E Diel, 1 Nëntor 2026

Një projekt që nuk ka ndryshuar ende

Prof. Dr. Rami Memushaj

-Kapedani qeparotas Sokrat Leka i tha njeriut të grekëve se himarjotët nuk do të linin këmbë të shkelte në brigjet e tyre. Të shtatë fshatrat e Himarës dhanë besën dhe dërguan roje për të ndaluar çdo zbarkim të ngatërrestarëve grekë 

Përpjekjet për aneksimin e Himarës dhe të hinterlandit të saj përbëjnë një konstante të politikës aneksioniste greke që nga koha kur Greqia u bë shtet më vete e deri në ditët e sotme. Gjatë këtyre 200 vjetëve, sa herë që Shqipëria ka kaluar situata të turbullta, qeveritë greke kanë bërë çmos për t’i jetësuar këto përpjekje. Që në mesin e shek. XIX, një diplomat francez i asaj kohe raportonte se shumë anëtarë të qeverisë greke dhe veçanërisht ministri i jashtëm grek Jani Koletis kishin agjentë në Epir, të cilët punonin «për të ushqyer frymën për qëndrime që të mundin, kur ta lejojnë rrethanat e favorshme, përmbushjen e kësaj dëshire». Për të vënë në jetë këto synime, në mars 1854 banda të financuara dhe të armatosura nga qeveria greke filluan aksionet e tyre në Himarë. Kundër bandave që dolën në Himarë u dërguan forca qeveritare nga Berati, të cilat u bashkuan me çetat e fshatrave të Mesaplikut, me çetën e Sokrat Lekës nga Qeparoi dhe çetën e Mëhill Qirjaqit nga Çorraj. Duke vepruar së bashku, këto forca i hodhën në det bandat greke. Megjithatë, qeveria greke nuk hoqi dorë nga planet e saj. Me qëllim që t’i shkëpuste Turqisë trevat shqiptare nga Himara e poshtë, ajo mendonte që “kryengritja” greke të niste pikërisht nga Himara. Për këtë, në gusht 1877, ajo dërgoi fshehurazi qeparotasin Jorgji Stefani, i cili u takua me kapedanët e Bregdetit në vendin e quajtur Lëmënjëra, në fushë të Qeparoit, dhe u përpoq t’i bindte krerët ta lejonin të zbarkonte me një kontigjent grek në Skalomë të Qeparoit. Po kapedani qeparotas Sokrat Leka, kur dëgjoi këtë propozim, i tha njeriut të grekëve se himarjotët nuk do të linin këmbë të shkelte në brigjet e tyre. Të shtatë fshatrat e Himarës dhanë besën dhe dërguan gjatë bregut të detit roje për të ndaluar çdo zbarkim të ngatërrestarëve grekë. Këtë e pohon edhe autori grek E. Kofos, i cili thotë se «popullsia e rajoneve malore të bregut të Himarës dhe në veriperëndim të saj nuk lëvizën fare». Me dështimin e përpjekjeve për të zbarkuar në zonën e Himarës, grekët më 24 shkurt (12 shkurt me kalendarin e vjetër) 1878 zbarkuan forca në Lëkurës të Sarandës, ngjarje që shënoi fillimin e asaj që në histori njihet si Lufta e Lëkurësit. Po edhe të krishterët e Delvinës nuk i përkrahën. Nënkonsulli francez Morò, në raportin për zbarkimin e Lëkurësit, pohonte se «lokalitetet me popullsi të krishterë… nuk u treguan veçse shumë pak të gatshëm për të hyrë në rreziqet e një aventure kaq serioze». Sikurse dihet, këto përpjekje filluan në nëntor 1912, pak para se Ismail Qemali të shpallte pavarësinë e Shqipërisë, me zbarkimin në Himarë të forcave të rregullta dhe të andartëve grekë, duke përfunduar me pushtimin e trevave shqiptare që përbëjnë të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Kjo u përsërit edhe në dimrin e viteve 1940–1941, kur ushtria greke, në ndjekje të ushtrisë fashiste italiane, kapërceu kufirin tonë jugor dhe i ripushtoi këto territore                   

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›