 varrezave të tilla!..Edhe në rastin e fundit në Himarë Berisha tregon se nuk e ka seriozisht me ato që thotë në FB. Neofashistët karagjozë grekë duhej të ndaloheshin të hynin në Shqipëri. Edhe nëse nuk njiheshin si fashistë, kur vepruan si të tillë në ceremoninë në varreza duhej të ndaloheshin dhe, konform ligjeve, të dënoheshin. Ky është shteti, dhe një shtet të tillë duan qytetarët shqiptarë. Një shtet që të mbrojë dinjitetin dhe autoritetin e tij dhe qytetarëve të tij, jo vetëm brenda territorit të vet, por edhe jashtë tij. Patriotizmi nuk është doemos heroizëm. Ai shfaqet përditë. Prandaj ne kemi nevojë për një shtet që të mbrojë qytetarët e vet kudo që ata ndodhen apo jetojnë. Dhe jo një shtet butaforik, që e provokojnë dhe ca rrugaçë ordinerë. Dhe që të kemi një shtet të tillë, më parë duhet që të kemi shtetarë patriotë.