E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kardinajtë përfundojnë Kongregacionet e përgjithshme. Konklavi do të fillojë sot

12-03-2013 / Gazeta 55

U mbajt dje paradite, në Sallën e Re të Sinodit, Kongregacioni i dhjetë e i fundit i përgjithshëm i kardinajve, në prag të Konklavit, që do të fillojë sot. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, u takua përsëri me gazetarët. Në këtë takim të fundit u dha të gjithë serinë e informacioneve e të hollësirave për ngjarjet e ditëve të ardhshme. Kongregacioni, që u mbajt dje paradite, ishte i dhjeti: të pranishëm, 152 kardinaj. Në fillim të këtij takimi, u hodh shorti për nëntë anëtarë të Kongregacionit të posaçëm, që do të ndërrohen çdo tri ditë; ata, që u caktuan me short sot paradite, do të vijojnë detyrën edhe gjatë Konklavit, e prej këndej, Kongregacioni i posaçëm përbëhet vetëm nga kardinaj zgjedhës. Tre të zgjedhurit, që do ta ndihmojnë Kamerlengun, janë Kardinali Naguib, për Urdhërin e Ipeshkvijve; kardinali Uilet, për atë të Presbiterve e kardinali Monterizi, për Urdhërin e Diakonëve.
Dy saktësime të vogla: tre kardinajtë u caktuan me short, nuk u zgjodhën, e do të mbeten në detyrë, e përsërisim, për tri ditë; prej këndej, nëse Konklavi do të zgjasë më shumë, duhet hedhur shorti për tre të tjerë. E pasur me diskutime, paraditja e djeshme, sepse, duke qenë Kongregacioni i fundmë, shumë veta kërkuan t’u jepej fjala. Gjatë paradites së sotme folën 28 vetë, duke arritur, kështu, numri, në 161 diskutime gjithsejt gjatë këtyre ditëve të dhjetë Kongregacioneve. Pjesëmarrje e gjerë, ndonëse ka mundësi që ndonjëri do të kishte dëshiruar të fliste më gjatë. U votua për përfundimin e Kongregacioneve, domethënë, për të mos e mbajtur Kongregacionin e pasdites, sepse tashmë kardinajtë po përgatiten të transferohen në Shtëpinë e Shën Martës, ku do të banojnë gjatë gjithë Konklavit. Prej këndej, Kolegji Kardinalor shprehu dëshirën t’u japë fund këshillimeve, duke pasur parasysh edhe gjatësinë e diskutimeve të fundit. Ndërmjet temave, që meritojnë të përmenden, kujtojmë gjendjen e IOR-it (Instituti për Veprat Fetare) me një relacion, mbajtur nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone i cili, me cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kardinalor të mbikqyrjes, plotësoi serinë e diskutimeve kushtuar situatës ekonomike, që u prek edhe javën e kaluar. U fol kryesisht për natyrën e Institutit, për vijimin e përfshirjes në sistemin ndërkombëtar të Kontrollit të Moneyval e për probleme të ndryshme. Më pas u prekën argumente të tjera, por, në mënyrë të posaçme, me që ishte takimi i fundit, u fol sidomos për profilin e Papës së ri si dhe për shpresat që ushqehen në këto ditë vendimtare.
Dje pasdite u betuan të ngarkuarit me detyra në Konklav, sipas parashikimit të Kushtetutës Apostolike, neni 48 e në vijim. Betimi u bë në Kapelën Paoline, në orën 17.30, kryesuar nga kardinali Kamerleng. Numri i atyre, që u betuan e që do t’i ndihmojnë kardinajtë gjatë Konklavit, ishte 90. Ndërmjet figurave më në shenjë, sekretari i Kolegjit Kardinalor, që nuk është kardinal e asiston kardinajtë gjatë Konklavit; pastaj Mjeshtri i Kremtimeve dhe ceremonierët; e akoma, rregulltarët e rregulltaret, të ngarkuar me punë në sakrestinë e Konklavit, sakresti papnore. Pastaj ishin edhe rregulltarët për rrëfime, personeli i shërbimit në mensë dhe i pastrimit në Shtëpinë e Shën Martës, i shërbimit teknik, shoferët e mikrobusëve, me të cilët kardinajtë do të zhvendosen nga Shën Marta, në Pallatin Apostolik; të ngarkuarit për ruajtjen e mjedisit nga Roja Zvicerane e Xhandarmëria: një sërë figurash, pra, që do të ndihmojnë e do të bashkëpunojnë brenda Sikstinës e prej këndej, edhe duhet të betohen për ta mbajtur sekretin, siç parashikohet në Kushtetutën Apostolike. Nuk do të ketë transmetim të drejtpërdrejt të pamjeve të betimit nga Qendra Televizive e Vatikanit, sepse konsiderohet ngjarje anësore; megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të ketë pamje të regjistruara të ngjarjes.
