Një opozitë ndryshe. Strategjitë zgjedhore dhe nevoja për të bërë të mundur dallimin
1.
Vetëm dhjetë muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 2013. Një takim ky i një rëndësie të veçantë për axhendën dhe jetën politike të vendit. Kjo për shumë arsye, ndër të cilat më parësorja është mundësia e një rotacionit politik të munguar.
Ky mekanizëm, pra mekanizmi i kalimit të pushtetit nga njëra forcë politike në tjetrën, është jetësor për vetë demokracinë dhe mbarëvajtjen e jetës institucionale të vendit. Kur flasim për pluralizëm si karakteristikë e patjetërsueshme e çdo demokracie me të vërtetë funksionale, nënkuptojmë pluralizmin e alternativave, mëshiruar dhe më tej në mundësinë për të zgjedhur dhe për të vënë në provë secilën prej tyre.
Është pikërisht kjo arsyeja pse, në logjikën e lojës demokratike, çdo forcë politike vihet përpara domosdoshmërisë për ta shndërruar vizionin e saj në një program politik. Ky dokument, i cili duhet të zhvillohet si një strukturë koheze zgjidhjesh, propozimesh dhe qasjesh ndaj problematikave ekonomike, çështjeve të arsimit, ato të shëndetit publik dhe të çështjeve sociale në tërësi, duhet të jetë dhe burimi i diskursit politik publik.
Lideri, struktura, vizioni dhe programi janë ingredientë të pandarë të çdo alternative politike që kërkon votën e zgjedhësve për të qeverisur vendin për aq kohë sa e lejojnë rregullat e kësaj loje. Ky është mësimi numër një që mund të nxjerrim nga eksperienca e vendeve me demokraci të konsoliduar në përgjithësi, dhe nga fushata zgjedhore që po zhvillohet ndërkohë në Shtetet e Bashkuara në veçanti. Një forcë politike e cila kërkon të vërë shenjën e dallimit midis saj dhe kundërshtarit, duhet ta bëjë këtë dallim në mënyrë sa më qartë që të jetë e mundur.
Në Shqipëri shumë është investuar për të bërë të mundur pikërisht të kundërtën. Në Shqipëri i gjithë diskursi politik, mjetet dhe teknikat e komunikimit janë vënë në shërbim të një projekti politik famëkeq siç është dhe ai i asgjësimit të pluralizmit nëpërmjet njëjtësimit të alternativave politike. Ky është dhe çelësi që mundëson dhe shpjegon të ashtuquajturin sukses dhe jetëgjatësi politike të dështakëve historik, siç është dhe Kryeministri Berisha.
Një forcë politike ndryshe në vendin tonë, do të ish një forcë e cila pa asnjë dyshim nuk do të hiqte dorë nga funksioni kritik dhe denoncues ndaj abuzimeve të pushtetit, por do të fokusonte të gjitha energjitë e saj në përcjelljen e vizionit, programit të saj sa më gjerë në opinion politik. Dhe ç’është më e domosdoshme, nga ajo kërkohet që ky gjest politik të mos ndalet për asnjë arsye.
2.
Në këtë drejtim, Partia Socialiste duket të ketë një avantazh përpara kundërshtarit. Pra, jo më larg se dhjetë muaj nga takimi elektoral i 2013, ajo tashmë i ka paraqitur opinionit publik një dokument programativ politik. Alternativa e saj politike është e mishëruar në trajtën e një dokumenti me të cilin gjithsecili prej nesh mund të njihet dhe ta konsultojë në çdo moment.
Tashmë, siç dhe është thënë në zbulimin e strategjisë të fushatës elektorale 2013, mesazhi që përmban ky program është sintetizuar në formula dhe linja të përgjithshme në trajtën e listave për ta bërë atë sa më të konsumueshëm për opinion publik në tërësi. Jam dakort me Z. Veliaj kur ai thotë që kjo është një ndër arsyet që e dallojnë opozitën nga kundërshtari, pra të pasurit një mesazh të qartë politik dhe një program të mirëfilltë.
Por kjo nuk mjafton! Nuk mjafton për të bërë dallimin midis opozitës dhe maxhorancës.Siç nuk mjafton të thuash që je ndryshe për të qenë vërtetë i tillë.
Për të qenë të sinqertë, kërkohet që kjo forcë të jetë e aftë ta ushqejë diskutimin publik me argumente dhe alternativat e saja programatike nëpërmjet një aksioni intensiv, i cili duhet të shohë të rreshtuar në radhë të parë të gjithë socialistët, duke filluar nga anëtari më i thjeshtë deri tek lideri i tyre.
Kjo qasje, e cila në situatën vërtetë tragjike që po kalon vendi ynë, është jo vetëm e nevojshme për të bërë dallimin por dhe e dëshirueshme në të mirë të jetës politike dhe të shoqërisë shqiptare. Nëse ka një flamur, nëse ka një risi që çdo forcë politike do të duhet të privatizonte është pikërisht kjo. Nxjerra e strukturës politike nga trysnia dhe graviteti i personalizmave dhe personalizimit të diskutimit, shndërrimi i saj në një shkollë të mirëfilltë politike, në një strukturë në gjendje të prodhojë, të promovojë mundësi të reja dhe të hapura për të gjithë.
Kjo nuk do të thotë që një strukturë nuk duhet të ketë një lider, një skuadër udhëheqëse që mbështet liderin dhe një strukturë. Kjo do të thotë që çdo socialisti i kërkohet të besojë dhe të mbështesë në mënyrë të arsyeshme alternativën politike që përfaqëson programi i PS-së. Në këtë mënyrë do të përfitohej sinergjia e nevojshme për të mundësuar përcjelljen dhe përqafimin e alternativës së saj politike sa më gjerësisht nga opinioni publik.
Kjo do të ish rruga më e shëndetshme për të bërë të mundur atë që Z.Veliaj quan mbështetje e pakushtëzuar ndaj liderit në përballjen me kundërshtari.
3.
I tempi sono maturi mjaftueshëm për ta nxjerrë diskutimin nga ai dimension patetik dhe të përdalë ku dhe e ka futur, jo pa qëllim, ai aksion politik i cili ka mundësuar mbijetesën e përbindshave politik, produkte hibride më shumë të së kaluarës se sa të së tashmes.
Diskursi politik ka domosdoshmërisht një thelb etik i cili përkon me vizionin dhe nevojën për të diskutuar mbi publiken si dimension gjithëpërfshirës; mbi ekonominë në funksion të publikes dhe të mirës së përbashkët; mbi arsimin dhe cilësinë e tij si mënyra më e natyrshme për të ripërtërirë energjitë e një shoqërie; mbi shëndetin publik si një mundësi për të gjithë dhe jo për të paktët që e kanë të garantuar këtë akses falë të ardhurave; etj, etj.
Është e vërtetë që dokumentet programatike kërkojnë një përgatitje dhe interes mbi mesataren për t’u aksesuar, por kjo nuk mund të jetë dhe nuk është gjithsesi një pengesë. Të gjithë ne e jetojmë realitetin shqiptar, të gjithë ne jemi të përfshirë jo vetëm emocionalisht nga tragjedia shqiptare. Të gjithë ne e dimë ç’na shqetëson dhe ç’na lëndon në përditshmërinë tonë. Ndaj dhe të gjithë jemi në gjendje të vlerësojmë nëse diçka, një zgjidhje apo një alternativë do të ish në gjendje të zgjidhte sadopak problemet tona.
Pra, duke u nisur nga kjo e vërteta jonë e përbashkët, bëhet e mundur dhe përcjellja e alternativës politike të përmbajt
