Një njeri që hidhërohet nga e vërteta
Nga Mero Baze
Lexova reagimin e vonuar të Fatos Lubonjës mbi debatin që ka hapur një shpifje e tij e ulët në ambasadën amerikane rreth shkaqeve përse gazeta Tema u mbyll në janar të vitit 2010. Për fat të keq nuk ja vlen të merresh gjatë me një njeri që një vit pas ngjarjes thotë nuk mbaj mend çfarë kam folur, dhe as me një njeri që një javë pas publikimit të një ligësie të tij, përpiqet të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por për respekt të lexuesve po sqaroj shpifjet e djeshme botuar në gazetën Panorama.
Akuza bazale që Lubonja ngre ndaj meje është se jam një gazetar që nuk kam lënë gjë pa thënë për korrupsionin socialist, dhe tani nuk po lë gjë pa thënë për korrupsionin e Familjes Berisha. E pranoj akuzën pasi kjo akuzë më nderon.
E di që nuk është e këndshme të jesh në anë të ndryshme të llogores kundër të njëjtit armik, në këtë rast bandës së hajdutëve të pushtetit, por unë e kam zgjedhur vetë këtë fat dhe Lubonja këtu ka të drejtë. Ajo që bën të lig dhe të pandershëm Lubonjën është fakti se unë që zgjedhkam gjithnjë opozitën qenkam i korruptuar pasi opozita paguaka para më shumë se pushteti për të qenë me të. Është e çuditshme se si Lubonja prej vitit 1997 ka qenë gjithnjë në anën e pushtetit duke bërë kritika brenda oborrit, ose për persona që ka probleme personale dhe është i ndershëm, ndërsa unë që paskam qenë gjithnjë me opozitën jam i pandershëm pasi sipas Lubonjës në këtë vend paret e korrupsionit i paskan opozitat dhe jo pushtetet. Shpresoj mos ta dëgjojë pronari i tij i TV Klanit këtë tezë, se do lërë pushtetin dhe do bashkohet me opozitën për të bërë lek.
Akuza e dytë në formë shpifje është historia që Lubonja tenton të lidhë mes gazetës Tema dhe pronarit të lokalit Tajvani. Aty ka dy gënjeshtra të liga. E para që gazeta Tema i është shitur pronarit të lokalit Tajvani 500 mijë euro. Është shpifje, por kjo nuk i bën përshtypje një njeriu që nuk ka lidhje me të vërtetën në historinë e shtypit në Shqipëri. Shoqëria Media Enter shpk, botuese e gazetës Tema, është shitur në tetor të vitit 2005, 10 milionë lek. Kjo është e verifikueshme në çdo zyrë të shtetit shqiptar apo në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive ku unë kam depozituar kontratën e shitjes.
10 milionë lek nga 500 mijë euro sa çthotë Fatos Lubonja, janë shumë dhe vetëm një njeri që ka obsesion lekët mund të bëjë fluturime të tilla. Gënjeshtra e dytë e lig është që kjo shoqëri është riblerë prej meje. Shoqëria Media Enter shpk është ende pronë e Besnik Sulës, dhe për këtë ka përsëri dokumente ose mjafton një klikim në QKR. Pas vitit 2007 kjo shoqëri u mbyll me vullnet të pronarit të saj, dhe titulli Tema që është markë personale e imja, regjistruar në Ministri të Ekonomisë, u bë pjesë e një shoqërie tjetër me pronarë të tjerë, të cilët Berisha i shkatërroi financiarisht, duke u prishur shtypshkronjën dhe duke u vënë gjoba marramendëse. Edhe këtë mund ta verifikojë nëse nuk e mban mend, megjithëse nuk e ka zanat verifikimin, por thashethemet.
Historia që Lubonja shpik që nën ndikimin tim ka mbetur pa u hequr kazinoja nga qendra e Tiranës, është po ashtu e lig dhe shumë e dobët për të qëndruar. Mendoni për një moment sikur kjo që thotë Fatos Lubonja të jetë e vërtetë, që Sali Berisha të më ketë bërë mua një nder, që sipas Lubonjës ka kushtuar 500 mijë euro, për të mos lëvizur kazinonë nga lokali Tajvani. Mendoni ose gjeni ndonjë gazetar tjetër që ka zbuluar më shumë afera koruptive tronditëse për familjen Berisha, për djalin e tij, për vajzën e tij, për gruan e tij dhe atë vetë. Dhe pastaj besoni Fatos Lubonjën që Sali Berishës unë ja kam nxirë jetën, por ai aman është burrë dhe nderin që më paska bërë nuk e shkel më. Këto mund ti thotë ose një njeri i lig ose një njeri i rrjedhur. Unë druaj ti them i rrjedhur edhe pse jep shenja të qarta të humbjes së memories brenda vitit për ato që ka thënë.
