Një politikë më e guximshme nga Banka e Shqipërisë
Elton Leka, Pedagog
-Banka Qendrore Europiane vendosi uljen e normës së interesit duke e çuar në minimumin historik 0.5 % nga 0.75 %. Më mirë vonë se sa kurrë, pasi ekonomia europiane ka nevojë për kreditim dhe kjo ulje e normës së interesit do të ndikojë në nxitjen e kreditimit, duke qenë se kostoja e parasë tani do të jetë më e ulët. Kjo lëvizje erdhi edhe si pasojë e rritjes së papunësisë në Eurozonë, e cila arriti në 12.1 % në mars 2013 si dhe rënies së inflacionit në Eurozonë, e cila pësoi një rënie nga 1.7 % në muajin mars në 1.2 % në muajin prill. Ndërkohë në Shqipëri norma e interesit ngeli përsëri e pandryshueshme në nivelet e 3.75 %. Edhe pse rritja ekonomike ka pësuar rënie nga viti në vit, ku vetë Banka e Shqipërisë thotë që konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta në prani të pasigurive për të ardhmen, të ngadalësimit të të ardhurave të disponueshme, të kushteve më të shtrënguara të financimit dhe të kapaciteteve të lira të prodhimit. Një ulje e mëtejshme e normës së interesit të Bankës së Shqipërisë do të ndikonte pozitivisht në nxitjen e bankave të nivelit të dytë, për të rritur kreditimin pasi normat e interesit do të jenë edhe më tërheqëse për investitorët dhe për familjet shqiptare. Kjo do të rriste konsumin dhe prodhimin, do të ndikonte dhe në plotësimin e kushteve të shtrënguara të kredidhënies, pasi me një normë interesi më të ulët, do te rritej dhe numri i atyre bizneseve dhe familjeve për të përballuar një kredi pasi e thënë më thjesht kësti i kredisë në fund të muajit do të jetë më i vogël, pra dhe më i përballueshëm, duke plotësuar kështu edhe kushtin e aftësisë paguese të një njësie familjare apo biznesi. Për sa i përket inflacionit, ajo përsëri nuk do të përbëjë rrezik për rritjen e tij pasi është në nivele të ulëta dhe të përballueshme. Për muajin mars inflacioni është në nivelin e 2.4 % ndërkohë që dhe vetë objektivi i Bankës është që ta mbajë atë nën 3 %. Nuk mund të ketë rrezik që një ulje e mëtejshme e normës së interesit me të paktën 0.25 % do të shkaktonte një rritje të inflacionit në mbi 3 %, por kjo ulje do të ndikonte pozitivisht në rritjen ekonomike të vendit duke nxitur konsumin, investimet private dhe ulur papunësinë. Edhe pse Banka e Shqipërisë bazohet në shifrat zyrtare të shtetit sipas të cilave pretendohet që papunësia ka rënie, ndërkohë që ekonomia ka pësuar rënie, punonjësit e saj duhet ta dinë që ekonomia shqiptare është ekonomi shumë informale; kështu që duhet të bëjnë analizat edhe mbi papunësinë e paregjistruar, por reale. Duke qenë se Banka Qendrore Europiane më në fund vendosi uljen e normës së interesit për shkak se inflacioni ka qenë dhe është në nivele të ulëta si dhe papunësia në Eurozonë vazhdon të rritet, atëherë të njëjtën gjë mund ta bëjë dhe Banka e Shqipërisë, duke parë parametrat e ekonomisë. Prandaj, duhet dhe kërkohet një politikë më e guximshme nga Banka e Shqipërisë për të ndihmuar shqiptarët dhe ekonominë e tyre të rritet për t’ju larguar trendit rënës të viteve të fundit.