EULEX, konsultime para arrestimeve të mëdha
Një proces i gjatë i konsultimeve politike ka arritur një formulë të përkohshme, që do t’i mundësojë EULEX-it kësaj jave të nisë arrestimin e disa zyrtarëve të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion, pa pasur destabilizim politik në Kosovë. E përditshmja e Prishtinës, “Koha Ditore”, bënte të ditur se procesi konsultues është udhëhequr nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, dhe shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, por është ndihmuar edhe nga shtetet mike të Kosovës. Sipas këtyre burimeve, përderisa Feith e Kermabon kanë qëndruar për një kohë të gjatë në Bruksel e Uashington, shtetet mike kanë kryer të shumtën e punës me Prishtinën, përkatësisht Kryeministrin Thaçi, Presidentin Sejdiu dhe partitë opozitare. “Askush nuk është i interesuar që barrën e luftimit të korrupsionit ta paguajë vetëm një parti, e as që Kosova të mbetet pa udhëheqje politike për shkak të këtij procesi. Nëse është e mundur, formula do të mundësojë që të kuptohet nga opinioni se lufta kundër korrupsionit nuk ka të bëjë vetëm me një parti në Kosovë, e as vetëm me këtë qeveri”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një diplomat europian i akredituar në Prishtinë. Sipas këtij burimi, EULEX-i nuk do të ndalet që të ndjekë të gjitha rastet që mund të prokurohen, megjithatë, në fazën e parë, pra gjatë kësaj jave dhe në muajin qershor, përçimi i mesazhit të lartpërmendur do të mundësojë që asnjëra nga partitë politike të mos mund të përfitojë politikisht nga aksionet e EULEX-it. Ky përfitim, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, nuk mund të lejohet sidomos në një situatë si kjo, kur të tria partitë e mëdha, PDK, LDK dhe AAK, kanë zyrtarë që po hetohen për të njëjtat krime. Pjesë e këtyre konsultimeve politike, përveç Kryeministrit Thaçi, ka qenë edhe Presidenti Fatmir Sejdiu, pasi zyrtarë të LDK-së dhe grupe të afërta me këtë parti tashmë janë duke u hetuar. Ndërkaq rol të rëndësishëm në konsultime, sipas burimeve, ka luajtur edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, si dhe partitë e tjera opozitare.
KontrolletAksioni i Policisë së EULEX-it, i filluar para më shumë se një muaji në njërën nga ministritë e qeverisë së Kosovës, ka vazhduar me bastisjet edhe në institucione të tjera. Radio Televizioni i Kosovës njofton se në aksion janë përfshirë edhe kërkimet në Kuvendin e Kosovës, për një pajisje teknike që, siç thuhet, nga një ministri është bartur në këtë ndërtesë, por nuk saktëson se në cilat ministri apo institucione të Kuvendit. Zyrtarë të misionit europian për sundimin e ligjit thonë se aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit është shtrirë në të gjithë Kosovën, megjithëse, sipas tyre, veprimet e prokurorëve ndërkombëtarë janë kufizuar për shkak të numrit të vogël të tyre.
Ata kanë thënë se bastisjet, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të vazhdojnë me një intensitet të shtuar në ditët e ardhshme. Sipas zyrtarëve të EULEX-it, nga më shumë se 1200 raste që po hetohen, 45 prej tyre janë të ndërlidhura me raste të korrupsionit, ndërkohë që vetëm Zyra e Prokurorit të Posaçëm po heton 38 raste të dyshuara për korrupsion, në një nivel të lartë. Autoritetet në Prishtinë së fundi kanë deklaruar se do të vihen në krye të luftës kundër korrupsionit, duke i bërë me dije misionit të EULEX-it, që duhet të zbatojë vetëm mandatin e tij, të mbikëqyrësit dhe të këshilluesit. Këshilli i Bashkimit Europian do t’ia kalojë të martën mandatin misionit të EULEX-it deri më 8 qershor 2012.
Me këtë rast parashihet që përfaqësuesit i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, dhe shefi i misionit europian, Yves de Kermabon, të flasin për zhvillimet aktuale në Kosovë. Qëllimi kryesor i misionit EULEX është sundimi i ligjit në Kosovë, si dhe të ndihmojë autoritetet e Kosovës në respektimin e ligjit, veçanërisht në polici, gjyqësi dhe dogana. Mandati i misionit EULEX filloi më 4 shkurt 2008 dhe skadon në 31 gusht, 2010.
#