Një propozim për komandantin e policisë u hodh poshtë

Ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blumajer, thotë se sipas informacioneve të tij, pala kosovare e ka hedhur poshtë një propozim për emërimin e komandantit rajonal të policisë në veri, kurse tjetrin e ka miratuar.
“Sipas informacioneve që kam unë, pala kosovare e ka hedhur poshtë një propozim, kurse një tjetër e ka miratuar. Kemi të bëjmë me një procedurë që përdoret edhe në vendet tjera, sa i përket raportit midis shtetit qendror dhe administratës lokale, në anën tjetër. Pra, të drejtën e propozimit e ka ekipi i menaxhimit, i cili është i ngarkuar me krijimin e asociacionit të komunave serbe. Nisemi nga mendimi që ky ekip ka rënë dakord me Beogradin për emërimin e komandantit rajonal në veri”, ka thënë Blumajer për Kosova sot.
Sipas tij, pasi të jetë formuar asociacioni në veri, dhe pas heqjes së strukturave paralele, nuk do të jetë aq i mundur influencimi i Beogradit siç ndodh sot./Indeksonline/