E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një muze personalitetesh për Shqipërinë...

25/02/2009  Për vite me radhë i kushtoi punën e vet hartimit të monografive të personaliteteve të artit e shkencës.

Pasionit të të shkruarit poezi i bashkëngjiti edhe atë të studimit dhe hartimit të këtyre librave për jetën e punën e emrave të njohur të hapësirës sonë. Ndaj, kur mendoi të hapte një muze të artit e personaliteteve shqiptare, Novruz Shehut asgjë nuk i erdhi e papritur.

E kishte filluar me një enciklopedi për Tepelenën, ku jepte gjithë historikun e kësaj treve, personaliteteve, historinë, etnologjinë etj. Për të vijuar më pas me një monografi për Hito Sadik, sekretarin e Faik Konicës në Amerikë; një monografi për mjekun e njohur që zbuloi ujin e Glinës, Përparim Tepelena; për Mirush Kabashin, që e cilëson “Sokrati shqiptar”; për Ali Kastratin, personalitet në botën shqiptare të sportit (një nga themeluesit e boksit shqiptar dhe mundjes dhe masazhator i “të famshmëve” të Shqipërisë) etj. Por pagëzimi i idesë së muzeut duket se lidhet me emrin e këngëtares së mirënjohur Vaçe Zela.

Në këtë kohë Shehu sapo kishte përfunduar një ese për të dhe në takimin që pati me artisten i kërkoi t’i jepte në këmbim një relikt të vetën. Kujton se ajo i dhuroi një magnetofon që e kishte përdorur për 20 vjet, që u bë objekti i parë i muzeut, i cili tani është pasuruar me mbi 200 relikte. “Këto relikte fshehin një histori. Secila fsheh një njeri mbrapa dhe bashkë me të gjeografinë e lëvizjes së këtyre personazheve”, - komenton Shehu, ndërsa rrëfen për dhjetëra “dhurata” të tjera të këtij lloji, që përbëjnë muzeun e ideuar prej tij.

Nuk mungojnë atje emra aktorësh të njohur, si Kadri Roshi dhe mjetet e peshkimit të tij, Drita Agolli dhe leksionet që dikur i ka shkruar për studentët me shkrimin e saj të dorës, e fotografi të rralla të periudhës kur ajo ka qenë në kulmin e aktivitetit të saj. Por edhe Luftar Paja me festen e tij prej labi, Luiza Xhuvani me kapelën ku ka interpretuar krah Kadri Roshit në veprën e Ezopit“Dhelpra dhe rrushtë” etj. Nuk mungon as një fustan i bardhë i Ema Qazimit, me të cilin ajo ka kënduar në një festival këngën e nënës, por as kostumi i punuar me dorë i balerinës dhe valltares Liliana Cingu, të cilin e ka veshur kur ka qenë fare e vogël në pallatin e pionierëve, dhe bereta e saj e stolisur me gërshetin e vet (flokët e prerë të dikurshëm), atëherë kur ka luajtur në balet rolin e Shote Galicës.

Por gjeografia e personaliteteve në këtë muze është shumë më e gjerë dhe kapërcen artin dhe kufijtë shqiptarë.

Shehu ka rrëmuar e sjellë në kohë edhe relikte të shek. XVIII, siç është rasti i një havane (bluarës kafeje) në shtëpinë e Dervish Hasanit - gjeneral i Ali Pashë Tepelenës.

Ndërkohë tepër i veçantë për të është edhe “një penë me majë argjendi”, siç i pëlqen ta quajë stilografin e Musine Kokalarit, dhe boja me shkrimin që kanë letrat e saj.

Për herë të parë ai sjell edhe një autoportret të panjohur të një skulptoreje të talentuar shqiptare, e cila pati një fund tragjik: Kristina Koliak.

Ndërsa nga At Zef Pllumi ruan një kujtim edhe më të veçantë, pas takimit miqësor që ka pasur me të. E cilëson “një burrë zotni” dhe kujton se Ati pinte vazhdimisht raki të zier vetë. “Ai kishte qenë në kampin e Tepelenës dhe më dha një kryq të hekurt, që ia kishte dhënë familja Serreqi në vitin kur kishte dalë nga burgu politik e që e mbante përherë në kokën e krevatit. Gjithashtu me dhuroi edhe stilografin me të cilin ka shkruar një pjesë të veprave të tij”, - thotë Shehu.

