Një orë letërsie në shtëpinë e Ismail Kadaresë
Shtëpia e shkrimtarit është shndërruar këto ditë në klasa natyrore për zhvillimin e orëve të letërsisë, në kuadër të aktiviteteve në “Muajin e letërsisë dhe arteve” për nxënësit e shkollave të Gjirokastrës
Gjatë ditëve të fundit mjediset e gurta të shtëpisë së lindjes të shkrimtarit Ismail Kadare, në qytetin e Gjirokastrës, janë shndërruar në klasa natyrore për zhvillimin e orëve të letërsisë. Në kuadër të aktiviteteve për “Muajin e letërsisë dhe arteve”, nxënësit e shkollave të Gjirokastrës, në banesën e gurtë të Kadaresë kanë zhvilluar orë mësimore kushtuar jetës dhe veprimtarisë letrare të shkrimtarit. Pjesë e këtyre veprimtarive kanë qenë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në qytetin e gurtë. Megjithëse shtëpia e Kadaresë është në restaurim e sipër, sërish në mjediset e brendshme të saj apo përgjatë rrugicës të gurtë që të çon në banesë nxënësit kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh kushtuar Kadaresë. Ndërsa në klasën natyrore të improvizuar në rrugën e kalldrëmtë që të çon në banesën e Kadaresë, mësuesja Albana Muço që iu shpjegon nxënësve të shkollës “Koto Hoxhi”, përmbajtjen e poemës “Princesha Argjiro”, thotë se vetë nxënësit e kishin me shumë dëshirë këtë aktivitet. “Tashmë, Kadareja është kthyer në një simbol edhe për qytetin e Gjirokastrës, kështu që nxënësit dëshironin të shikonin shtëpinë e tij të lindjes në lagjen Palorto”, - thotë mësuesia. Gjatë këtyre aktiviteteve nxënësit gjirokastritë kanë bashkëbiseduar në lidhje me librat e Kadaresë, kanë recituar pjesë nga krijimtaria letrare e tij, etj. “Gjatë aktiviteteve që po zhvillojmë në shtëpinë e Kadaresë, nxënësit na pyesin për gjithçka; për historinë e shtëpisë, fëmijërinë që Kadareja ka kaluar në dhomat e gurta të saj, vendin që zë shtëpia e lindjes në veprën e tij letrare...”, - tregon mësuesja G.Shehu. Nga ana e tyre, vetë nxënësit shprehen të emocionuar ndërsa shikojnë dhe prekin nga afër shtëpinë ku ka lindur shkrimtari i madh i letërsisë shqipe. “Për ne, këto nuk janë thjesht aktivitete apo orë të zakonshme letërsie, por diçka më shumë, pasi ne njihemi me jetën dhe krijimtarinë letrare të Kadaresë, i cili në njëfarë mënyre është edhe bashkëqytetari ynë”, - thotë gjimnazistja K. Ndoni. “Unë kisha dëgjuar shumë për Kadarenë dhe shtëpinë e tij të lindjes, kështu që kisha mjaft dëshirë që të vija këtu”, - thotë gjimnazistja A.Lela teksa e emocionuar viziton për herë të parë banesën e lindjes të Kadaresë. Falë talentit të nxënësve dhe respektit që ata kanë për veprën e Kadaresë, në brendësi të mjediseve të gurta të shtëpisë kumbojnë pjesët që të rinjtë sjellin nga romani “Kronikë në gur”, “Princesha Argjiro” etj, duke e shndërruar banesën në një qendër të vërtetë jo vetëm të promovimit të veprës së Kadaresë, por edhe të letërsisë dhe artit shqiptar.
Bledar Shehu