Një reformator serb bën thirrje për politikë të paanshme amerikane në Ballkan
Duke folur në Universitetin Xhons Hopkins këtu në Uashington, zëvëndës-kryeministri serb Xheliç, tha se mbrojtja aga ana e Uashingtonit e pavarësisë së Kosovës ka çuar në të kundërtën e stabilitetit, që u premtua. Ai tha se që kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt, ka rënë qeveria e Serbisë dhe ajo e Maqedonisë dhe tani do të mbahen zgjedhjet e reja.
Mbi 30 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Duke thënë se asnjë qeveri serbe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, që Beogradi insiston se është pjesë e Serbisë, zoti Xheliç bëri thirrje për ripërtëritjen e dialogut midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë lidhur me Kosovën.
"Sot ne jemi shumë larg njeri tjetrit. Kjo natyrisht që dëmton Beogradin shumë më tepër se sa Uashingtonin, por mund të dëmtojë gjithashtu interersat e Shteteve të Bashkuara”.
Zoti Xheliç, anëtar i partisë demokratike pro-perëndimore të Serbisë, si dhe elementë të tjerë reformatorë përballen me perspektivën e dëbimit nga një koalicion, që mund të përfshijë partinë radikale nacionaliste si dhe partinë e kryeministrit Vojisllav Koshtunica.
Sipas zotit Xheliç, nëse radikalët vijnë në pushtet, Serbia ka të ngjarë të mos dojë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, objektivi kryesor i partisë demokratike. Ai tha se fitorja e radikalëve do të rrezikonte gjithashtu përparimet ekonomike, që janë arritur që prej revolutën popullore, që rëzoi nga pushteti Sllobodan Millosheviçin në vitin 2000.
Zëvëndës-kryeministri serb Xheliç shpreson që politika amerikane në Ballkan do të ndryshojë sapo të përfundojë mandati i presidentit Bush në janar.
"Ne shpresojmë që pas disa muajsh, e ndoshta me administratën e ardhshme, politika amerikane të bazohet më shumë në fakte dhe të jetë e paanashme”.
Zoti Xheliç tha se administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ka dështuar të mbrojë pakicën serbe dhe të gjykojë shqiptarët e akuzuar për krime lufte. Ai tha se zgjedhjet e ardhshme në Serbi janë shumë të rëndësishme dhe përbëjnë një zgjedhje midis integrimit evropian dhe izolimit. (ze)