E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një mbrëmje kushtuar poetit Janis Ricos

"U lindëm që të takoheshim", titullohet mbrëmja poetike kushtuar poetit grek, Janis Ricos (1909-1990), në 100-vjetorin e lindjes. Në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar nesër në mbrëmje, në orën 20:00.


Ambasada Greke së bashku me Fondacionin Grek të Kulturës, organizojnë një mbrëmje përkujtimore në nder të poetit. Një film dokumentar mbi jetën dhe veprën e Ricos-it, disa kumtesa nga Besnik Mustafaj, Perikli Jorgoni dhe Janis Vojaxi, muzikë nga kuarteti "Promus" dhe poezi është programi që ofron kjo mbrëmje.


Poezitë e Ricos-it në gjuhën shqipe interpretohen nga aktorët Sesilia Plasari, Marsela Lena dhe Bujar Asqeriu, ndërsa do të shoqërohen nga muzika që kompozitori grek, Mikis Theodorakis, kompozoi i frymëzuar mbi vargjet e tij. E gjithë kjo mbrëmje vjen nën regjinë e Andon Koços.


Për lexuesin shqiptar, Janis Ricos është i njohur më vëllimin e tij poetik, "Poezi e zgjedhur ballkanike".


Ricos-i lindi në Monemvasia të Greqisë, më 1 maj 1909. Në vitin 1931 afrohet me Partinë Komuniste të Greqisë si një komunist me bindje, por jo i verbër.


Më 1936-ën shkroi poemën "Epitafi", ku shfrytëzon formën e poezisë tradicionale dhe shpreh në një gjuhë të thjeshtë dhe të qartë mesazhin e vëllazërisë.


Muzika që Mikis Theodhorakis kompozoi mbi këto vargje do të ishte shkëndija revolucionit kulturor në Greqi.


Më pas Ricos krijoi "Kënga e motrës sime" (1937), "Simfonia e pranverës" (1938), që frymëzoi kompozitorin Theodorakis për të krijuar simfoninë me të njëjtin titull,
"Një mazurka e vjetër për ritmin e shiut" (1942). Në vitet 1967-1971, junta ushtarake e detyron të largohet nga vendlindja.


Kjo nuk e pengoi të krijojë i frymëzuar nga mitologjia greke: "Persefoni" (1965-1970), "Agamemnoni" (1966-1970), "Ismena" (1966-1971), "Ajaksi" (1967-1969), "Helena" (1970-1972), "Kthimi i Ifigjenise" etj. Në vitet '80 Ricos-i i dedikohet prozës. Kështu, nëntë libra të tij publikohen me titullin "Ikonostasi i shenjtorëve anonimë (1983-1985). Vdiq në Athinë, më 11 nëntor 1990.

"Rajmonda" dhe "Spartaku", sonte premiera


Premiera e fundit që Teatri i Operës dhe i Baletit propozon për këtë sezon janë dy suita nga veprat koreografike "Rajmonda" dhe "Spartaku". Sot, në orën 19:00, në TOB, koreografi dhe balerini, Leonard Xhokaxhi (Ajkun) prezanton versionin e tij të veprave. Interpretojnë Erisa Gina, Astrit Zejnati, balerinët e "Ajkun Ballet Theatre", Se Jong Kim dhe Marie-Lorene, si dhe trupa e baletit të TOB-it.


Shpejtësi marramendëse në "Millenium"


Filmi i katërt i sagës "Fast& Furious" shfaqet sot premierë në kinemanë "Millenium". Filmi me regji të Justin Lin rikthen këtë herë aktorin Vin Disel për të sjellë adrenalinë për të gjithë ata që adhurojnë garat e makinave. Interpretojnë aktorët që e kanë sjellë "Fast& Furious" në serinë e katërt Paul Walker, Michelle Rodriguez, Jordana Brewster, si dhe Laz Alonso dhe modelja izraeliane, Gal Gadot.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›