E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olli Rehn dhe qëndrimet e PD-së dhe PS-së



Interpretimet e politikës shqiptare ndaj raport-progresit të prezantuar nga komisioneri Olli Rehn me 14 dhe 15 tetor në Komisionin Evropian dhe në Parlamentin Evropian.

Raporti i progresit dhe i strategjisë së zgjerimit të EU-së i prezantuar nga komisioneri Olli Rehn përmban në pjesën e tij mbi Shqipërinë një sërë kritikash dhe propozimesh në rrugën drejt integrimit evropian. Pa dashur të futem në një analizë të thellë të këtij raporti, le të koncentrohemi tek thëniet kyçe të tij dhe mbi të gjitha tek reagimet dhe efektet e tij nga dhe tek politika shqiptare. Në raport thuhet: “Albania has made progress on key political reforms. The parliamentary elections of June 2009 met most international standards but further efforts are needed to address the shortcomings identified” (faqe 14, par. 2). Më tej, në konkluzionet dhe rekomandimet në raport thuhet për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009: “Parliamentary elections met most international standards but shortcomings remain to be addressed in future elections” (faqe 18, pika 10), thënë shqip: “Në zgjedhjet parlamentare u përmbush shumica e standardeve internacionale dhe deficitet e evidentuara mbeten për t’u përmirësuar në zgjedhjet e ardhshme”. Ky raport përmban dhe një sërë propozimesh, ndër të cilat një vend të veçantë zënë forcimi i shtetit ligjor dhe i së drejtës, forcimi i luftës kundër korrupsionit, reforma e sistemit gjyqësor, forcimi i lirisë së shprehjes dhe i medias dhe forcimi i shoqërisë civile.

Edhe z. Rehn në prezantimin e tij më 14 tetor në Komisionin Evropian dhe më 15 tetor në Parlamentin Evropian përsëriti pikat e lartpërmendura të cilat u mbështetën në mënyrë të veçantë nga europarlamentarja Doris Pack, e cila shtoi se Shqipëria ka qeverinë e duhur dhe është në rrugën e duhur. Edhe europarlamentarja Tanja Fajon përforcoi progresin e Shqipërisë në fusha të ndryshme, duke kërkuar dhe një datë të qartë për procesin e liberalizimit të vizave me Bosnje-Hercegovinën dhe Shqipërinë. Në referim të kësaj pyetjeje, Olli Rehn u përgjigj se në momentin që këto vende përmbushin kushtet e vëna, atëherë do të propozojmë në gjysmën e parë të vitit 2010 liberalizimin e vizave.

Nga gjithë kjo transparencë internacionale pritet të paktën një farë konsensusi nacional d.m.th. i palëve politike shqiptare për sa i përket kësaj çështjeje me rëndësi mbipartiake dhe kombëtare. Në fakt, po ndodh e kundërta dhe raporti i EU-së po instrumentalizohet në mollën e sherrit të radhës, falë fuqisë së shfrenuar të fjalës në këtë rast të interpretimit. Si rezultat kemi një situatë të tillë: një progres-raport të EU-së për zhvillimet e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe dy qëndrime politike: atë të mazhorancës qeverisëse dhe atë të opozitës bojkotuese. Ndërsa mazhoranca e ka zbutur qëndrimin e saj nga deklarata direkt pas zgjedhjeve se u përmbushën të gjitha standardet deri më sot, duke korrigjuar këtë qëndrim me anë të deklaratës se raporti është shumë objektiv, është një program pune për qeverinë dhe se shumica e standardeve të zgjedhjeve janë arritur dhe se ka akoma aspekte që duhen përmirësuar në zgjedhjet e ardhshme, pra një qëndrim i njëjtë me atë të raportit të EU-së të lartpërmendur. Nga ana tjetër, kemi opozitën e kryesuar nga PS-ja, e cila me anë të bojkotit të Parlamentit e ka shndërruar qëndrimin e saj nga një qëndrim ekstrem në ultraekstrem. Deri para shpalljes së raportit, PS deklaronte që zgjedhjet nuk arritën standardet dhe se rezultati u shtrembërua. Pas shpalljes së raportit, PS pretendoi e para në mënyrë shumë ekskluzive përputhjen e kërkesave të saj me ato të raportit, por kërkesa kryesore dhe politikëzhbllokuese e PS-së është hapja e disa kutive votimi, gjë që në raport jo vetëm që nuk përmendet, por as nuk nënkuptohet dhe thuhet qartë se deficitet e këtyre zgjedhjeve do të mbeten për t’u plotësuar në zgjedhjet e ardhshme. Duke dashur të qëndroj tek mundësitë e interpretimit, të cilat krijojnë dhe hapësira spekulimi dhe dezinformimi, po i lejoj edhe unë vetes për hir të debatit politik, të them që ky raport shënon dhe fillimin e aktit të fundit të tragjikomedisë PS. Kjo parti që po transformohet nga PSSH në PSER (Partia Socialiste Edi Rama) jo vetëm që është bërë një arenë e politikave personale, duke shkelur rregullat e lojës së pluralizmit, por po humbet dita-ditës besueshmërinë e saj. Kjo tragjikomedi filloi me vizionin e z. Rama për të shndërruar PSSH-në nga një parti mbarëkombëtare me politika të vërteta sociale e integruese në një forum rinor të saj dhe që po simulon segmentimin e elektoratit të majtë. Një argument pro kësaj hipoteze është dhe vetë fakti që në krahun e majtë ekziston një numër shumë më i madh partish sesa në krahun e djathtë. Shumëkush mund të thotë që është shenjë e pluralizmit më të zhvilluar, por çdo politolog apo qytetar i interesuar politik e di që kjo është një përpjekje në kërkim të identitetit të vërtetë socialist.

