E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diskriminues dhe përjashtues

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë ka reaguar ndaj zhvillimeve rreth projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, protestës së paralajmëruar nga shoqëria civile në Prizren, injorimit të kërkesave qytetare për mosmiratim të këtij projektligji si dhe presioneve të cilat, sipas KMDLNj-së, po bëhen mbi deputetet që ai të votohet me urgjencë.

“KMDLNj konsideron se projektligji në fjalë është në kundërshtim të drejtpërdrejt me dispozitat e Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të cilat në mënyrë të qartë e përcaktojnë Kuvendin e Komunës në Prizren si autoritet që duhet të themelojë atë. Po ashtu KMDLNj konstaton se ky projektligj është në kundërshtim të plotë me parimet themelore të Kushtetutës siç janë laiciteti dhe neutraliteti i shtetit për çështjet e besimeve fetare.

Madje, në rastin konkret është skajshmërisht diskriminues ndaj besimeve të tjera fetare duke zbatuar standarde të dyfishta. Sepse favorizimi i një komuniteti fetar përbën diskriminim të hapur ndaj qytetarëve të besimeve të tjera apo atyre që nuk identifikohen me asnjë nga këto komunitete fetare”, thuhet në një komunikatë të KMDLNj-së.

Sipas saj, nëse miratohet ky projektligj në këtë formë dhe përmbajtje e federalizon pushtetin në Prizren duke i krijuar dy njësi institucionale, atë ekzistuese dhe tjetrën të Qendrës Historike në Prizren.

Gjithashtu, KMDLNj kundërshton presionet që po u bëhen deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për miratimin e shpejt të këtij ligji, duke injoruar kërkesat e qytetarëve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›