E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roberto Saviano ose rrengshori

Shpesh herë e vërteta vjen në dritë. Vonon por nuk harron. Edhe kur mundohesh të jesh tinëzar ndodh që fati të luan ndonjë rreng. Mirëpo dredhitë  mund të jenë të ndryshme dhe disa herë përdoren si lëndë krijuese nga profesionistët e fjalës, pra shkrimtarët në  artin e tyre. Pa humbur kohë  vijmë te lajmi. Së fundmi një reportazh i pasardhësve të gazetarit të mirënjohur Italian Indro Montanelli-t në “Il Giornale” nxorën në ndritë një të vërtetën mbi bestsellerin Gomorra, të shkrimtarit italian Roberto Saviano.
Në radhë të parë na shtangu lajmi, edhe pse gazetarët investigativë këtë punë kanë, të shtangin lexuesin me të pathënat që thuhen në rreshtat e punës së tyre. Por jo gjithmonë gazetarët kanë atë çfarë meritojnë. Ndodhi kështu edhe me lajmin për një plagjiaturë të mundshme të Gomorrës nga artikujt e kronikës së zezë të një gazetë lokale napoletane. Të pacituar në asnjë faqe të librit “Gomorra”. Çka përbën një vjedhje autorësie. Një plagjiaturë. Një krim intelektual. Edhe intelektualët bëjnë krime, madje nganjëherë janë më të dëmshëm nga ordinerët sepse kanë një impakt në ngjizjen e dukurisë. Tashmë dihet se libri Gomorra bën pjesë në zhanrin e non-fiction-it d.m.th midis shkrirjes së dokumentarit dhe romanit; ku patjetër citohen burimet e hetimeve mbi mafien Kamorriste, të disa kronistëve të mëdhenj të kronikës së zezë së gazetarisë italiane: por jo Simone di Meo, gazetar lokal i “Cronache di Napoli”.
Në radhë të dytë na vjen për të thënë se fati i njerëzve nga njëherë është njëkohësisht i çuditshëm dhe i tmerrshëm. Sepse. Njëri quhet Roberto Saviano. Tjetri Simone Di Meo. I pari ka shpërthyer kufijtë e Italisë me librin Gomorra, kurse i dyti ka mbetur free-lance pas eksperiencës me “Cronache di Napoli”. Saviano ka hyrë në star-sistem, kurse Di Meo mbetet, edhe pse stoikisht, një kronist i të zezës: d.m.th i vrasjeve, i vjedhjeve, i proceseve, i dhunimeve, i aksidenteve, me pak fjalë na japin një përshkrim të imët për llumin e shoqërisë. Por kanë mes tyre një  diçka që  i bashkon: mafia, kamorra.
Në radhë të tretë ky lajm për shqiptarët mund të krijojë disi kureshtje. Sepse pjesët e artikujve të kopjuara nga rrengshori R. Saviano, i përkasin trafikut të drogës që mafia napolenate Kamorra bënte me Shqipërinë. Me mafia shqiptare. Ja po ku japin një fragment: “kur bosi i mafia-s, Raffaele Amato u arrestua në një hotel në Casandrino bashkë me disa kolonelë të klanit të tij me ta ishte dhe një trafikant shqiptar (traficante albanese) që ndihmonte në përkthim në biznesin që Bosi do të lidhte me nipin e një Ministri Shqiptar. Koha e arrestimit është 2003-it gjatë qeverisë socialiste. Kuptohet për cilin ministër behet fjalë. Në libër flitet se bosi kishte një kredibilitet të  pa limituar në trafikun ndërkombëtar. Kuptohet përse. Sepse kishte marrëdhënie me mafiet shtetërore gjatë 2003-shit. Jo vetëm në Shqipëri, kudo në Ballkan e gjetkë.
Në radhë të katërt na vjen për të thënë se ka diçka që të dy palët fshehin. Është e qartë dhe në dritë të diellit se R. Saviano ka marrë e rishkruar disa pjesë të kronikave të Di Meos mbi mafien Napoletane. Dhe përderisa na takon të  themi Di Meo ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës që  ta cilësojë këtë akt. Pastaj vjen pjesa interesante e gjithë kësaj historie. Thuhet në ambientet e editorisë se Saviano nuk e ka cituar drejtpërdrejt kronistin, për arsyen se gazeta e vogël napolitane ishte e influencuar nga mafia Kamorra. Dhe për një libër që do të jetë anti-kamorra marrja e informacionit nga një punëtor i mundshëm i biznesit kamorra nuk do të ishte i besueshëm.
Në  radhë të pestë na vjen për të thënë se shkrimtarët pothuajse gjithmonë marrin diçka nga të tjerët, përveç shpirtit, kë të gjë edhe vetë etimologjia e plagjiaturës tregon se: nga lat. plagium, e nga greqishtja plágion ‘fshehje e nëndheshme’, nga plágios ‘ambige, i shkathët’. Ka njëfarë shkathtësie edhe në grabitjen e pronës intelektuale. Jo domosdoshmërisht etike. Duke menduar se edhe të kopjosh disa rreshta apo faqe është  një punë manuale që kërkon një sforco fizike të padiskutueshme. Por nga ana morale le shumë për të dëshiruar, madje duke ditur se behet fjalë për një libër non-fiction, afër rrethit të dokumentaristikës ku natyrisht citohen burimet dhe intuitat që vijnë e plotësojnë mozaikun e veprës. R. Saviano nuk e ka bërë citimin e burimeve dhe nuk mund të  mbrohet moralisht, pastaj civilisht është i lirë  të  ndjekë çdo lloj shtigje legale.
Së fundmi: personalisht kam firmosur peticionin në  mbrojtjen e jetës së shkrimtarit Roberto Saviano kur doli informacioni se Camorra donte ta eliminonte nga faqja e dheut. Natyrisht jeta njerëzore është e shenjtë. Prandaj firmosa në kor bashkë me 500 mijë të  tillë, sepse ishte e nevojshme ta ngresh zërin kur krimi thërret gjak. Sot po flasim për të  njëjtin njeri, për të  njëjtin shkrimtar sepse njerëzit duhet të  kuptojnë e te ftillojnë të  vërtetën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›