E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një projekt për të shpëtuar shtëpinë e Fishtës

Në prag rrënimi dhe e mbuluar nga ferrat, shtëpia e Atë Gjergj Fishtës ka qenë shpesh objekt diskutimi për fatin që i ka takuar. Një projekt restaurimi duket se do t’i përmirësojë sadopak gjërat.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Tiranë ka gati projektin që do të zbatohet këtë vit. Drejtori Arbër Kadia tregon se ashtu si pjesa më e madhe e ndërhyrjeve që bëhen në monumente me karakter arkitekturor, edhe në rastin e shtëpisë së Atë Gjergj Fishtës do të synohet t’i rritet jetëgjatësia.

“Do të jenë ndërhyrje që do të konsolidojnë më së miri strukturën e godinës, por duhet thënë se nuk janë përfundimtare. Për asnjë monument kulture nuk ka ndërhyrje përfundimtare. Njëherë restaurohet çatia, herë tjetër parmakët apo kasat e dyerve etj. Ndërhyrja në shtëpinë e Atë Gjergj Fishtës është e mirëpritur, sepse aty ka pasur probleme strukturore. Ky projekt do të ndihmojë të ndalet ecuria e degradimit të godinës”, thotë Kadia. Projekti parashikohet në vlerën e 3 milionë e gjysmë lekë të reja, por Kadia shprehet se duke e riparë edhe njëherë gjendjen e banesës mund të ketë edhe diçka më shumë.

Shtëpia e poetit të njohur, për momentin nuk është një destinacion turistik. Rrugën drejt fshatit Fishtë të Komunës së Blinishtit e marrin ata pak njerëz që njohin veprën dhe personalitetin e Fishtës, nxitur nga kureshtja për të parë vendin ku u rrit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›