E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Demokratike në Berat? Ja sekreti i fitores...për herë të tretë

12-03-2013 / Gazeta 55

Flet për gazetën “55”, anëtari i kryesisë së PD-së së Beratit, Namir Lapardhaja

“Drejt 23 qershorit duke trokitur derë më derë e zemër më zemër për këdo që do puls evropian, duke takuar njerëz, kokë më kokë e arsye më arsye për Arsyen madhore të integrimit në Evropë”
 
Quhet Namir Lapardhaja. Ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për gjuhë shqipe dhe letërsi. Më pas ka kryer një master po pranë këtij universiteti për “Studime letrare”, të cilin e ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera. Aktualisht vazhdon shkollën doktorale në pritje të marrjes së gradës Doktor i Shkencave pranë Universitetit të Tiranës. Në vitin 2009 ka qenë zëdhënësi për shtyp i fushatës elektorale të Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe imazhi i saj mediatik, duke qenë njeriu që ka dal më shpesh në media për probleme të fushatës gjatë asaj kohe, njëkohësisht prej këtij viti është anëtar i kryesisë së degës së PD-së së Beratit. Është aktiv në shtypin lokal dhe kombëtar, ku, pothuajse, në mënyrë periodike është prezent me komente, opinione, debate, të cilat karakterizohen nga origjinaliteti e shkathtësia e gjuhës.
 
Flitet dhe është komentuar në media se Partia Demokratike në Qarkun Berat rrezikon mandatin e një deputeti, duke reduktuar numrin e përfaqësimit nga 3 në 2. Cili është komenti juaj?
Si komentet, ashtu edhe fjalët e përfolura, janë një absurditet i vërtetë përballë realitetit dhe imazhit të PD-së në Berat, imazh i mbushur me përurime të një rëndësie të veçantë, siç janë investimet e mëdha në zonat e thella rurale, si në zonën e Shpiragut, në Qereshnik, në Lumas, në Kutalli, në Roshnik etj. Kjo listë vijon me investimet, gjithashtu të ndjeshme, në fushën e arsimit, në ndërtime dhe rikonstruksione shkollash, të cilat mbulojnë të gjithë hartën e qarkut. Mund t’ju them se në vitin 2005 numri i kompjuterave në shkollat e Beratit ka qenë i kufizuar. Kjo shifër nuk i kalonte 200 të tillë në 10 kabinete informatike. Pjesa më e madhe ishte me parametra të ultë dhe të dalë jashtë përdorimit. Si rezultat i orientimit të arsimit në rrugën e dixhitalizimit nga viti në vit ky numër ka ardhur në rritje në sasi dhe në cilësinë e kompjuterave. Sot si rreth ne kemi 728 kompjutera, 77 lap-top, 78 projektorë, 119 printera, 56 skanera, 1 smartboard, të vendosura këto në rreth 59 kabinete në shkolla të ndryshme.
Shëndetësia, po ashtu, me investime të aparaturave moderne në Spitalin Rajonal të Beratit, me reforma të mëdha në këtë sektor jetik, e me ndërtime dhe rikonstruksione qendrash shëndetësore në të katër skajet e qarkut.
Mund t’ju them me saktësi se vetëm në periudhën 2007-2012 në sektorin e bujqësisë, nga skema mbështetëse e qeverisë është investuar një shumë prej 590 mln lekë. Janë mbjellë mbi 2000 ha blloqe të reja, nga të cilat ullishte, pemtore, vreshta, arrore dhe nga kjo skemë kanë përfituar rreth 4500 familje. Po ashtu, janë subvencionuar rreth 300 ferma me 60000 krerë bagëti të imëta. Si është e mundur kur arritjet shtohen, përfaqësimi të pakësohet? Përkundrazi, të gjitha të dhënat, të gjithë indikatorët, të gjitha sinjalet, tregojnë për një performancë të jashtëzakonshme të Partisë Demokratike në Berat, të paparë ndonjëherë. Madje, ky do të jetë kulmi i përfaqësimit të së djathtës me PD-në në krye, duke kaluar edhe pragun e 50 %, duke e nxjerrë PD-në sikurse është realisht, forcë dominuese, përballë një të majte aventuriere. I vetmi problem ka qenë aksi rrugor Lushnje-Berat, i cili, aktualisht, është nën rikonstruksion dhe pritet që të mbarojë brenda muajit maj. Për të mos lënë këtu pa përmendur edhe koalicionin parazgjedhor të Partisë Demokratike, deri tani të konfirmuar edhe me dy parti të rëndësishme të spekterit të djathtë, si Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës.
 
