Zoti Berisha, lëreni Lulzim Bashën të bëjë detyrën e kryetarit të PD-së!

Berisha e Basha në ditën pas 21 janarit 2011
Nga Ferdinand Agalliu
Ish- kryetar i Partisë Demokratike, Fier
Në 23 qershor Partia Demokratike humbi zgjedhjet e radhës për përbërjen e legjislativit të ri.
Të fituar dolën socialistët e majëe të Edi Ramës, së bashku me një fraksion të po kësaj partie, të udhëhequr nga Ilir Meta.
Ata arritën një mazhorancë dërrmuese, e aftë për të marrë vendime domethënëse në parlamentin e ardhshëm.
Në mënyrën më të qytetëruar, kryeministri Berisha pranoi humbjen e partisë së tij në këto zgjedhje, dhe ashtu siç e kërkon rregulli në botën e civilizuar, bëri dorëheqjen nga funksionet e drejtimit të Partisë Demokratike, themelues i së cilës ai është që nga dhjetori i vitit 90 të shekullit të kaluar.
Janë të panumërta rastet, kur drejtues të shteteve me hapësira të pamasa dhe traditë të madhe lirie, janë ndodhur në një situatë të tillë (krejtësisht normale dhe aspak turpëruese në kushtet e demokracisë), të cilët kanë humbur zgjedhjet dhe janë larguar nga drejtimi i punëve.
Si rregull, ata kanë gjetur zgjidhje jashtë funksioneve partiake. Nisur nga ky fakt, është në nderin e tyre, po ashtu në këtë rast edhe të zotit Berisha, që pasardhësit ti krijohen të gjitha kushtet për ta çuar autoritetin e tij drejtues në nivelin e domosdoshëm.
Një postulat në politikë thotë: vetëm politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, burrat e shtetit mendojnë për brezat e ardhshëm.
Për të ilustruar këtë fakt mund të merrnim si shembull shumë drejtues si Bush, Klinton, Bush (i riu), Mejxher, Bler, Miteran, Sarkozi, Kol, Shrëder, DAlema, Micotaqis, Papandreu, Jelcin e shumë e shumë të tjerë, të cilët kanë gjetur zgjidhje dinjitoze pas largimit nga funksionet drejtuese, duke u marrë me aktivitete nga më të larmishmet, thellësisht të dobishme në funksion të trashëgimisë historike dhe vlerave muzeale, kaq të nevojshme për transmetimin e eksperiencës politike në brezat pasardhës.
Ata e kanë ditur mirë se marrja e tyre me një aktivitet politik në favor të partisë që kanë drejtuar, pas dorëheqjes së deklaruar, jo vetëm nuk është në lartësinë e figurës së tyre, por ajo përbën një rrezik real për të ngushtuar hapësirat e mendimit të drejtuesve të rinj në gjetjen e zgjidhjeve të domosdoshme për një rikthim sa më të shpejtë në drejtimin e punëve të shtetit.
Ndaj, besojmë se për aq kohë sa të tillë udhëheqës si zoti Berisha, do të vazhdonin të drejtonin në hije punët e partisë, me keqardhje mund të vihej në dukje se steka e vështirësisë për drejtuesit e rinj do të ngrihej pa ndonjë arsye të shëndoshë në kufij të lartësive të pakapërcyeshme.
Besimi në aftësitë e brezit pasardhës përbën një nga problemet më të mprehtë për individë të fortë si zoti Berisha, të cilit vitet i kanë forcuar bindjen se lënia e punëve në dorë të njerëzve pa eksperiencë është një rrezik real për aktivitetin shoqëror dhe partiak.
Tipa si zoti Berisha kanë bindjen e patundur se pa një kujdes maksimal për çdo punë nga ana e tyre, vetëm rastësia do ta shpëtonte shoqërinë nga ndonjë hata, ndaj ti largosh njerëzit si ai nga zakoni për të kontrolluar imtësisht çdo gjë, është një punë me të vërtetë e vështirë.
Kuptohet, përballë këtij problemi ndodhet Basha. Kjo, natyrisht, është sfida dhe njëkohësisht fatkeqësia e tij më e madhe.
Sado paradoksale në dukje, mendoj se vetëm zoti Berisha mund ta zgjidhë këtë situatë.
Është ai, dhe vetëm ai, që mund ta çlirojë PD-në nga prangat e tij.
Të gjithë të tjerët mund të ndihmojnë me çtë mundin, po të jetë se ai realisht është i interesuar sadopak për këtë proces. Por a është i gatshëm shpirtërisht zoti Berisha të ngrihet në këtë nivel që kërkon koha?
Kjo, mendoj, përbën problemin më të mprehtë aktual për PD-në.
Mendoj se kjo përbën një arsye të mjaftë, që çdo njeri, i cili ia do të mirën këtij vendi, duhet të kontribuojë urgjentisht për ti dhënë mundësi këtij individi për tu marrë me diçka tjetër tejet të dobishme, jashtë punëve të PD-së.
Por sidomos në përputhje me nderin që i jep aktiviteti i tij shumëvjeçar.
Është për këtë arsye, që zotit Berisha duhet ti bëhet e qartë se nuk është aspak e nevojshme ti bjerë murit me kokë duke qenë po ai në drejtim të punëve për të risjellë PD-në në pushtet.
Ky lloj aktiviteti për të tashmë ka vdekur.
Berisha duhet ta kuptojë se është deklarata e tij e dorëheqjes ajo që e largoi përfundimisht nga ky lloj aktiviteti.
Po ashtu, mendoj se zoti Berisha duhet të demonstrojë se është po në nderin e tij që këtë kapitull ta quajë të mbyllur.
Jeta është shume e gjerë dhe e larmishme.
Aftësitë e tij janë të pashtershme për të qenë shoqërisht i dobishëm.
Së fundi, këtë presin nga ai të gjithë ata që sinqerisht duan të mbetet në histori çdo arritje pozitive e tij në dobi të vendit që e lindi dhe e rriti.