Bilanc i përgjakshëm në kryeqytet, 3 të vdekur 5 të plagosur
Aksidentet në rrugët e Tiranës kanë shkaktuar tetë viktima, policia arreston autorët e shkeljeve ngjarjeve
TIRANË - Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur në tre aksidente të ndryshme të ndodhura gjatë 48 orëve të fundit në Qarkun e Tiranës. Viktima e parë e aksidenteve është 86- vjeçari Hasan Mema me banim në Tiranë, i cili është përplasur për vdekje afër Spitalit të Fëmijëve në rrugën "Kongresi i Manastirit".
Sipas burimeve zyrtare të Policisë, autori i këtij aksidenti, Nelson Petriti, 26 vjeç, me banim në Tiranë, i cili po drejtonte motorin tip "Suzuki", pasi ka aksidentuar për vdekje të moshuarin është larguar nga vendi i ngjarjes, por pak orë pas aksidentit është kapur nga punonjësit e Policisë Rrugore.
Motori i 26- vjeçarit është sekuestruar nga Policia në momentin e arrestimit dhe ndaj tij përveç akuzës së shkeljes së rregulave të qarkullimit me pasoja, rëndon dhe ajo e largimit nga vendi i aksidentit. Aksidenti tjetër me pasojë vdekjen e një 33 -vjeçari nga Kosova ka ndodhur në fshatin Yrshek.
Bajram Amza, lindur në Gjakovë dhe banues në Francë , ka qenë duke udhëtuar si pasagjer në një makinë tip "Benz", me targa të Durrësit, ku rreth orës 5 00 të mëngjesit të djeshme makina e drejtuar nga Dashnor Meraja ka përfunduar në një kanal.
Si pasojë e humbjes së kontrollit të automjetit ka gjetur vdekjen kosovari dhe janë plagosur dhe tre persona të tjerë. Drejtuesi i automjetit tip "Benz" është arrestuar në flagrancë nga Policia e kryeqytetit me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Aksidenti tjetër me pasojë vdekjen e një 18- vjeçari ka ndodhur në aksin rrugor Vorë- Fushë- Krujë.
Andrit Prenga, banor i fshatit Bilaj të Fushë- Krujës, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi motori tip "Honda", ku udhëtonte është përplasur nga një kamion me targa tirane, i drejtuar nga Agim Gjyzeli. Nga përplasja është aksidentuar dhe drejtuesi i motorit Leonik Doda, 21 vjeç, me banim në Fushë- Krujë.
Një tjetër i plagosur në serinë e gjatë të aksidenteve gjatë fundjavës është dhe 29- vjeçari Adenis Laho, me banim në Tiranë. Ky i fundit është aksidentuar në rrugën "Qemal Stafa", duke drejtuar motorin tip "Honda", i cili ka dalë nga rruga dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.