Kredia në 6-mujorin e parë 2009 u rrit me 6.3% për qind
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, zhvillimi i sistemit financiar në vend u ndikua prej ndalesës së rritjes së sektorit bankar. Pjesa tjetër e tregut financiar, e përfaqësuar kryesisht nga shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, fondet e pensionit dhe shoqëritë e kursim-kreditit, ka shënuar një rritje të mirë të veprimtarisë. Për sektorin bankar, në fund të muajit qershor totali i mjeteve mbeti pranë nivelit të tij në fund të vitit 2008, në vlerën rreth 832 miliardë lekë. Në krahasim me muajin qershor 2008, kredia ka shënuar një rritje prej rreth 21.5 për qind, në nivelin 419 miliardë lekë. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, kredia është rritur vetëm me 6.3 për qind. Për sa u takon depozitave, deri në fund të muajit qershor 2009 sektori bankar rimblodhi rreth 1/3 e vlerës së depozitave të humbura në tremujorin e fundit të vitit 2008 dhe në tremujorin e parë të vitit 2009. Ky ritëm i rikthimit të depozitave ka qenë i qëndrueshëm dhe ka vijuar edhe në periudhën e verës. Kthimi i depozitave të publikut në sektorin bankar pritet të ndikojë pozitivisht edhe në aftësinë e tij për të kredituar ekonominë. Situata më e vështirë e sektorit real të ekonomisë, si edhe tkurrja e burimeve të financimit gjatë periudhës, u shoqëruan me rënien e cilësisë së portofolit të kredisë. Në fund të muajit qershor të vitit 2009, kredia me probleme përfaqësonte 8.7 për qind të vlerës së përgjithshme të portofolit të kredisë. Në vijim, bankat kanë rritur fondet rezervë për humbjet e mundshme nga kreditë dhe kjo është shoqëruar me një ndikim negativ në rezultatin financiar të periudhës. Sidoqoftë, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit sektori bankar shënoi një rezultat financiar pozitiv në vlerën 0.66 miliardë lekë. Për sa i takon kapitalizimit të veprimtarisë, ky tregues mbetet i qëndrueshëm dhe në nivele të kënaqshme. Në fund të muajit qershor 2009, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rezultoi 16.9 për qind. Në ruajtjen e qëndrueshmërisë së treguesit të kapitalizimit të veprimtarisë, ka ndikuar ngadalësimi i investimeve me koeficient rreziku të lartë, ruajtja e një rezultati financiar pozitiv, mosshpërndarja e fitimit dhe rritja e kapitalit nga aksionerët. Për sa u takon treguesve të likuiditetit, në fund të muajit qershor mjetet likuide të sektorit bankar përfaqësonin 40 për qind të totalit të mjeteve, duke mbuluar plotësisht të gjitha detyrimet e sektorit bankar me afat maturimi deri në një vit. Ecuria e këtyre treguesve financiarë të sektorit bankar reflektoi përgjithësisht të njëjtën sjellje edhe në periudhën korrik-gusht 2009.