Një opozitë të prangosur tek e shkuara s’e shpëton dot as nekropolitika
Pikërisht në kohën e fushatave elektorale kritikohet moskryerja si duhet e disa punëve brenda procesit të zhvillimit të brendshëm të shtetit nga të gjitha anët e lëvizjes së tij ndërmjet progresit dhe regresit si dhe të sferave të tjera. Pastaj merret në sy gjithmonë një defekt i ndodhur në procesin e qeverisjes nga partia politike që është në pushtet apo edhe disa pengesa që ka pasur ajo gjatë rrugës së ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit.
Ndërkaq Gërdeci si një defekt i ndodhur gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike po shndërrohet në një vegël të rëndësishme të lojërave të partive opozitare të cilat duke mos gjetur arsye dhe defekt tjetër po rreken vazhdimisht te vuajtjet e popullit respektivisht te përjetimet e hidhura të qytetarëve të Gërdecit i cili përjetoj një tragjedi të paparë ndonjëherë në Shqipëri. Qeveria e tanishme ka regjistruar mjaft arritje në bazë të atyre mundësive që ka pasur, arritja më e madhe e kësaj qeverisje që po i kalon mandati është ajo e anëtarësimit të shtetit shqiptar në strukturën ushtarake më të fuqishme ndërkombëtare, NATO-n. Pastaj hapja e rrugës për procesin e integrimit në strukturat e Bashkimit Europian, pastaj disa lëvizje të brendshme që nuk do të thotë se janë arritje të pakëta siç po trumbetohet nga partitë e së majtës apo ato opozitare. Kuptohet opozita e ka këtë rrugë dhe ajo është e hapur në një shtet demokratik të kritikojë qeverisjen aty ku ajo e sheh se punët nuk po ecin mbarë apo aty ku ajo e sheh se legjitimiteti dhe kushtetuta janë të rrezikuara, por të gjitha këto kritika ajo duhet t'i bazojë dhe argumentojë duke matur argumentet reale dhe kritikën pozitive me mundësitë e zhvillimit të shtetit në periudha të mesme dhe ato afatgjata e jo duke kritikuar a gjykuar sipas dëshirave, aty ku ndjeshmëria siç është rasti i Gërdeci është më e madhe se ndonjëherë më parë dhe se ky rast duhet të gjykohet në bazë të arsyes praktike dhe gjendjes faktike e jo kuturu.
Partitë opozitare në vend që t'u prezantojnë votuesve programin e tyre dhe të pozicionohen ndaj problemeve aktuale, përhapin fraza, të cilat jo rrallë tregojnë imazhin real të partisë opozitare por ato thirren në indivd që menaxhojnë apo janë liderë të asaj partie. Kështu mund të thuhet se këta individë udhëheqës në partitët politike vihen në vendin e parë duke u përkujdesur më shumë për imazhin e tyre se sa për sqarimin se çka duan të bëjnë dhe strategjinë reale apo iluzive si dhe vullnetin e madhe apo të pakët për të bërë ndryshime rrënjësore siç thuhet me një pompozitet të mëdhë gjatë fushatave elektorale.
Tendenca e ikjes nga realiteti politik i ka kapluar pothuajse të gjitha partitë politike në shtetin shqiptar ata po u ngjasojnë më shumë ëndërruesve të mëdhenj, por jo të realizueshëm sesa ralitetit të plotë politik dhe kryerejs së detyrës sipas kritereve demokratike në sistemin shtetëror. Ndërsa opozita duhet të jetë konstruktive sa u përket arritjeve të qeverisjes së tanishme dhe dështimeve të saj, ajo duhet të mendojë më shumë se si në rast se ka dështime të kapet pas atyre që ajo ka strategji t’i sanojë dhe të zgjidhë dëmet në të ardhmen në rast se fiton zgjedhjet si dhe të ketë strategji të qartë se si ajo mund të qeverisë më mirë dhe më drejt. Paçka se shihet sheshazi se opozita më shumë po merret me të shkuarën se sa po jeton duke bindur popullin se ardhmja mund të arrihet duke punuar drejtë dhe me hapa të sigurtë.
Shkuarja e Partive politike në Gërdec dhe protestat e opozitës në përgjithësi nuk kanë asnjë ndikim në zgjedhjet e radhës sepse shihet qartazi se çfarë dhimbje ka përjetuar populli dhe se si partitë politike opozitare dhe të tjerat me ato syze moderne dhe me ato lotë që binin në gurë treguan edhe njëherë se nuk kemi të bëjmë me një politikë të re, por me një marrëzi të vjetër që edhe më shumë po e çon robërinë në zgjedhë të rëndë dhe se populli nuk është i çmendur që të mos e mendojë këtë gjasë. Tundimi më i madh në këto fushata politike në Shqipëri - nga ana e partive opozitare - është se ato vetëm në këtë periudhë parazgjedhore me trumbetime për një jetë më të mirë po e mashtrojnë qytetarin, duke mos ditur se të gjitha premtimet duhet të kenë bazë dhe shanse realizimi.
Gjithashtu, në këtë fushatë, po shihen edhe emocionet latente të nxitura nga parulla joserioze, politizim të gjithçkaje, marrje me yçkla, të gjitha këto fushata që përmbajnë këso elemente siç po vërejmë në fushatat e partive politike janë një rrezik i djallëzisë dhe dobësimit të postulatit dhe substancës së demokracisë.