E Diel, 1 Nëntor 2026

Një nga koncesionet e fundit të qeverisë Berisha nis me skandal

karburanteNjë nga koncesionet e fundit të qeverisë në largim, ai për ngjyrosjen e karburanteve, ka nisur më një skandal.

Siç raporton Top Channel, kompania që ka fituar koncesionin, Global Fluids, ka mospërputhje të mëdha në dokumentet që ofron për importin e ngjyruesve.

Dokumenti i datës 27 maj 2013 është fatura e deklaruar nga kompania në doganën shqiptare për importin e saj të parë të ngjyruesve. Bëhet fjalë për një ngarkesë të nisur nga Hollanda me rreth 3465 litra ngjyrues, për të cilën kompania ka deklaruar në doganën shqiptare vlerën 2 milionë e 938 mijë euro.

Por për të njëjtën ngarkesë Top Channel ka mundur të sigurojë deklaratën e eksportit nga autoritetet doganore të Hollandës. Ndryshimi në vlerë është 157 herë. Sipas deklaratës së lëshuar nga autoritetet hollandeze, vlera e mallit rezulton vetëm 18 mijë e 600 euro. Mospërputhja e madhe në vlerë është konstatuar më vonë nga autoritetet e doganës shqiptare.

Përballë këtij fakti vetëm tre ditë pas zhdoganimit në datën 11 korrik, kompania e ka rieksportuar sërish ngarkesën për në Hollandë, siç tregon edhe dokumenti. Zotërohen pamje të daljes së kamionit në doganën e Qafë- Thanës, ku kamioni është kontrolluar, por jo ndaluar nga autoritetet doganore shqiptare. Këtë herë vlera e deklaruar është 24 mijë dollarë.

Top Channel kontaktoi me kompaninë, e cila ka pranuar mospërputhjet, por i ka cilësuar ato si gabim. Përmes një e-maili ‘Global Fluids’ është përgjigjur se dega e saj në Shqipëri ka deklaruar vlerën reale të mallit, por në dokumentet e eksportit që janë dorëzuar në doganën shqiptare, sipas saj, kompania transportuese ka dorëzuar gabimisht dhe faturën e transportit me vlerë 18640 euro. ‘Global Fluids’ përgjigjet se shumë shpejt ngarkesa do të rikthehet në Shqipëri me dokumentet të reja.

Por ky version ngre një tjetër problem. Pas konstatimit të diferencave në vlerë nga autoritetet doganore, ngarkesa ka qenë në procedurë kontrolli. Sipas Kodit Doganor në raste të tilla mallrat bllokohen dhe nuk mund të kryejnë më asnjë procedurë tjetër derisa të përfundojë hetimi, pra, qe malli te largohet apo te hyje ne treg, ndërkohë që ndodhi krejt e kundërta: kompania u lejua t’i rieskportonte ato.

Nëse autoritetet do të vërtetojnë se kompania ka tentuar të rrisë fiktivisht shpenzimet, për të justifikuar tarifën e lartë që përfiton nga koncesioni dhe për të shmangur taksat, rasti do të përbënte skandalin e radhës në kontratat koncesionare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›