Një qeveri në letër, që ka kohë të gjykohet
Në parim çdo qeverie të re i duhet dhënë kohë që të demonstrojë sesa e aftë është për të administruar hallet e shtetit dhe si e tillë ka nevojë që të testohet. Një apo dy vjet, kjo është çështje subjektive, por pas një viti, do ketë pasur kohën e mjaftueshme për të provuar për mirë apo për keq, sesa e zonja dhe sa ndryshe nga paraardhëset është apo nuk është.
Pritshmëria publike është që qeveria Rama 1, do të duhet të jetë shumë ndryshe nga ish qeveritë e tjera, pasi me këtë kartë ka ardhur në pushtet dhe mori tërë atë besim mbarëpopullor, që mori.
Gjithsesi, personalisht nuk mendoj se kjo qeveri i ka tërë parametrat dhe përbërjen e duhur të një qeverie Rilindje. Më shumë më duket se Rama, dhe argumentueshëm më të drejtën dhe tagrin e vet, që ia deleguan shqiptarët, ka bërë një qeveri shokësh dhe miqsh konfidentë.
Natyrisht janë njerëzit e tij të besuar, përndryshe nuk do kishte kuptim. Por, po aq kuptim do të kishte të kishte një përfaqësim më të balancuar vlerash dhe njerëzish që kanë dhënë në atë parti që mori pushtetin, krahasuar me ndonjë anëtar të ri të kësaj administrate, që ska shkelur kurrë në pragun e PS-së.
Padyshim që shoqëria civile mund dhe do të duhet të ketë përfaqësimin e saj, sipas vizionit, duhet thënë të drejtë në parim të Ramës, por një qëmtim më i vëmendshëm i përfaqësuesve të saj të spikatur edhe mund të kishte sjellë një formacion më ndryshe.
Por ashtu si edhe në dashuri, edhe Rama mund të ketë kundër-argumentin, hajde shikojini me sytë e mi të përzgjedhurit.
Pa mëdyshje, Rama nuk është i lirë dhe nuk ka qenë i lirë në përzgjedhjen e tij, dhe besoj se po të ishte në rrethana politike të tjera, nuk do te ishte aq i kushtëzuar dhe me siguri që do kishte konkluduar në një ekip më të mirë.
Por Rama ka bërë atë koalicion parazgjedhor që bëri dhe populli shqiptar kështu vendosi më pas më 23 qershor, ndaj dhe Rama me këtë miell politik do gatuajë. Dhe këtu ka mirëkuptimin tim dhe shumë shqiptarëve, që u kujtohet shprehja kur ske atë që do, do duash atë që ke.
Por siç thashë, kjo qeveri ka nevojë për të mos u paragjykuar. Në fund të fundit, riskun për suksesin ose dështimin e merr ai që drejton ekipin, dhe e vuajnë ose i gëzohen edhe ata që svotuan, edhe ata që votuan pro saj.
Ajo që më shqetëson është se me këtë mënyrë se si është konceptuar qeverisja dhe përzgjedhja e ministrave, kam frikë se do kalojë shumë, shumë kohë, derisa të shikojmë ndryshime dhe rifreskime qoftë edhe të pjesshme kabinetesh apo rebelë profesionistë në kabinet dhe kjo nuk është pozitive.
Kjo do ti krijojë shumë probleme qeverisjes së Shqipërisë dhe jo aq qeverisjes së deputetëve dhe ministrave të kabinetit të tij të koalicionit.
Kjo do të frenojë, nisur nga ndarja e posteve, edhe përmbushjen e shumë premtimeve paraelektorale, si zbardhjen e 21 janarit, p.sh, më gjithë elementët e tij, apo disa të tjera.
Ndërkohë, imperative dhe urgjente për këtë qeveri është transparenca e plotë me publikun për deklarimin e të ardhurave dhe konflikteve të mundshme të interesit të anëtarëve të kabinetit të ri.
Nga një shikim i shpejtë i faqes online të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, përditësimi është i marsit të këtij viti.
Shumica dërmuese e kabinetit të ri, me aq sa i njoh, nuk janë të vobektë. Përkundrazi, janë njerëz të suksesshëm në profesionet e tyre në kushtet që u ofroi të gjithëve kapitalizmi, dhe kanë krijuar shtëpi e katandi apo biznese falë meritave dhe aftësive të tyre individuale.
Shumë prej tyre kanë dhe do të duhet të kenë në parim konflikt interesi këtej e tutje me shumë institucione dhe organizata qoftë edhe të huaja, ku kanë punuar dhe do të duhet ti deklaronin interesat e tyre, siç e kërkon ligji nr. 9367 i 2005-ës.
Kjo është e domosdoshme që shqiptarët të mund të krahasojnë korruptueshmërinë ose moskorruptueshmërinë e anëtarëve të rinj të kabinetit dhe të ruajnë kuotat e besueshmërisë dhe pritshmërisë në vazhdim.
Kjo do ti hiqte opozitës një armë që çdo opozitë, ciladoqoftë ajo, do të ëndërronte ta përdorte ndaj kundërshtarit të vet politik.
Së fundmi, të fillosh të kritikosh sapo del nomenklatura e re e një qeverie, aq më tepër që ende nuk ka filluar punën apo sështë miratuar ende në parlament, e aq më tepër kur ende nuk ka as rezultat zyrtar për zgjedhjet, është në pamje të parë ekstrem.
Por kjo nuk do të thotë që ndaj atyre që do qeverisin të mos përdoret lupa që tani, apo të mos ketë ekzigjencë për disa gjëra që janë normale.
Këto mund të jenë shumë mirë edhe në planin imediat për tu bërë nga kabineti i ri, si CV-të, jo dhe aq të besueshme të ndonjë ministre, por rëndom si për çdo vend pune në Perëndim, përpara se të fillosh punën merren fillimisht referencat dhe më pas nënshkruhet Kodi i Etikës dhe Sjelljes, përfshi deklarimin e konflikteve të interesit, dhe në fund Kontrata e Punësimit. Përjashtim, aq më tepër, nuk bëjnë ministrat.
