E Diel, 1 Nëntor 2026

Një mijë familje shqiptare kërkojnë azil në Belgjikë

SHKUP - Mbi 1000 familje shqiptare nga Likova dhe Kumanova kanë aplikuar për azil në Belgjikë në dy muajt e fundit. Nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë thuhet se qytetarët janë të manipuluar, pasi gjasat për të fituar azil në BE janë zero. "Më vjen shumë keq kur shoh pleq, gra e fëmijë duke bredhur rrugëve të Belgjikës, në Namyr, Liezh e Bruksel. Të humbur krejtësisht, nuk e dinë nga t`ia mbajnë", - thotë Abim Neziri, një administrator në Kryqin e Kuq të Belgjikës. Që kjo dukuri ka marrë hov, e tregon edhe fakti se shumë nxënës të shkollave të Kumanovës dhe Likovës po kërkojnë fletëshpërngulje nga shkollat e tyre. "Shpresa dhe dëshira jonë është që ata nxënës të kthehen përsëri në bankat shkollore", - pohon Emri Rexhepi, drejtor i shkollës 'Naim Frashëri', në Kumanovë. Ata që kanë marrë vendim për të udhëtuar drejt Belgjikës nuk parapëlqejnë të flasin për shkaqet e ikjes së tyre. Por, sipas tyre, del se arsyeja kryesore është kriza ekonomike. "Secili i ka hallet e veta. Por, kushtet ekonomike që mbretërojnë këtu na detyrojnë që ta marrim këtë rrugë", - deklaron një banor i Likovës. Në cilësinë e kryetarit të komunës së Likovës, Sadullah Duraku iu apelon bashkëqytetarëve të tij që të mos bien pre e manipuluesve, të cilët e keqpërdorin gjendjen e vështirë ekonomike të këtij rajoni duke premtuar një parajsë në Belgjikë. "Unë mendoj se qytetarët tanë do të jenë të durueshëm, sepse secila krizë ekonomike do të tejkalohet, sikurse që është tejkaluar edhe nga baballarët tanë", - nënvizon Duraku. Ndërkohë, fluksi i madh i qytetarëve të Maqedonisë në Belgjikë i ka detyruar autoritetet belge që t'i çurgojnë sinjale Qeverisë së Shkupit. "Numri i azilkërkuesve nga Maqedonia vetëm gjatë muajit shkurt ka arritur në 349 persona, e kjo është 50 për qind më shumë se sa gjatë tërë vitit të kaluar", - ka deklaruar ambasadori i Belgjikës në Shkup, Mark Michaelson. Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, thotë se po ndërmerren të gjitha masat me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie. "Tash për tash kthimi i tyre mund të bëhet vetëm në mënyrë vullnetare, sepse sipas Konventës së Gjenevës ata që kanë aplikuar për azil duhet të marrin përgjigje zyrtare pas dy muajve", - sqaron ai.
(GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›