E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paradokse demokratike në Republikë

DENAR BIBA

Nëse dikush do tju pyeste se si quhet ajo loja me top, ku 11 lojtarë përpiqen tua marrin atë 11 të tjerëve dhe ta fusin në portën përballë duke përdorur vetëm këmbët dhe/ose kokën, a do të përgjigjeshit: kërcim së gjati? Natyrisht që jo (veç ndonjë idioti). Po nëse do tju bënin pothuajse të njëjtën pyetje, por duke zëvendësuar fjalën portë me kosh, a do të dinit të jepnit një përgjigje? Natyrisht që jo, sepse çdo njeri i arsyeshëm di të bëjë dallimin mes futbollit dhe basketbollit, dhe kjo lojë e re nuk është asnjë prej tyre. Mund të jetë po aq e bukur dhe interesante, por e përsëris, nuk është asnjëra prej tyre. Dallojnë rregullat.
Tani më lejoni tju kujtoj disa rregulla të tjera, si: Shqipëria është Republikë parlamentare; Kushtetuta është ligji më i lartë i vendit; sistemi i qeverisjes bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve: ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Janë disa nga rregullat e arta të sistemit shtetëror e qeverisës që vendosëm të luajmë pas rrëzimit të diktaturës, e që e quajmë demokraci kushtetuese (forma e shtetit) dhe Republikë parlamentare (forma e qeverisjes). Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, duhet ta pranojmë se ne shqiptarët këtë lojë nuk ditëm ta luanim më 1991-shin e me përpjekje të mëdha po i qëndrojmë në fushë edhe më 2012-n. Fatkeqësisht nuk është loja jonë, e kanë shpikur të tjerë popuj, njësoj si futbollin a basketbollin. Ne e zgjodhëm, së pari, sepse pamë që atyre u ka dalë për mbarë organizimi i shoqëror sipas rregullave të mësipërme prej vitesh jetojnë në paqe e janë pasuruar ekonomikisht dhe moralisht, por edhe sepse, duke perifrazuar Çurçillin, kjo është loja më e keqe, përveç gjithë të tjerave të provuara në kohëra.
Rregullat tashmë janë të njohura e të qarta, na mbetet veç ti respektojmë (nëse kemi kërçik ta ndjekim Europën siç vëren me pezëm At Zef Pllumi te libri i tij Rrno për me tregue). Gjithë sekreti është të jetojmë/punojmë dhe organizohemi duke respektuar rregullat që përcaktuam në Kushtetutë.
Me këtë ide në mendje dhe zemër le të analizojmë disa ngjarje aktuale (apo të afërta) madhore me ndikim kushtetues dhe paradokset që i shoqërojnë ato.
I. Referendumi për imunitetin. Në krye të herës nxitoj të rishpall bindjen time që kjo koracë mbrojtëse e ekzagjeruar e gjyqtarëve dhe funksionarëve të lartë publikë duhet kufizuar. Këtë e kam arsyetuar edhe më parë në faqet e kësaj gazete (Panorama, 9.10.2009).  Përsa i përket referendumit në vetvete, vlerësoj se edhe ai është një ushtrim i dobishëm demokratik për vjeljen e drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve. Në fakt është ushtrimi i vetëm i demokracisë në variantin e saj primordial. Problemi është dhe më duhet ta theksoj këtë paraprakisht se Shqipëria nuk është (thjesht) demokraci, pra një vend ku vendimet për të ardhmen e shoqërisë merren ekskluzivisht nga shumica matematike e qytetarëve, në shpërfillje të plotë të pakicës së rastit (sepse, çdonjëri, në lidhje me një çështje mund të jetë pjesë e shumicës, ndërkohë që në lidhje me një tjetër, pjesë e pakicës). Termin e kemi ruajtur si të grekëve antikë (demokratia pushteti i popullit), por funksionimin ia kemi përmirësuar, duke përcaktuar në Kushtetutë rregulla që ajo pakica (49% e shtetasve, shqiptarë edhe ata, gra e burra të mirë e me vlera) të ndihet e respektuar dhe, më kryesorja, e pakërcënuar nga diktatura e shumicës. Përndryshe, pse e rrëzuam diktaturën e proletariatit, ku çthoshte populli bënte Partia?! Pra, ne nuk jemi më (desh Zoti) një demokraci popullore, revolucionare (si në komunizëm), por një demokraci kushtetuese, si shumica absolute e shteteve perëndimore. Në këtë lloj organizimi shtetëror, Kushtetuta, që është vullneti i popullit shqiptar (i atij që ka qenë, është e do të jetë), i vendos kufizime vullnetit të turmave (që janë shumicat e përkohshme). Ky është sensi dhe misioni i vlerave