Një mbrëmje dashurie me Lasgushin
22/02/2012 Një guackë, një varkë, një liqer… Një natë dashurie me poetin e dashurisë Lasgush Poradeci. Një tufë nimfash dhe një sfond poetik. Është ky imazhi që do të përcjellë mbrëmja e sotme poetike, kushtuar lirikut më të madh të dashurisë, Lasgush Poradeci në Qendrën Kulturore “Tirana” (Teatri i “Metropolit”). Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, ky projekt i inicuar nga drejtoresha e kësaj qendre Suela Konjari, shënon natën e dytë të poezisë, pas asaj të Naim Frashërit që u organizua në muajin janar. Sipas organizatorëve, kjo mbrëmje poetike do të tejkalojë perceptimin e thjeshtë të fjalës dhe të emocionit që përcjellin vargjet e vetë Lasgush Poradecit. “Sepse aty ka ngjyra jete, ngjyra dashurie, ngjyra të vërteta”, shprehet Arjeta Dhima, regjisorja e mbrëmjes poetike, duke shtuar se “në këtë performancë do të gërshetohen së bashku arti i fjalës, muzika dhe kërcimi. Duke marrë ngjyrime të këtij lloji ne shohim një performancë ndryshe, një Lasgush më të larmishëm”. Duke qenë se ky poet i referohet pafundësisht ndjenjës njerëzore dhe romancës, mbrëmja është konceptuar e tillë, ku përveç intepretimit të poezive do të ketë interpretim edhe nga vetë aktorët, (Yllka Mujo, Fatos Sela, Kastriot Rramollari, Rozi Kostani dhe Anila Bisha) të shoqëruar nga interpretimi brilant në violinçel nga Iljard Shaba dhe nga dy balerinët Endrit Shkoza dhe Ernet Miolli. “Në platformën skenike do të kemi një guackë të madhe në mes të skenës dhe disa valë liqeni. Nga e gjithë kjo ne perftojmë një peisazh dhe qasje të ambientit ku vetë shkrimtari është frymëzuar. Vetë Lasgushi, aty pranë, i shoqëruar nga miku i tij më i ngushtë. Ndërkohë do të shoqërohen nga muzika e luajtur në violinçel. Tri femrat supozohen të jenë në ujë dhe nga aty do të interpretojnë. Në ujë gjithashtu do të jenë edhe dy djemë, të cilët plastikisht do të perfomojnë mbi poezitë dhe interpetimin e aktorëve”, shpjegon konceptimin regjisorial Arjeta. Ndërkohë edhe veshjet e realizuara nga Enisa Arapi në bashkëpunim me Shpresa Bakon, janë përshtatur të gjitha në frymën lasgushiane. Lasgushi, i interpretuar nga Kastriot Rramollari do të jetë i veshur me kostumin e tij karakteristik dhe me kapele republike. Tri femrat do të përcjellin idenë e nimfës së ujit, të veshura me fustane të bardha lisho. Dy balerinet me bustin zhveshur dhe pantallonë të bardhë të lirshëm. “Për mua Lasgush Poradeci është dashuria vetë. Kjo performancë është shumë interesante dhe sjell vetë liqenin. E tëra është konceptuar gjysmë në liqen dhe gjysmë në vargun poetik. Liqeni personifikon lirinë, dashurinë dhe njeriun, ku ky i fundit ka shumë nevojë për liri dhe dashuri. Nëse ka njërën dhe nuk ka tjetrën asnjëra prej tyre nuk shkon dot. Vargjet e poezive do të performohen dhe me lëvizje aktoriale. Do të ndërtohen mizanskena do të kemi dhe balerinë”, tregon Rozi Kostani. Për këtë mbrëmje poetike janë përzgjedhur rreth 16 poezi, ndër të cilat “Vdekja e Nositit” me të cilën do të çelet edhe mbrëmja, “Poradeci”, “Dremit Liqeri”, “Ti po vjen që për së largu”, “Kënga Pleqërishte”, etj. “Kemi punuar me përkushtim për të deshifruar, për ta sjell tingullin, verbin, imazhin, nuancat, ngjyrën e vargut të tij dhe mendoj se risjellja në Teatrin e “Metropolit” është konfirmim që poezia e Lasgush Poradecit mbetet sot e kësaj dite e përjetë e mot, një burim frymëzimi dhe moment krenarie për gjithësecilin”, shprehet aktori Kastriot Rramollari.