Nënë Tereza, Muzeu Kombëtar ekspozon arkivat e Ministrisë së Jashtme
Muzeu Historik Kombëtar, me rastin e Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, ka shtuar si pjesë permanente një kënd kushtuar bamirëses, në të cilin përveç fotografive të shumta dhe objekteve personale janë ekspozuar edhe dokumente që dalin për herë të parë. Janë në fakt disa letërkëmbime dhe kërkesa që tregojnë sesi iu mohua e drejta Nenë Terezës për të vizituar familjen e saj dhe Shqipërinë para viteve ’90, që janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në këtë kënd është ekspozuar një letër sekrete (që tashmë nuk është publike për të gjithë vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar) e ish-ministrit të Jashtëm, Nesti Nase, ku i kërkohet të kundërshtojë kërkesën e Nënë Terezës që nëna dhe motra e saj t’i bashkoheshin. Në fakt, nuk është një kërkesë e drejtpërdrejtë e bamirëses, por e realizuar përmes Ministrisë së Jashtme franceze, e cila i shkruan Ambasadës Shqiptare në Paris. Mban datën 29 gusht 1969. Përmes saj i kërkohet leje qeverisë shqiptare që e ëma e Nënë Terezës dhe motra e saj, Age, të udhëtojnë drejt Francës, ku do të vendosen për pak kohë e pastaj të vihen nën kujdesin e “Caritas” në Vatikan. Letra mban datën 16 shkurt 1970, ku ish-ministri i Jashtëm, Nesti Nase i thotë përfaqësuesit të ambasadës sonë në Paris, që me takt të refuzojë kërkesën e Ministrisë së Jashtme franceze, duke i siguruar se “ato nuk kanë paraqitur kërkesë për t’u larguar nga Shqipëria dhe as e mendojnë këtë” e duke u zotuar se “do të kujdesen që të mos u mungojë asgjë, si çdo shtetasi tjetër shqiptar”. Pas largimit të saj nga Shqipëria, Nënë Tereza nuk mundi t’i shihte më nënën dhe motrën e saj. Po në këtë kuadër, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit shfaqi dje edhe filmin dokumentar “Nënë Tereza”, një ditë para 19 tetorit, Ditës së Lumturimit të saj. Dokumentari për figurën e bamirëses është realizuar nga regjisori Kujtim Gjonaj, me materiale arkivale nga AQSHF-ja dhe nga Arkivi i Vatikanit. Përgjatë rreth 50 minutave të filmit shpaloset gjithë figura e Nënë Terezës, që nga lindja e saj, vendimi për t’u bërë misionare në ndihmë të të varfërve, vdekja e saj e deri tek Lumturimi në vitin 2003, në Vatikan, nga Papa Gjon Pali II. Gjithashtu, një film mbi figurën e bamirëses shfaqet edhe në Muzeun Historik Kombëtar, titulluar “Ikona e dashurisë”, një realizim i Muzeut Kombëtar dhe RTSH-së, me skenar të Luan Malltezit, regji të Ilir Hashorvës dhe muzikë të kardinalit të parë shqiptar, Dom Mikel Koliqit.