Tashmë, PS gjendet në dilemën më të madhe të historisë së saj postkomuniste që është pyetja: Cila është humbje më e madhe për Shqipërinë: dështimi i Edi Ramës apo dështimi i PS?

- Një tjetër aspekt që vlen për t’u përmendur në këtë analizë, është përfaqësimi dhe situata e Shqipërisë në institucionet e Bashkimit Evropian. Shqipëria është një vend që ne vetë kemi pretenduar që jemi dënuar shumë shpesh nga historia, por nga ana tjetër duhet të jemi dhe të lumtur që këto dënime kanë mbetur me kaq dhe se është një përfitim madhor që ne jemi gjeografikisht dhe historikisht një pjesë e Evropës. Nga ky konstatim dhe nga asistimi personal në Parlamentin Evropian mund të them që ekziston një klimë tepër pozitive në këtë institucion për sa i përket integrimit të Shqipërisë në EU, por nga ana tjetër mungon përfaqësimi i Shqipërisë apo i lobit shqiptar, që të mbrojë interesat kombëtare dhe të jetë në gjendje të prezantojë në mënyrë objektive dhe profesionale arritjet, problemet dhe kërkesat shqiptare. Përveç europarlamentares znj. Pack, europarlamentares znj. Fajon dhe tek-tuk ndonjë europarlamentar i Evropës Lindore si p.sh. Z. J. Kacin apo Z. E. Kukan nuk ekziston një delegacion i përhershëm apo një përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në këto instanca.

- Ashtu siç u lartpërmend, mbi Shqipërinë eksiton një klimë pozitive dhe për sa u përket zhvillimeve politike dhe avancimit të reformave Shqipëria renditet në një pozicion të mesëm, duke lënë pas në disa aspekte Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Turqinë, por duke u renditur pas Malit të Zi, FYR Maqedonisë dhe Serbisë, në disa aspekte të tjera si forcimi i institucioneve apo i shtetit të së drejtës, por dhe në standardet e zgjedhjeve. Përveç kësaj, vlen për t’u përmendur se vlerësimi i zgjedhjeve për Malin e Zi thotë: “Political reforms have continued in Motenegro and the parliamentary elections of March 2009 met almost all international standards but remaining shortcomings need to be addressed” (faqe 13, par. 2), pra edhe këtu janë evidentuar disa deficite. Një gjë e tillë vlen edhe në lidhje me Maqedoninë (faqe 13, par. 1).

- Së fundmi është për t’u vlerësuar fakti që Shqipëria, për t’u rikthyer edhe një herë në thënien “...jemi dënuar shpesh nga historia”, nuk ka as konflikte etnike dhe as konflikte territoriale, në të kundërt të Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Turqisë, Kosovës apo Maqedonisë.

Si përfundim, mund të thuhet se zhvillimet e mëtejshme politike në Shqipëri mbeten tepër interesante dhe monitorohen në mënyrë permanente nga EU, e cila në bazë të këtyre zhvillimeve do të vendosë mbi dy çështje jetike për Shqipërinë që janë: shqyrtimi i aplikimit për në BE dhe procesi i liberalizimit të vizave. Mbetet vetëm të shpresojmë që klasa politike dhe, mbi të gjitha, qeveria shqiptare, të dijë të shfrytëzojë këtë situatë tepër të favorshme dhe të japë maksimumin në plotësimin e kërkesave që, në fund të fundit, janë thjesht pjesë e evropianizimit të vendit.

Ergys Metalija MA

Ergys Metalija punon si Intern në Fraksionin e PPE në Parlamentin Evropian në Bruksel, në departamentin Relation with National Parliaments.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›