Pjesë e muzeut janë edhe syzet e albanologut të njohur Jup Kastrati, syzet dhe stilolapsi i gjuhëtarit Shaban Demiraj, makina e shkrimit e Fatos Arapit, të cilën poetit ia kishin dhuruar në Francë e me të cilën punoi për 20 vjet, një nga 27 çibukët e Dhimitër Shuteriqit (sipas Shehut Shuteriqi ishte i pasionuar pas tyre e kishte një koleksion të zgjedhur), stilografi i shkrimtarit Ismail Kadare, tallavozi prej balte i piktorit Sali Shijaku, ku ai përziente bojërat etj.

Dorëshkrime të Robert Elsies gjatë përkthimit të veprës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcisë”, faksilimile të shkrimeve për veprat mbi Shqipërinë të Maksimilian Lambercit, albanolog i shquar gjerman i viteve ’70–’80 janë po ashtu pjesë e muzeut. Ndërkohë nuk mungojnë edhe artistë të tjerë më të rinj, që kanë bërë emër në vende të tjera. Eliza Dushku dhe një shall-flamur i saj, ku shkruan se e do shumë Shqipërinë, bashkë me një kapelë ushtarake të firmosur në strehë, me të cilën ka interpretuar në një film, piktori Sajmir Strati dhe 7 llojet e gozhdëve me të cilat ai krijoi Leonardo da Vinçin kur fitoi “Ginesin” e parë dhe çekiçi me të cilin i ka goditur këto gozhdë; aparati fotografik i Jani Jançes, një paparac shqiptar me përmasa botërore, që me aparatin e tij ka fotografuar Sharon Stonen, Madonën, mbretëreshën e Anglisë, futbollistin e famshëm Ronaldinjo etj., zënë po ashtu vend në këtë muze.

“Ideja ime është që nëpërmjet këtyre relikteve, nëpërmjet këtij muzeu të jap mesazhin se Shqipëria ka personalitete të shquara, të mëdha. Kështu, ne do të mund të kujtojmë hartën e të gjithë atyre artistëve, shkencëtarëve, shkrimtarëve që i kanë dhënë botës, Shqipërisë”, - vëren Novruz Shehu. Ai pohon se deri tani, gjatë tre vjetve, ka arritur të mbledhë mbi 200 relikte dhe mendon se muzeu, i autorizuar edhe nga Ministria e Kulturës (që në kohën e Bujar Leskajt), do të vendoset në një sallë të Muzeut Historik Kombëtar pas dy vjetësh.

Kush është...

Novruz Shehu ka përfunduar shkollën e lartë në Institutin Pedagogjik të Shkodrës në vitin 1975. Ka punuar rreth 25 vjet mësues në fshatrat e Tepelenës dhe në Memaliaj. Autor i tre vëllimeve me poezi, një prej të cilëve të botuar më 1977, është marrë me studime, kryesisht monografi, ku mund të përmendet “Enciklopedia e Tepelenës”, ku është gjithë historiku i kësaj treve, personaliteti, historia, etnologjia, arkeologjia etj. nga shekujt V-VI e.s deri në ditët e sotme. E reja që sillet në këtë vepër është fakti që për herë të parë zbulohen disa nga qytezat ilire, rrënoja arkeologjike, të cilat nuk janë në hartën e arkeologjisë kombëtare, rreth 280 kisha, 240 prej të cilave nuk njiheshin deri tani, si dhe rrënoja të kulteve të fesë myslimane (rreth 500-600). Ka botuar monografi për personalitete të panjohura deri sot nga publiku, siç është ajo për Hito Sadik, sekretar i Faik Konicës në Amerikë; për Baba Ali Tomorrin, i pushkatuar më 1945-n, figurë e trajtuar kryesisht si klerik, edhe pse ishte njëkohësisht shkrimtar e publicist etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›