E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një program i gjerë synon mbrojtjen e lagunave të vendit



Një program ambicioz i PNUD-it, “Programi për Ndryshimet Klimatike”, synon krijimin e një mekanizmi, përmes të cilit synohet të shtohen, përmirësohen dhe zbatohen ato strategji që zbusin, përshtatin apo përfitojnë nga pasojat e ndryshimeve të klimës. Duhet theksuar se deri më sot nuk janë marrë në konsideratë ndikimet, qoftë dhe ato aktuale të klimës dhe ngjarjeve ekstreme të saj. Me kërkesë të qeverisë shqiptare, “Global Environment Facility” ka koordinuar fondin përkatës për projektin “Identifikimi dhe zbatimi i masave për adaptimin e zonës ndërmjet derdhjeve të lumenjve Drin dhe Mat”. Ky projekt pilot do të realizojë zhvillimin e kapaciteteve teknike dhe institucionale, inicimin e masave për adaptim, si restaurim të dunave bregdetare, modifikim dhe zgjerim të rrjetit të zonave të mbrojtura, apo dhe masa të tjera adaptimi në terren. Ndryshimet klimaterike globale rrezikojnë seriozisht lagunat në vend. Laguna e ishullit Lezhë, ajo e Karavastasë dhe Laguna e Patokut, kërcënohen nga erozioni i detit, zhdukja e bimësisë dhe shpendëve në to, duke përbërë një rrezik serioz dhe për biodiversitetin e këtyre zonave. Për të kuptuar më mirë se ç’po ndodh realisht me këto ndryshime, mund të sjellim një fakt që ka të bëjë me zonën e Shëngjinit dhe ishullin e Lezhës. Në këtë zonë, deti ka avancuar me rreth 120 metra në drejtim të tokës, ndërsa vetëm javët e fundit, fuqia e dallgëve për shkak të ndryshimit të stinës, ka sjellë shkatërrimin e rrugës që përshkon zonën Kume—Vain, duke rrëzuar në tokë pisha qindra vjeçare. Se sa kanë ndikuar ndryshimet klimaterike, por dhe ndërhyrjet e njeriut në këtë zonë, mjafton të përmendim faktin se para viteve ’90 në këtë zonë numëroheshin rreth 50 mijë shpendë, 196 lloje shpendësh të ujit, ndër më të rrallët në botë, 22 çifte pelikanësh, të cilët nuk rikthehen më në këtë zonë, ndërsa sot, numri i shpendëve nuk e kalon shifrën e 2000 të tillëve. Përveç ndryshimeve klimatike dhe mungesës së kujdesit për këtë zonë pas viteve ’90, një faktor shumë i rëndësishëm i rrallimit të shpendëve është dhe gjuetia me leje e pa leje në këtë zonë, dhe nga shoqata të huaja gjuetarësh. Por ndryshimet klimatike, rritja e temperaturës globale me rreth 4 gradë celsius deri në fund të këtij shekull, rritja e nivelit të detit me rreth 50 cm dhe dukuritë natyrore ekstreme si përmbytjet apo thatësirat, përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm jo vetëm për gjallesat në këto zona.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›