Ju flisni në një mënyrë të tillë dhe nuk e merrni parasysh konsumimin që ka pushteti pas 8 vitesh qeverisje?
Është konsumim fakti që kemi çuar asfaltin në komunën e Lumasit deri atje ku takohet me zonën e Sulovës? Një i majtë i thekur më ka thënë: “Bravo ju qoftë. Me ritmet e PS-së asfalti në Lumas vinte vetëm pas 70 vjetësh”. Çfarë mund të themi për asfaltin që u ngjit në zonën e Shpiragut, kur në kohën e PS-së ishte luks që ajo rrugë të mirëmbahej edhe më çakull?! Po për rrugën malore në komunën e Roshnikut, ku edhe atë pak çakull e kishte marrë uji i vesës e jo i shiut, ku po vijon një investim gjigant?!
Ende nuk bindeni? Po si u fitua komuna e Lumasit, që quhej bastion i PS-së?! Po dy komunat e rrethit të Kuçovës, Kozare dhe Perondi, të cilat as që mund të imagjinoheshin se mund të fitoheshin nga kandidatët e PD-së?! Po komuna e Bogovës në rrethin e Skraparit etj.?! E, pra, realiteti flet krejt ndryshe. Ai komenton me fakte. Këto rezultate janë të kohëve të fundit, vetëm para një viti e gjysmë. Po të përdornim logjikën e konsumimit, atëherë këto komuna nuk mund të fitoheshin dot. 
 
Sipas jush, me këto arritje, këtë performancë, a garantohet fitorja?
Këtu duhet të ndalemi tek një moment tjetër kyç, ai i kandidatëve që do të paraqesë PD-ja, të cilët, me cilësitë e tyre, do të jenë magneti që do të tërheqë votuesit drejt programit të Partisë Demokratike. Cilësitë e kandidatëve, me reputacion, të pakompromentuar, të papërfolur, të pakonsumuar, të ndershëm, individ që kanë të gjithë cilësitë e shërbimit dhe shërbesës ndaj qytetarëve. Njerëzit duhet të njohin se kush po kërkon t’i qeverisë dhe mbi ç’parime pretendohet të ngrihet kjo qeverisje në 4-vjeçarin e ardhshëm. Njerëzve duhet t’u kthejmë besimin tek politika dhe tek drejtuesit e saj si garanci e mirëqeverisjes dhe e së ardhshmes së sigurt. Duhet t’i bindim ata se ndryshimi që ne garantojmë ka për bazë të mirën e përgjithshme, për qytetin dhe qytetarët. Pas gjithë sa thashë më sipër, mendoj se vlen të theksohet edhe ajo se kë ka deleguar Kryeministri Berisha në Qarkun e Beratit si kryetar të grupit të punës, i cili është z. Genc Pollo. Kjo për të bërë edhe një dallim të qartë me kampin kundërshtar. Mund të them se Genc Pollo, me mesazhin e qartë politik që ka përcjellë tek qytetarët, me fjalën e matur, paqësore, ku shfaqet argumenti dhe humanizmi, tërheq vëmendjen e banorëve të qarkut të Beratit. Banorët e Beratit nuk pëlqejnë tonin e egër të fushatave politike, nuk pëlqejnë fyerjet dhe sharjet midis kandidatëve kundërshtarë, nuk pëlqejnë krekosjet boshe dhe inflacionin e premtimeve. Pikërisht tek ky politikan qytetarët e Beratit kanë dalluar politikanin qytetar, me dimesion kulturor europian dhe e kanë pritur me respekt të thellë edhe kur kanë qenë votues të partive kundërshtare. Gjatë këtyre viteve si deputet i qarkut të Beratit, zoti Pollo ka ndërtuar marrëdhënie institucionale me të gjithë drejtuesit e institucioneve që funksionojnë në këtë qark, duke dhënë një shembull domethënës se si duhet të ndërtohen marrëdhëniet ligjore, ndërvepruese, jashtë informalitetit dhe klientelizmit. Deputeti Pollo ka punuar për kompaktësimin e strukturave të Partisë Demokratike në qarkun e Beratit, duke pasur durimin e thellë edhe kur janë shfaqur mosmarrveshje apo pakënaqësi nga anëtarët dhe militantët.
 
