Një qiri për Ndocin
Këtë shkrim ai nuk do ta lexojë. Këtij shkrimi do t’i mungojë skepticizmi i tij i shëndetshëm. Edhe pse për vete ishte shëndetlig, zotëronte një mendje të mrekullueshme, të begatë e të shëndetshme.
Kështu e pata njohur këtu e katër dekada të shkuara. Ai poet i ri nga Lezha. Unë edhe më i ri nga Korça. Pastaj pata njohur edhe Lezen, bashkëshorten e tij hallemadhe. Më tej edhe babën, Kolën e ngratë. Të vëllain, Rrokun… Dikur erdhi djali i tyre, Laureni, një gëzim i rrallë për Ndocin. I vetmi. Që e humbi shpejt në të ziun vit 1997…
Për një marrëzi të moshës, sigurisht edhe të poezisë, iu bashkova Ndocit dhe shkova menjëherë pas Universitetit mësues në Lezhë. Unë mësues halleshumë fshati, ai punonjës i tukequr qendre kulturore. Dikur përfundoi të vetmen shkollë të lartë të partisë së asaj kohe. Mësonte gjermanisht në Kashnjetin e largët dhe ndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Por nuk i shiste shokët në bashkëbisedim me të cilët jo se i kursente vërejtjet për regjimin. Dhe prandaj e vërtisnin nga njëri konvikt në tjetrin, nga njëra fjetore në tjetrën, nga njëra kasolle në hotelin ku të pinte era. Era e Lezhës. Shtëpia e kulturës në Shën Koll. Pastaj në Ishull Lezhë. Përkohësisht, vetëm një dimër, në hotelin e shpartalluar të Shëngjinit. Nga njëri mjerim në tjetrin.
Prepotenca e padurueshme e agallarëve të kuadrit lokal. Një prepotencë që Ndoci e shikonte si mjerane. Nuk është se i prishte punë biografia. Aspak. E kishte gjetkë problemin, te mendja e hapur e kritike, e “sëmurë” nga një skepticizëm që u ka hije vetëm ca e cave. Në Mesjetë këtë ves e kishin veç një pjesë e ndriçuar e aristokracisë. Po Ndocit, djalit të karrocierit, lindur në Bërdicë, rritur me një mijë halle, nga i buronte ky skepticizëm fisnik? Te shpirti poetik që i jepte luksin e të vështruarit të botës nga lart. Nga shumë lart.
Hynin e dilnin aso kohe në shoqërinë tonë “problematike” të rinj të talentuar e të tjerë të patalentuar, karrieristë të sinqertë e ca të tjerë më pak ose aspak të sinqertë, pretendentë për filozofë e filozofë të padeklaruar, rapsodë fshati që aspironin pjatën e radhës me gjellë a gotën me raki, aventurierë për të cilët asnjëherë nuk mund të kuptonte as se nga vinin, as se ku do të shkonin; antikomunistë të vërtetë e të shtirur (kundrejt pagesës) si të tillë. Ndoci, pa nënvlerësuar askënd, diti të qëndrojë përherë sipër. Ishte një sipëri që nuk buronte as nga paret, as nga posti. Buronte nga shpirti. Një shpirt mospërfillës ndaj banales, së përditshmes, utilitares… Jo një herë vërenim me trishtim se si raca njerëzore ikte vrapthi nga njeriu dhe nga cilësitë e tij duke iu afruar shtazës. Jo një herë edhe në poezinë që Ndoci botonte aso kohe, arrinte të penetronte një shpirt i tillë “reaksionar”. Reaksionar jo në kuptimin që i jepnin kësaj fjale amatorët e rrezikshëm të estetikës komuniste (ose më saktë pseudokomuniste), por si një reaksion ndaj “modernitetit” dhe pragmatizmit që e vret njeriun. E, në këtë kuptim Ndoci ishte një misionar. Një misionar i vërtetë, i pashtirur dhe i papaguar. Madje i keqpaguar. Dhe në Kishën e Sektit të Njeriut Ndoc gjithkush kishte dëshirë të futej. Merrte pak ose sadopak nga fisnikëria e tij dhe arratisej në udhët e ngatërruara të karrierës.
Vështirë se mund të gjesh në historinë e letërsisë shqiptare një koherencë sjelljeje si ajo e Ndocit njeri me Ndocin poet. Fillimi i lëvizjes demokratike e gjeti Ndocin kryeredaktor të revistës “Spektër”, e vetmja e këtij lloji në vend. Askush nuk mund “të merrej” me ndëshkimin e Ndocin, sigurisht, por Ndoci u neverit nga vërshimi i mediokritetit që automatikisht u vetëdeklarua si antikomunist.
Një sërë shkrimtarësh apo kritikësh tërësisht të kompromentuar falë mediokritetit të tyre, shpejtuan të shkarkojnë paaftësinë e tyre në shpinë të komunizmit. Ndoci u neverit. Jo si komunist, por si poet dhe si murg i atij urdhrit të sipërpërmendur që e kishte shpikur vetë. Shkroi aso kohe një vjershë ku kërciste neveria për këtë shtresë mediokrish, shiti shtëpinë dhe iku të jetonte në fshatin Balldren, pranë Lezhës. Ishte koha kur shumëkush bënte të kundërtën: braktiste fshatin dhe i vërsulej me vrull e paturpësi qytetit.
Por nuk kishte qenë e thënë që banaliteti ta linte të qetë Ndocin e ngratë. Në një marrëzi grindjeje, djali i tij i vetëm, teksa me kushërinjtë e vet të fshatit korrte jonxhë, u korr pamëshirshëm nga një breshëri automatiku. Në fushën me jonxhë. Larg rrëmujës dhe rrëmetit…” Do ta paguajë secili këtë tragjedi, më pat thënë aso kohe Ndoci, mes dhimbjes që e përballonte me dinjitetin që pakkush ia njihte, si një malësor i vërtetë i Shkrelit. Mua më qëlloi një çmim teje i lartë. Reni…
Si vdiq? Nuk dua ta di, sepse ai ishte prej kohësh, së paku për mua, diçka e etertë e jashtëtokësore. Prej vitesh e dija që ai ishte shpirt…
Dikur pata shkruar: kam parë në ëndërr Ndoc Gjetjen. Ishte veshur si prift i një sekti që nuk ekziston. Atëherë nuk i bija dot në të se ç’ishte ky sekt. Tani e di. Ishte sekti i njeriut, që po shuhet. Prandaj le të ndezim nga një qiri në kujtim të tij.
Sepse qirinjtë dinë të merren vesh me shpirtrat.
#