E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: 11 Shtatori, rishfaqja e së keqes në formë të re

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një editorial për sulmet e 11 shtatorit në Amerikë, ka deklaruar se 11 shtatori është rishfaqje e së keqes në formë të re. Sipas kreut opozitar, 11 shtatori ishte shpërthimi i një konflikti marramendës mes dy botësh, demokracisë dhe fashizmit të rishfaqur me armët e terrorit fondamentalist nën vellon islamike ku nuk fshihej profeti i madh i botës muslimane, po demonët e shkretëtirave morale e shpirtërore që me pushkë në krahë e me emrin e Allahut në gojë kishin ngritur në këmbë, në terrin e injorancës e të varfërisë, një armatë të padukshme të verbërish të kthyer në bomba të urrejtjes njerëzore. “11 shtatori ishte rishfaqja në një formë të re e së keqes që bota e lirë e mendonte të zhdukur njëherë e mirë nga faqja e dheut me triumfin e përgjakshëm të Luftës së Dytë Botërore dhe Shqipëria e vogël u gjend vetiu në frontin e dikurshëm të forcave të lirisë, duke u rreshtuar kombëtarisht e shtetërisht në krah të aleatit të saj të madh. 11 shtatori i dhjetë vjetëve më vonë pas goditjes mizore të Kullave Binjake është një arsye për të qenë krenarë që për dhjetë vjet rresht dhamë, si komb e si shtet shqiptar, kontributin tonë në një luftë ku ishim ndër të parët që u vumë në dispozicion të Shtëpisë së Bardhë dhe nuk ngurruam asnjë sekondë të merrnim pjesë konsensualisht në të gjitha operacionet ushtarake apo të shërbimeve inteligjente që Shtetet e Bashkuara udhëheqin, qysh prej asaj dite kobzezë për botën ku jetojmë, me vendosmërinë e liderit të botës demokratike në mbrojtje të njerëzimit e të arritjeve kolosale të njeriut të lirë”, thekson Rama.
 

Ndër të tjera në editorialin e kreysocialistit theksohet se Shtetet e Bashkuara kanë paguar çmimin më të lartë në jetë njerëzore të humbura në fushat e betejave e në gjithshka u është dashur të sakrifikojnë nga jeta në paqe për të fituar luftën. Po ashtu, ai nënvizon se të tjerët me radhë kanë bërë sakrificat e tyre në jetë njerëzish e jo vetëm aq në frontin e mbrojtjes së vlerave të panegociueshme të lirisë e të demokracisë nga demonët e terrorizmit, fondamentalizmit, fashizmit oriental të mishëruar në dikatura obskurantiste e gjakatare brenda hartës së botës arabe e në shpirtra njerëzish të kapur prej Djallit kudo nëpër botë. “Shqipëria ka bërë me dinjitet atë që i takon, sa i takon dhe si i takon. Por edhe armiku i ri i njerëzimit ka marrë atë që i takon duke e paguar siç e ka merituar deklaratën e luftës që i bëri botës së lirë. Eshtë asgjësuar e flakur në fund të detit të turpit shëmbëlltyra demoniake e terrorizmit fondamentalist Osama Bin Laden dhe janë shkatërruar shumë vatra vluese të Al Kaedës. Eshtë shembur përfundimisht regjimi botërisht i rrezikshëm i Sadam Huseinit. Eshtë përhapur fryma e lirisë në hartën e botës arabe ku lulet e një pranvere demokratike nisën të çelin aty ku askush s`e imagjinonte dhjetë vjet më parë dhe era e lirisë ka sikterisur tanimë sundimtarë të neveritshëm, duke vazhduar të trokasë me forcë sot e gjithë ditën në dyert e rënda të kështjellave të diktaturave më të korruptuara të planetit”, vijon editoriali.
 

Më tej Rama thekson se ky dhjetëvjetor është edhe dita për të reflektuar për mëkatet e qeverisë së sotme shqiptare që e kanë futur korrupsionin në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, duke e keqpërdorur tinëzisht e babëzisht mbështetjen jetike të Shteteve të Bashkuara e të NATO-s dhe duke nxjerrë përfitime të paligjshme financiare. “S`është Saliu i pari kryeministër i këtij vendi që rreshtimin natyral të popullit shqiptar në krah të Shteteve të Bashkuara dhe gatishmërinë e vendosmërinë konsensuale të politikës shqiptare për t`iu përgjigjur çdo kërkese të frontit të luftës kundër terrorizmit pas 11 shtatorit, e përdor si kartabiankë për të shkelur në Shqipëri liri e të drejta, për të abuzuar me shtetin e me ligjin, për të garantuar stabilitet falë cënimit të demokracisë dhe keqpërdorur mbështetjen tradicionale të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë si këmbim në mbështetje për karrigen e tij. Por Saliu është padyshim i pari kryeministër qysh nga 11 shtatori i vitit 2001 që proamerikanizmin e popullit shqiptar dhe mbështetjen e paçmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë e përdor për të grabitur zgjedhjet e për ta kthyer në fakt të kryer përmes votave të vjedhura qeverisjen e qytetarëve të këtij vendi, në nivel kombëtar a vendor. Eshtë i pari kryeministër që nxit kërcënimin me jetë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare për të fshehur gjurmët që lidhin një mega aferë korrupsioni si ajo e Gërdecit me derën e shtëpisë së tij dhe po ashtu është i pari që lëshon baltë e jargë në publik kundër opozitës, prokurorisë, drejtësisë, Presidentit të Republikës, për të mbyllur me kapakun e dhunës verbale e të shantazhit qeveritar zgafellën kutërbuese të mëkateve të veta në qeverisje, ku Gërdeci është më i përgjakuri po s`është gjëkundi i vetmi”, nënvizon Rama më tej.
 

Po ashtu kreu socialist thekson se 11 shtatori i dhjetë vjetëve më vonë e gjen Shqipërinë me krenarinë për gjithshka populli, forcat politike pa dallim, misionet tona ushtarake në Irak e Afganistan bënë në mbrojtje të vlerave të botës së lirë krah për krah me Shtetet e Bashkuara. “Por edhe me detyrimin themelor për të mishëruar vlerat e lirisë e të demokracisë në funksionimin e parlamentit, qeverisë, shtetit shqiptar si shërbëtor i qytetarëve të këtij vendi. Të cilët kanë merituar gjithë mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i japin prej njëzet vjetësh popullit shqiptar, po nuk meritojnë të keqpërdoren nga askush që mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë e keqpërdor për të mbajtur shqiptarët peng duke u vjedhur votën, pronën, lekët. Duke u vjedhur vetë shpresën se një ditë do ta gjejnë në atdheun e tyre Amerikën e ëndrrave e të shpresave, të barazisë para ligjit e të mundësive të barabarta. Amerikën e qytetarëve të lirë dhe të qeverive të zgjedhura nga qytetarët”, përfundon editoriali i kryesocialistit Rama për 10-vjetorin e sulmeve në kullat binjake në SHBA.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›