Mos shkatërroni monumentet e natyrës dhe të historisë!
Krahina e Përmetit është e pasur me burime energjetike të rinovueshme, miqësore me mjedisin, të cilat presin të vihen në shfrytëzim për të siguruar një zhvillim ekonomik dhe social të qëndrueshëm të krahinës. Janë të shumtë edhe monumente të shquar të historisë dhe kulturës.
Energjia e ujit: Lumi Vjosa dhe lumenj të tjerë më të vegjël të krahinës kanë potencial hidroenergjetik të madh. Në krahinë ka edhe shumë burime ujërash nëntokësore, kryesisht në dy shpatet e luginës së Vjosës.
Energjia gjeo-termale: Nga lumi i Lëngaricës deri në lumin Sarandaporo shtrihet një brez gjeo-termal, i cili vazhdon edhe tej në territorin grek. Në këtë brez ndodhen burimet gjeo-termale të Bënjës në shtratin e lumit të Lëngaricës, burimi i avullit në Postenan dhe burimet në grykën e Vromoneros në shpatin verior të lumit Sarandaporo.
Energjia e diellit: Krahina e Përmetit karakterizohet nga një periudhë me 2100- 2300 orë me diell në vit dhe 3,70-4.11 kWh/m2. Nxehtësia diellorë në Shqipëri ka vlerë mesatare rreth 129.3 Kcal/(cm-1.vit).
Energjia e erës: Në zonat kodrinore të krahinës, shpejtësia mesatare e erës është rreth 2.1-3.0 m/sek gjatë 3000-4500 orëve në vit. Por ka edhe zona ku erërat kanë shpejtësi më të madhe.
Për ti shfrytëzuar këto energji me eficiencë të lartë ekonomike ka ardhur koha që të ndërmerren studime dhe projekte që të kenë si drejtim kryesor mbështetjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm burimeve energjetike, mjedisore dhe kulturore, si edhe ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.
Në këtë artikull do të ndalemi në platformën dhe skenarët e shfrytëzimit të energjisë gjeo-termale.
Realizimi i këtyre studimeve dhe projekteve do të përmirësojë bilancin energjetik të krahinës dhe do të ketë impakte të rëndësishme për ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Do të transferohen teknologji të reja moderne për shfrytëzimin e energjive të rinovueshme në krahinë, do të mbrohen natyra dhe mjedisi, do të hapen biznese të reja dhe vende punë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e jetesës së komunitetit.
Ujërat termale të Përmetit
Në Përmet, burimet gjeo-termale ndodhen tek Ura e Katiut në lumin e Lëngaricës, pranë fshatit të mirënjohur të Bënjës, 7 km në jug-lindje të Përmetit, në vijë të drejtë. Të ndodhura në një zonë me pamje e bukuri të jashtëzakonshme, si edhe për vetitë e tyre kuruese shumë të mira, këto ujëra termalë janë të njohura qysh lashtësi, në periudhën romake, prandaj edhe fshati ka marrë emrin nga latinishtja banjë. Në Bënjë ka 8 burime me temperaturë nga 23 deri në 30oC dhe me prurje 8 deri në më shumë se 40 litra/sek, secili, që ndodhen përgjatë një brezi rreth 500 m të gjatë, në të dy anët e lumit: 4 burime në shpatin e djathtë (1-4) dhe 4 në të majtin (5-8). Uji buron në përgjithësi në nivelin e ujit të lumit, nën të ose 1-2.5 më lart tij.