Ka një perceptim se PD-ja në Berat ka pasur probleme me LSI-në përsa i përket ndarjes së drejtorive, punësimeve dhe elementeve të tjera që i takojnë koalicionit qeverisës. Ju si e shihni bashkëpunimin me LSI-në për zgjedhjet e ardhshme dhe si mendoni që ka qenë ky bashkëpunim në vitet e kaluara?
Ndoshta nuk më takon mua të flas për koalicionin me LSI-në, sepse, jo vetëm që është jashtë kompetencave të mia, por do dukej edhe anakronike në sytë e lexuesit. Gjithsesi, ajo që mund të them është se koalicioni me LSI-në në Berat ka qenë ne nivelet e korrektësisë maksimale nga të dyja palët. Një gjë e tillë buron edhe nga dy liderët respektivë të këtyre partive, zotit Berisha dhe zotit Meta, të cilët, si politikanë profesionistë dhe me një përvojë të jashtëzakonshme në gjithë këto vite, kanë ditur të jenë të sinqertë, korrektë dhe luajal. Në dëshirën personale do ishte që ky koalicion të vijojë edhe në zgjedhjet e 23 qershorit, ku një koalicion i tillë parazgjedhor, pothuajse, e certifikon përfundimisht fitoren dhe mandatin e tretë qeverisës të PD-së së bashku me aleatët e saj. Po ashtu, edhe Berati ka një specifikë, që ky koalicion parazgjedhor e mban nivelin e përfaqësimit në Parlamentin e ardhshëm 4 me 4, ku 3 deputetë mund t’i marrë PD-ja, 1 LSI-ja dhe 4 PS-ja, aq sa në zgjedhjet e vitit 2009.
 
Po formacionet e reja politike, si FRD-ja dhe AKZ-ja, a mendoni se do t’i prishin punë PD-së në Berat?
Nuk e besoj. Lëvizjet që lindin si pasojë e dëshpërimit, inateve personale dhe vogëlsirave të kësaj natyre janë të destinuara të zgjasin derisa zgjat një inat dhe zemërim. Aq më tepër që Berati, gjithsesi, është i vogël. Të gjithë i njohin të gjithë. Njerëzit që drejtojnë këto parti të reja janë njerëz që, ashtu si liderët e tyre në Tiranë, nuk ngjallin emocion, interes apo kureshtje, elemente këto të nevojshme për t’u marrë votën votuesve.
 
Fushata ka filluar, edhe pse na ndajnë dhe shumë pak kohë nga zyrtarizimi formal i saj. Si përfundim, çfarë duhet të bëjë PD-ja të arrijë sukses edhe për një herë të tretë?
E thjeshtë: duhet të shkojë drejt 23 qershorit duke trokitur derë më derë e zemër më zemër për këdo që do puls evropian, duke takuar njerëz, kokë më kokë e arsye më arsye për Arsyen madhore të integrimit në Evropë dhe, duke perifrazuar Rilindasin e Madh, Naim Frashërin, do të thosha:
“Dhe dritë e Perëndimit
Si dritë e Perëndisë
Veç mbarësi
I sjell Shqipërisë.”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›