Një mesazh sprove për Edi Ramën
Naser Pajaziti / Publicist
Çfarë janë këta barbarë primitivë? Kjo është e patolerueshme”, ishte ky reagimi i fortë i liderit të PS-së, Edi Rama në dhjetorin e dy viteve më parë në Shkup, para një grupi intelektualësh kureshtarë shqiptarë të Maqedonisë. Rama me stilin e zakonshëm e shprehu reagimin e tij kundër politikave të pushtetit të Nikolla Gruevskit në raport me shqiptarët në Maqedoni. Por ky mesazh a do të jetë në koherencë me të sotmen, kur tashmë Rama do të jetë kryeministri i ri shqiptar? Shqiptarët në Maqedoni, të mbërthyer nga një dozë rezerve nga fitorja e të majtës dhe nga reagimi emotiv i humbjes dhe largimit të Berishës, janë shumë kureshtarë për të njohur diskursin politik të Edi Ramës si kryeministër i ri.
Programi pompoz “Rilindje” në planin e politikave rajonale, nënvizon edhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, ku theksohet se “ato janë pjesë e rëndësishme e stabilitetit demokratik të Maqedon-isë, e mozaikut të çështjes shqiptare në Ballkan, dhe prioritet konstant i politikës sonë të jashtme në rajon”. Por, a mjaftojnë këto rreshta të nënvizuara në relacionet me vendin fqinj, Maqedoninë? Qeverisja e re në Tiranë ka nevojë emergjente për një qasje dhe faqe të re në raport me shqiptarët në Maqedoni dhe qeverisjen e këtij vendi të dominuar nga politikat diskriminuese dhe përjashtuese të partisë VMRO-DPMNE të Nikolla Gruevskit. Politika e kamuflimeve të fqinjësisë së mirë, rezistimi ndaj avancimit të çështjeve të hapura të shqiptarëve dhe zvarritja në vazhdimësi për të implementuar plotësisht “Marrëveshjen e Ohrit” janë problematikat që duhen parë me një sy tjetër dhe kërkojnë një revidim përmes një diplomacie të bazuar në argumente dhe prakticizëm, por edhe përmes demistifikimit dhe deshifrimit të kësaj politike.
Faktori shqiptar në Maqedoni, një stereotip që në rrethana të ndryshme ka vepruar dhe mbijetuar si pjesë e pushteteve dhe si opozitë, është adresimi i parë, që kërkon një vëmendje dhe diskutim më të qartë nga Tira-na. Duke parë realitetin e vazhdueshëm të pësimeve dhe dobësive të politikanëve shqiptarë në Shkup në raportet dhe partneritetet joluajale me faktorin politik maqedonas, sidomos në planin e ndarjes së pushtetit, nevojitet një mbështetje dhe inkurajim për ta, por në raste përjashtuese edhe sinjale ndërgjegjësimi që do të rrisnin përgjegjësinë politike. Politika zyrtare e Tiranës duhet të ridefinojë politikat dhe relacionet me partitë politike shqiptare, për të evituar dhe pas-truar njëherë e përgjithmonë avazin e deritanishëm të vajtjeve të liderëve politikë shqiptarë në Tiranë dhe keqpërdorimin e tyre për fushata dhe qëllime partiake, duke garuar se kush është më i afërt me qeverinë shqiptare.
Qeverisja e re në Tiranë ka edhe një mori obligimesh përmes një konceptimi të një plani të qartë të relacioneve në formën e një partneriteti me Maqedoninë, bazuar në interesat dhe nevojat që kanë shqiptarët në Maqedoni. Sidomos në zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe fusha të tjera. Edi Rama para së gjithash, në çdo hap të ndërveprimit të tij, do të ketë rastin, ndoshta historik, për të krijuar një imazh të ri të së majtës dhe të një burrështetasi të adhuruar tek shumica e shqiptarëve në Maqedoni.