Desha të ndalem pak personalisht tek profili i këtij publicisti spekulant. Ajo që më ka bërë përshtypje në reagimin e tij, është vlerësimi i tij se unë e kam ditur Berishën njeri të ndershëm, dhe se pas vitit 2005 kur ai erdhi në pushtet unë u ndava prej tij pasi ai ju dorëzua pushtetit të Familjes dhe u korruptua. Edhe kur takohesha privatisht me Fatos Lubonjën ai ka pasur gjithmonë shqetësimin se mos unë po e teproja me idenë se fëmijët e Sali Berishës po drejtonin Shqipërinë duke e plaçkitur atë. Si njeri që nuk ka respekt për faktet dhe të vërtetën, ai bën sikur nuk të dëgjon kur i thua fakte. Për ilustrim të mirësisë së vajzës së Sali Berishës ai tregonte se si vajza e tij, falë shoqërisë me Argitën, lëvzite sa nga Agjencia e Kthimit të Pronave në Ministri të Integrimit, dhe ai seç kishte një portret tjetër të fëmijëve të Berishës në mendje, portretin e vajzës që bën mirë. Ja mirëkuptoj dobësinë për ndonjë nder që mund ti ketë bërë, por është tepër që për shkak të saj, ai të vërë në dyshim betejën kundër tyre, vetëm pse ai nuk ka fuqi të flasë.
Dhe ky zakon i tij nuk është i ri. Më ka bërë përshtypje mungesa e respektit të tij për faktet dhe të vërtetat në çdo shkrim apo libër të tij. Kam lexuar librin e tij të fundit për ngjarjet e vitit 1997, kur Lubonja ishte komandanti i koalicionit anti- Berishë, dhe është një turp i madh se si gënjen për çdo gjë. Mjafton të përshkruaj një detaj. Ai tregon se si takimin e 6 Marsit e kishte iniciuar Preç Zogaj me mua, se si ishim takuar ashtu si kot në mbasdite dhe i kishim çuar këta socialistët tek Berisha. Tani Preç Zogaj para Lubonjës ka botuar një libër për këtë ngjarje dhe e ka shpjeguar si ka ndodhur dhe çfarë kemi folur. Unë po ashtu kam botuar para Lubonjës një libër për këtë ngjarje dhe e kam shpjeguar çkemi folur. Ky mashtrues guxon të përshkruajë takimin tonë kokë më kokë pa na u referuar ne të dyve që e kemi shpjeguar publikisht, por sipas mendjes vet, duke ngatërruar jo vetëm thelbin e bisedës, por dhe datat dhe ngjarjen që ka prodhuar. Një njeri i tillë është shoqërisht i rrezikshëm, pasi duke qenë egocentrik, dhe duke dashur të vërë veten në qendër të çdo ngjarjeje, bëhet i lig dhe dëshmitar i rrejshëm për historinë, politikën, gazetarinë dhe shoqërinë në përgjithësi. Ky shpif nëpër ambasada dhe thotë se mbaj mend, akuzon njerëzit pa asnjë fakt dhe thotë kështu e kam dëgjuar, ngatërron qëllimshëm ngjarje dhe dialogje dhe bën sikur ashtu ka ndodhur, vetëm që ky të mos shfaqet si gazetar që punon në oborrin e pushtetit me leje për të kritikuar ndonjë herë mbretin dhe për të rregulluar hallet e tij. I dështuar në politikë urren Edi Ramën se mendon se është njeriu që i ka marrë hisen e diellit tek e majta, i dështuar në letërsi urren Ismail Kadarenë se mendon se i ka zënë vendin si shkrimtar, i dështuar në gazetari më urren mua se e tmerron ideja se dikush tjetër dhe jo ai po bëhet armik në histori me pushtetin në këtë vend për shkak të profesionit. Një njeri gojëzënë si ai, ka moshën e duhur të heshtë, nëse nuk bën dot gjë për të lehtësuar shoqërinë nga kjo mafie që ka kapur shtetin. Nuk ka pse bëhet as i lig, as i hutuar dhe as i zemëruar pse unë jam i lirë të jem kundër socialistëve të korruptuar deri më 2005, dhe kundër Familjes që po plaçkit Shqipërinë pas vitit 2005. Ka plot njerëz që kanë qenë luajal me Fatos Nanon dhe janë luajal me Sali Berishën, që unë i respektoj, pasi ja kanë caktuar vetë vetes atë status. Ka prej tyre që janë shpërblyer shumë për këtë luajalitet, ka të tjerë si Lubonja që nuk janë paguar aq sa duhet, por kjo është punë çmimi dhe jo punë parimi. Për këtë nuk mund të merret inat gjithë bota, aq më tepër ata që ti mendon se të kanë zënë vendin në politikë, letërsi, gazetari apo jetë publike. Vjen një moshë dhe njeriu duhet ta kuptojë sa vlen. Dhe kjo moshë Lubonjës i ka kaluar me kohë.