Sot, në orën 10.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, do të kremtohet “Missa pro eligendo Romano Pontefice”. Libreti i liturgjisë është tashmë gati, si i shtypur në kartë, ashtu edhe në internet, në kanalin, seksioni i Zyrës së Ceremonive Liturgjike. Libreti, si gjithnjë, tashmë prej kohe, ka tekstin e plotë në italisht e në anglisht, përveç origjinalit në latinisht, sepse liturgjia e nesërme do të kremtohet pikërisht në latinisht. Kremtimin do ta kryesojë kardinali dekan, Anxhelo Sodano; me të do të bashkëkremojnë të gjithë kardinajtë, jo vetëm zgjedhësit; homelia do të mbahet në gjuhën italiane e teksti do të dorëzohet, i përkthyer edhe në gjuhë të tjera, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në Konklavin e kaluar, Mesha “Për zgjedhjen e Papës” pati zgjatur 1 orë e 40 minuta, prej këndej, mendohet që kremtimi i nesërm nuk do të zgjasë më shumë se dy orë. Nuk ka bileta e në Meshë mund të marrin pjesë të gjithë besimtarët, që dëshirojnë të bashkohen në lutje me Kishën Universale. Hyrja në Konklav përshkruhet hollësisht në Ordo rituum conclavis. Nesër, në orën 16.30, kardinajtë do të shkojnë me procesion nga Kapela Paoline, ku do të arrijnë nga Santa Marta, në atë Sikstine. Para procesionit do të ketë një lutje të përbashkët. Rendi i pjesëmarrjes në procesion do të jetë ky: do të prijë Kryqi me mbajtësit e qirinjve, më pas vijnë këngëtarët e Kapelës Sikstine, që do të intonojnë himne të shenjta, pastaj prelatët, sekretari i Konklavit, kardinali Grech, të cilit iu besua meditimi e pastaj, të gjithë kardinajtë e tjerë. Procesionin e mbyll kardinali Re, më i vjetri i Urdhërit të Ipeshkvijve, kremtues i procesionit dhe i betimit në Kapelën Sikstine. Kardinali Re shoqërohet nga Mjeshtri i Kremtimeve Papnore, imzot Marini.
Të shoqëruar nga Litanitë e Shenjtorëve, lutje të tjera dhe kënga Veni Creator Spiritus, himn i madh i grishjes së Shpirtit të Shenjtë, kardinajtë do të hyjnë në Kapelën Sikstine, ku do të zënë vendet e caktuara. Do të fillojë, pastaj, betimi, me formulën e përcaktuar nga Kushtetuta Apostolike. Formulën e gjatë latine të betimit e shqipton kardinali Re, si kremtues kryesor. Pastaj vjen meditimi i kardinalit Grech, i cili, në përfundim, së bashku me Mjeshtrin e Ceremonive, del nga Kapela.
Porta mbyllet me formulën klasike “Extra omnes”-“Jashtë të gjithë!”, shqiptuar në latinisht nga Mjeshtri i Kremtimeve. Pastaj ka shumë mundësi të fillojë meditimi i kardinajve para votimit: kështu nisi herën e fundit. Pas meditimit, votimi. Vështirë se do të ketë përfundim pozitiv, prandaj është për t’u pritur tymi i zi. Së fundi, kardinajtë do të kremtojnë së bashku Lutjet mbrëmësore, çast me të cilin do të përfundojë dita e parë e Konklavit. Nëse për një kandidat votat përfshijnë dy të tretat e votuesve, zgjedhja e papës është kanonikisht e vlefshme.
