Një parlament, një xhami dhe dy qendra tregtare/ Ambientalistët: Hajdeni të protestojmë, lini mitingjet politike
Ajo është një nga hapësirat e vetme të gjelbra që ka mbetur në kryeqytet. Por tani ka nisur të prishet për shkak se aty do ndërtohet një xhami, që quhet edhe Xhamia e Madhe e Tiranës. Por jo vetëm kaq. Aty afër do jenë edhe dy qendra gjigande tregtare. Ta mendosh që aty është edhe parlamenti.
Ambientalistët kanë ngritur zërin, duke kërkuar që qytetarët të ngrihen në protesta për prishjen e parkut.
Sazan Guri thotë për Shekullin se ata nuk kanë asgjë kundër xhamisë, por ndërtimi i saj do i bëjë një dëm të madh ambientit.
Ajo që na shqetëson është se kjo hapësirë publike është pothuajse hapësira e fundit e gjelbër territoriale në qendër të qytetit.
Në syrin tonë, një parlament, me një institucion fetar dhe dy qendra biznesi në atë hapësirë nuk mund të jetë pa zona ndarje, pa krijim të hapësirave midis njëra- tjetrës, nuk mund të funksionojnë kaq afër. Unë kam dëgjuar vetë në media dhe kam komunikuar me personalitete të komunitetit fetar, që thonë se kjo nuk përbën zgjidhje për ta. Kjo pasi sërish do të ketë 100 mijë veta që do të dalin në rrugë dhe të falen. Populli përfaqësohet nga tre institucione fetare, që deri tani janë të ndërtuara. Deri tani janë kënaqur edhe tre komunitete fetare, me një xhami 500 vjeçare, me një kishë katolike dhe një ortodokse në qendër të qytetit, thotë Guri.
Kurse Lavdosh Ferruni thotë se është shkelur Kushtetuta e Tiranës, duke iu referuar etiketimit të Berishës ndaj planit rregullues të kryeqytetit.
Në këtë kushtetutë thuhet se hapësira e gjelbër është e pandryshueshme. Nëse kjo nuk respektohet, atëherë duhet ndryshuar./ep