Burimet gjeo-termale të energjisë së entalpisë së ulët si ato të brezit Bënjë-Sarandaporo përbëjnë bazën për përdorim të suksesshëm të teknologjive moderne për përdorim integral dhe kaskadë të kësaj energjie, miqësore me mjedisin, duke pasur efektivitet ekonomik të mirë. Përdorimi integral nënkupton shfrytëzimin në kompleks të energjisë gjeo-termale së bashku me energji të tjera të rinovueshme, si atë diellore, me sistemin e pompave të nxehtësisë ujë-ujë, si edhe në raste të veçanta edhe me energjinë e erës dhe të biomasave, pa përjashtuar lëndët djegëse për situata klimatike ekstreme. Shfrytëzimi kaskadë përfaqëson përdorimin e energjisë gjeotermale në të gjithë diapazonin e nxehtësisë së ujit të burimit, nga temperaturat më të larta deri sa të arrihet në temperaturën e mjedisit, kur uji nuk ka më nxehtësi të shfrytëzueshme.
Kjo zonë termo-minerale me bukuri të rrallë natyrore, e ndodhur pranë rrugës nacionale Përmet – Greqi, si edhe në afërsi të monumenteve të natyrës, të kulturës dhe të historisë, i ka të gjitha kushtet të kthehet në një qendër të rëndësishme ndërkombëtare pushimi-ripërtëritjeje-kurimi dhe turizmi ekologjik dhe kulturor, në një qendër gjeo-termale nga më të mirat evropiane. Vlerat kurative të ujit termo- mineral dhe kushtet gjeografike krijojnë të gjitha kushtet që këto burime të frekuentohen nga dhjetëra mijëra turistë e pacientë shqiptarë nga të gjitha trevat si edhe të huaj gjatë vitit. Shfrytëzimi i ujërave termale të burimeve ose të puseve lehtësohet nga fakti se ato përgjithësisht ndodhen në zonë të zhvilluar nga ana urbane.
Skenari i zbatimit të teknologjive moderne në burime e Bënjës është përcaktuar nga parametrat gjeo-termalë: fluksi i nxehtësisë së Tokës, temperatura e ujit, prurja dhe kimizmi i ujërave termo-minerale, si edhe faktorët gjeografikë-ekonomikë-socialë, urbanistikë, transportit, ekologjikë dhe të peizazhit të zonës gjeo-termale:
Qendra gjeo-termale ripërtëritëse-turistike, me pishina me ujë të ngrohtë mineral dhe të ëmbël, të hapura dhe të mbyllura, me sauna dhe salla masazhesh e sportive, fusha sporti, etj.
Klinika mjekësore për banjo termale me ujë dhe baltë,
Ngrohja e godinave dhe të serave,
Ujë të nxehtë sanitar,
Instalime akuakulture: rritje rasatesh peshku e peshk,
Kultivimi i asparagus,
Tharje frutash e perimesh,
Industrializimi i ujërave mineralë të pijshëm.
Në verë: uji i nxehtë i burimeve të Bënjës me temperaturë rreth (28-30) gradë celsius përdoret për të mbushur pishinat. I ngrohur me energjinë diellore deri në temperaturën 38 °C do të përdoret për banjat termale individuale, ndërsa në temperaturë mbi 55 °C për sauna. Ujë tepërt i burimeve dërgohet në vaskat e rritjes së peshkut. Në kombinim me panelet diellore ngrohet uji sanitar për hotel-klinikën, dushe, etj.
Në dimër: ujit termo-mineral të ngrohtë (t=28-30) °C të këtyre burimeve, i merret një sasi nxehtësie në impiante të ndryshme dhe, pasi uji të arrijë temperaturën rreth 15oC, dërgohet në sisteme panele diellore dhe për të furnizuar pompa nxehtësie ujë-ujë. Këto sisteme komplekse japin ujin e nxehtë në temperaturën (55-75) °C për nevojat e qendrës gjeo-termale. Nga ky sistem kompleks, uji ndahet e dërgohet në drejtimet e duhura. Edhe gjatë ditëve dimërore me diell, në sistem futen në punë edhe panelet diellore për ngrohjen e ujit sanitar. Me sasinë e përgjithshme të ujit të ngrohtë me temperaturë 30oC, mund të realizohet ngrohja:
- E fushave me sistem tubacionesh të futura disa centimetra në tokë, ku kultivohen asparagus dhe sallata të ndryshme, p.sh. marule, që kërkojnë temperaturë