Në këtë pikë, i fundmi i Urdhërit të Kardinajve Diakonë, thërret Mjeshtrin e Kremtimeve Liturgjike dhe Sekretarin e Kolegjit Kardinalor. Dekani, zëvendës-Dekani ose i pari kardinal i kardinajve ipeshkvij, i drejtohet të zgjedhurit, duke i thënë: "Acceptasne electionem de te canonice factam in Summum Pontificem?" (A e pranon zgjedhjen tënde kanonike si Papë?) e, nëse merr përgjigje pohuese, vijon të pyesë "Quo nomine vis vocari?" (Si dëshiron të thirresh?), pyetje, së cilës i sapozgjedhuri i përgjigjet me emrin papnor. Pas zgjedhjes, skedat digjen e tymi i tyre i bardhë klasik, që ngjitet drejt qiellit nga oxhaku mbi Kapelë, shikohet qartë nga Sheshi i Shën Pjetrit. Në përfundim të Konklavit, Papa i ri tërhiqet në “dhomën e lotëve”, siç quhet sakrestia e Kapelës Sikstine, ku vesh për herë të parë petkat papnore, me të cilat do të paraqitet në publik nga Lozha e Bekimeve e Bazilikës së Shën Pjetrit. Emri i kësaj dhome rrjedh nga hamendja se Papa i ri mund edhe të shpërthejë në lot nga emocioni e, sidomos, nga mendimi për barrën e rëndë të përgjegjësisë, që merr mbi supe.
Atë Federiko Lombardi: “Kuptimi i Konklavit, parë me syrin e fesë”/Ndjehet gjithnjë më fort atmosfera e pritjes në Kishën, që lutet, në të Dielën e katërt të Kreshmëve, për zgjedhjen e Papës së ri. Mbi kuptimin e kësaj ngjarjeje, shprehet në një editorial, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi: “Kardinajtë vendosën me shumicë dërrmuese datën e Konklavit për të martën e ardhshme. Janë gati, pra, për të bërë hapin vendimtar të zgjedhjes së Papës së ri. Reflektimet e përbashkëta në Kongregacione, informacionet e shkëmbyera ndërmjet tyre, dialogët për të krijuar gjykime personale e për të njohur thellësisht përgjegjësinë vetjake lidhur me njerëzit më të përshtatshëm për detyrën e madhe, arritën tashmë në pjekurinë e tyre. Nga e martja, gjykimi do të bëhet edhe më impenjativ, sepse me votat e tyre, do të përballohet, në një farë mënyre, ‘masa’ e miratimit, që mund të arrihet për disa persona konkrete. E kështu do të shkohet përpara, deri tek zgjedhja. Tejet prekëse, në se mendon përgjegjësinë, për vetë natyrën e saj, mbinjerëzore, që mund të peshojë mbi shpatullat e një njeriu! Nuk është fjala vetëm për ta qeverisur mirë një institucion të ndërlikuar, por shumë më tepër se kaq, për të drejtuar në udhën fetare, jetën shpirtërore e morale të bashkësisë më të madhe të besimtarëve, të përhapur në kontinente të ndryshme e të vëzhguar me vëmendje – me ndjet pozitiv, por shpesh edhe me ndjet negativ - nga një mori bashkëkohasish, në kërkim të kuptimit të jetës së tyre. Ungjilli duhet kumtuar përmes kohëve, për shëlbimin e të gjithëve, deri në kufijtë më të largët të tokës. Prej këndej, Konklavi është ngjarje, domethënia e së cilës mund të kuptohet vërtet e mund të jetohet qetësisht, vetëm në perspektivën e fesë. Dy protagonistët e Konklaveve të mëparshme, na dhanë një dëshmi të thellë e të paharrueshme. Papa Vojtila kundronte Gjyqin e Mikelanxhelos në poemën e tij “Triptiku Romak”: “Të gjitha sendet janë lakuriq e të hapura, përpara syve të Zotit”; “Zoti shikon gjithçka”; “transparencë ngjarjesh, transparencë ndërgjegjesh”. “Ti që depërton në gjithçka - tregona!”. “E ai do ta tregojë me gisht”, atë që e ka për zemër.
Ndërsa Papa, që do të vinte pas Gjon Palit II, Jozef Ratcinger, komentonte “trashëgimin e çelësave që na la Pjetri”, duke theksuar se këto çelësa “duhen lënë në dorë të sigurtë”: e kjo është një përgjegjësi e pamatshme këto ditë.Tani Benedikti XVI, me dorëheqjen e tij të jashtëzakonshme, i çoi edhe një herë kardinajtë në pragun e Kapelës Sikstine, të cilin do ta kapërcejnë për të gjykuar, para historisë, cilat janë duart më të sigurta, për t’ua besuar çelësat e për t’u lutur, me të gjithë ne, por më heshturazi, më thellësisht e më vetëdijshëm se ne: “Shpirti i Zotit, ti që depërton gjithçka, tregona!”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›