E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një person tenton të hidhet nga shtylla, e pëson polici

Efektivi Ardian Dibra, 41 vjeç, ka rënë nga një lartësi prej 4-5 metrash, fatmirësisht duke i shpëtuar vdekjes. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku sipas njoftimeve të fundit, është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja e pazakontë është regjistruar në zonën e “Don Boskos”, ku 60-vjeçari Caush Isaraj ka hipur rreth orës 08:30 në shtyllë të tensionit të lartë, duke kërcënuar se do të hidhej prej aty. Arsyeja e tentativës për vetëvrasje ishin disa probleme që ai kishte me pronat, dhe gjatë tentativës mbante edhe një dosje në dorë.

Caush Isaraj, me origjinë nga Picari i Gjirokastrës, bënte apel që të zgjidhej problemi i tij, në të kundërt do të hidhej nga shtylla. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë të lajmëruara nga qytetarët e ndodhur aty.

Pas dy orë negociatash me policinë, Isaraj është lokalizuar nga dy efektivë të RENEA-s, dhe më pas në shtyllë janë ngjitur edhe disa efektivë të tjerë. Por, ky moment ka rezultuar fatal për 41-vjeçarin Ardian Dibra, të cilit i ka rrëshqitur këmba dhe ka përfunduar në tokë nga 4-5 metra lartësi.

Ai është marrë me shpejtësi nga ambulanca që kishte mbërritur më parë në vendin e ngjarjes dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Fatmirësisht viktima është përmendur dhe aktualisht mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. /Start/

                                                                                             2011-07-04 11:16
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›