republikane. Në këtë kontekst, në Republikën parlamentare të Shqipërisë, njësoj si në SHBA, Francë, Gjermani, Itali etj., turmat nuk mund ti ndryshojnë rregullat e përcaktuara nga Kushtetuta. Rrjedhimisht, imuniteti i gjyqtarëve dhe funksionarëve të lartë publikë, duke qenë rregullim primar kushtetues, mund të ndryshohet vetëm nga përfaqësuesit tanë në Parlament, përmes një shumice prej 2/3 të tyre, dhe jo përmes një referendumi popullor. Kjo është pranuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka theksuar se përfshirja e drejtpërdrejtë e popullit në procesin kushtetutëbërës mundësohet vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend (V.25/2009). I këtij mendimi ishte edhe Komisioni i Venecias që asistoi Gjykatën në marrjen e këtij vendimi.
Ky referendum (që besoj se është thjesht blof politik e nuk do të mbahet) vendos një shfaqje të demokracisë puro mbi parimet republikane. Referendumi në fjalë ka për causus belli imunitetin, që në një dimension të vetin nënkupton pabarazinë përpara ligjit të disa personave, duke qenë se individët me imunitet privilegjohen nga ligji, ndërkohë që ne të tjerët jo. Nga ana tjetër, një ndër vlerat më të mëdha të Republikës është barazia përpara ligjit. Pra, synohet që përmes një veprimi antikushtetues të mbrohet një vlerë kushtetuese. Kjo në filozofi quhet paradoks.
II. Le të vijojmë më tej me analizën e një tjetër ngjarjeje me impakt kushtetues: propozimi i opozitës për votimin në Kuvend të dekreteve të Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe prokurorit të Përgjithshëm me shumicën e cilësuar (3/5) e deputetëve. Deri përpara ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës së vitit 1998 me ligjin kushtetues nr. 9904, datë 21.04.2008, Presidenti i Republikës, si rregull, zgjidhej me votat e 3/5 të deputetëve (çka ka ndodhur edhe praktikisht). Kjo e bënte Presidentin realisht përfaqësues të unitetit të popullit. Ndryshimet e vitit 2008 e shndërruan atë në pjesë të maxhorancës qeverisëse. I parë i shkëputur, ky rregullim i ri kushtetues nuk është i papranueshëm, demokracitë perëndimorë e njohin kancelar-inë si model të organizimit qeverisës (bashkë me modelin Westminster etj). Problemi është se, në kontekstin e Kushtetutës sonë, duke u ndryshuar vetëm ky element, pa u shoqëruar me ndryshime të tjera garantiste, kemi ardhur ndesh me parimet kryesore kushtetuese. Më lejoni tjua konkretizoj me një shembull metaforik nga gjeometria. Trekëndëshi ka tri kënde e tri brinjë. Ashtu si format e qeverisjes, edhe format e trekëndëshave janë disa. Në sistemin tonë demokratik kushtetues, ne e kemi organizuar qeverisjen në respekt të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Pra, trekëndëshi ynë i ka (duhet ti ketë) të tria brinjët dhe këndet të barabarta. Ndryshimi i njërit prej tyre (Ekzekutivi, pjesë e të cilit është strukturalisht Presidenca) duke e zgjatur brinjën (te ne Ekzekutivi, maxhoranca qeverisëse dhe Presidenti tashmë i takojnë një grupimi politik të vetëm) me patjetër çon në zvogëlimin e elementeve të tjera të figurës. Republikat kushtetuese në thelb janë një përpjekje për të dobësuar rrezikun e maxhoritarianizmit dhe për të parandaluar tiraninë e shumicës. Ato e mundësojnë këtë mision të tyre duke vendosur (përmes kushtetutave) elementë garantistë, kontrollorë mbi pushtetin e shumicës qeverisëse të radhës. Disa nga këto elementë, më kryesorët në fakt, janë Presidenti i Republikës i zgjedhur nga populli, Senati, Gjykata Kushtetuese, Gjyqësori dhe Prokuroria e pavarur. Jo domosdoshmërisht të gjitha bashkë e njëkohësisht, por me patjetër shumica e tyre. Në rastin shqiptar ne skemi më asnjë(!), pasi këtu Presidenti zgjidhet nga shumica parlamentare (karakteristikat individuale të tij nuk merren parasysh nga Kushtetuta, sado të shkëlqyera të jenë), nuk kemi një dhomë të dytë të Parlamentit (Senati) që të ndalojë ekseset e shumicës së deputetëve të dhomës së ulët dhe kemi gjyqtarë kushtetue

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›